Tatjana Isaj: Nënë për herë të dytë, me një fëmijë të adoptuar

Jan 7, 2013 | 13:57
SHPËRNDAJE
Tatjana me djalin e birësuar, Altinin

Vetëm pak ditë përpara festave të fundvitit, familjes së saj iu shtua pjesëtari më i ri. Pas 25 viteve, kur për herë të parë përjetoi ardhjen në jetë të fëmijës së parë, stilistja Tatjana Isaj është bërë nënë për herë të dytë, por këtë herë jo në mënyrë biologjike. Një djalë i adoptuar në Shtëpinë e Fëmijës në Sauk i ka rizgjuar të gjitha shqisat e harruara të mëmësisë, tanimë që e bija i ka mbushur të 25-at. Përkujdesja prindërore, përkëdheljet ndaj Altinit njëvjeçar kanë shtuar frymën fëmijëore që vërtitet nëpër shtëpi, ndërsa të qeshurat e prapësitë e vogla të të birit, dukshëm i kanë thyer qetësinë olimpike të familjes me pjesëtarë të rritur…

Stilistja Tatjana Isaj

Teksa i lexon në faqet e show-biz-it botëror, duken si kapricio VIP-ash milionerë… Nga Angelina Jolie, tek aktoret Charlize Theron dhe Sandra Bullock, e shumë personazhe të njohur publikë, të adoptuarit e një fëmije është tregues bamirësie. Por, situata në realitetin shqiptar është krejt tjetër… Janë të paktë në numër rastet e njohura publike të çifteve që kanë adoptuar një fëmijë, por edhe në rastet konkrete kur procedurat ligjore ua kanë mundësuar marrjen e një fëmije nga qendrat sociale, apo foshnjore në kryeqytet, këtë akt e kanë thënë me zë të ulët, kryesisht mes miqve të ngushtë. Për stilisten Tatjana Isaj, afeksioni ndaj vogëlushit Altin, që rrinte i strukur në një qoshe të Shtëpisë së Fëmijës, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, që rendnin pas ëmbëlsirave që ajo kishte sjellë, ishte më shumë se kaq… Jo vetëm dhembshuri, por dëshira për t’i ndryshuar jetën këtij fëmije të braktisur, pa dashje e rikthyen vite pas në të kaluarën, kur i ati i rritur jetim i përmendte se si ky fakt e kishte bërë të shihej ndryshe nga shoqëria, e të ndihej shpesh i braktisur. Kaq mjaftoi që ajo të ndërmerrte aktin e birësimit të një fëmije. Tashmë ajo është sërish nënë, me fëmijën e dytë Altinin, një vjeç e gjysmë.

Stilistja me prirje humanitare
I pëlqen të ndihmojë njerëzit, t’u ndryshojë jetët atyre e kështu të ndihet e vlefshme për çdokënd. Nuk është vetëm mirëqenia e saj financiare, që ia lejon aktet e bamirësisë. Është më së shumti dëshira për t’u bërë pjesë e problemeve të tjetrit. Për stilisten Tatjana Isaj, e njohur më së shumti edhe si këngëtare, veprimtaria humanitare është një aspekt për të cilin ajo nuk do që të duartrokitet në sy të të gjithëve. Për të më i rëndësishëm është rezultati final, sesa rruga për të mbërritur deri tek ai… “Duke qenë prej vitesh rezidente në Gjermani, sa herë që kthehem në vendlindje mundohem të bëj gjëra të bukura, të ndërmarr akte që vlejnë, e të cilat më bëjnë të ndihem e përmbushur. Kur hapa për herë të parë një punishte, ku punësova gra me probleme familjare, të divorcuara apo në vështirësi ekonomike, e kuptova sa bukur ishte të përmirësoje jetët e njerëzve në vështirësi. Dhe këtë nuk e arrija duke u dhënë lëmoshë, por duke u blerë krijimet e tyre të dorës, punimet e ndryshme artistike. Ndërsa vitet e fundit jam fokusuar më shumë në kontributin tim, kryesisht në shtëpitë e foshnjave apo të fëmijëve të braktisur. Në këto lëvizjet e shpeshta, duke çuar dhurata, ëmbëlsira, apo duke investuar në hapësirat e brendshme të këtyre shtëpive foshnjore, u njoha edhe me Altinin, që sot është im bir. Të qeshurat e tij, lodrimet nëpër shtëpi, na kanë rikthyer harenë e zhurmshme fëmijëore. Më duket sikur jam bërë nënë për herë të dytë, sepse edhe vogëlushi më quan “mami”. Tashmë, familja ime është e plotësuar, me katër anëtarë…”, thotë Isaj. Nëse do të kishte zgjedhur një praktikë më të thjeshtë, duke i lidhur një ndihmë të përmuajshme financiare vogëlushit njëvjeçar, do të ishte sërish në distancë dhe e larguar prej tij. Kështu, zgjodhi të bëhej nëna e Altinit me të drejta të plota, pas plotësimit të procedurave ligjore. I biri jeton në familjen e saj, bashkë me të bijën 25-vjeçare, Korozana, e cila është bërë së fundmi me vëlla. Nuk u interesua për të kaluarën e djalit, cilët ishin prindërit e tij… Altini e kishte bërë për vete që prej kontaktit të parë me sytë e njëri-tjetrit. I veçuar nga bashkëmoshatarët e tij, i strukur në një cep të qendrës foshnjore, Tatjanës i ngjau se ai më shumë se kushdo tjetër në atë strehë kishte nevojë për më shumë dashuri dhe përkujdesje. Sigurisht që ajo nuk e mori vendimin po atë ditë. Konsultimi me bashkëshortin e të bijën vulosën dëshirën e saj për të rizgjuar shqisat e mëmësisë, për t’u ndier edhe një herë nënë, tashmë në kufirin moshor të të 50-ave. “Prania e Altinit nëpër shtëpi më ka ndryshuar jetën. Ai është shumë i lidhur me mua, kërkon vëmendjen time në çdo kohë, luajmë bashkë, shëtisim të dy… Mendoj se së shpejti do ta marr me vete edhe në shtëpinë time në Gjermani, dhe kam bindjen që do të jemi një familje e lumtur dhe e plotësuar”.

Mes botës së modës dhe muzikës
E dhënë pas stilimit, për vite me radhë ajo i ka munguar skenës shqiptare si këngëtare. Tatjana Isaj mbahet mend nga brezi i viteve ‘80-të si këngëtarja bukuroshe që u rrit në skenat e “Festivaleve të Pranverës” dhe atyre kombëtarë. Kënga e famshme, “Unë, biri yt Kosovë” me autor Feim Ibrahimin e tekst të Ali Podrimjes, për të cilën u vlerësua edhe me çmim të tretë, e bëri të famshme. Por jeta e solli që, nga bota e muzikës të hidhej në aktivitetin e ndërtimit të të shoqit në Gjermani, ku është e angazhuar në sektorin e marrëdhënieve juridike në bizneset familjare, ndërsa lëmi i krijimtarisë, ai i stilimit, është bota ku Tatjana është përfshirë vitet e fundit.
Punimet e saj artistike i përkasin kategorisë “handmade”. Gjithçka e punuar me dorë, nga grepi te shtiza, krijime të veçanta, qofshin ato zbukuruese si centro apo mbulesa tavoline, deri te veshjet e ndryshme, janë arsenali i stilimeve në atelienë e saj të modës, që ndodhet në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Sfilata e fundit ishte e një soji krejt tjetër… “U dedikova një sfilatë të tërë, me punime veshjesh me dorë, gjysheve të reja në moshë. Gjyshet e urta që thurin triko apo çorape për nipërit e tyre, ndërsa për fëmijët kisha zgjedhur disa nga shtëpitë e fëmijës në kryeqytet. Veshje në linja interesante, të përshtatura për kategori specifike shoqërore, gjyshe të reja e fëmijë të braktisur. Doli gjithçka shumë këndshëm…”, përfundon stilistja.

Karriera artistike e Tatjana Isajt
Ajo ka lindur në Përrenjas, por aktivitetin e saj muzikor e ka zhvilluar kryesisht në qytetin e Elbasanit, ku edhe u diplomua në shkollën e muzikës si mezzosoprano, e më tutje punoi si mësuese muzike në vendlindjen e saj. Që në vitin e parë të studimeve ajo u dallua për zërin e veçantë dhe karakteristik, ndaj dhe ftesat për të debutuar nëpër koncerte të ndryshme nuk i munguan. Tatjana mori pjesë në Festivalin kombëtar të 21-të të muzikës, dhe suksesi në këtë kompeticion të rëndësishëm artistik bëri që ajo të merrte pjesë rregullisht në festivale, qofshin ato kombëtare, apo festivalet e pranverës deri në vitin 1991. Ajo ka qenë soliste në ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Isuf Myzyri” në Elbasan, gjithashtu edhe në teatrin “Skampa”. Me përmbysjen e sistemit komunist, ajo emigroi bashkë me të shoqin dhe vajzën në Gjermani, ku prej vitesh është rezidente atje.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura