“Tatimpaguesi shqiptar në piedestal”/ Ish-ministri Mima: Si do të bëhet mbledhja e taksave! Sistemi i gjobave do të rishikohet duke…

Jan 28, 2021 | 13:10
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Ekonomisë në kohën e Partisë Demokratike, Florion Mima në fjalën e tij gjatë prezantimit të planit ekonomik sqaroi me hollësi si do të bëhet vjelja e taksave nga pushteti vendor dhe ai qëndror.

Ai tha se pushteti vendor do të vjelë tatimin e biznesit të vogël, tatimin mbi pasurinë dhe Rentën e Republikës. Ndërsa pushteti qendror Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; Tatimin mbi të ardhurat, akcizat.

Sipas tij, i gjithë sistemi i gjobave e ndëshkimeve do të rishikohet duke e thjeshtësuar e lehtësuar atë.

Fjala e plote e Florion Mimes

Gjatë 8 viteve u imponuan politika fiskale të korruptuara, amatore, çfilitëse për masën e tatimpaguesve të ndershëm, dhe, puthadorëse, për klientët e qeverisë. Sistemi tatimor po shkon në prag të kolapsit për shkak të këtyre politikave dhe të një administrimi skandaloz që lidhje nuk ka me administrimin fiscal perëndimor. PD ka një plan të qartë sesi dilet nga kjo gropë e zezë.  Sipas këtij plani, qysh në ditën e parë në zyrë,  puna kryesore e  Lulzim Bashës dhe ekipit të tij do të fokusohet në bërjen realitet sa më parë të zotimeve të mëposhtme:

  • Thjeshtimi I bazes ligjore duke e bëre atë të qartë, të thjeshtë e të kuptueshme nga cilido tatimpagues. Mijëra faqe ligje, akte nënligjore, udhëzime, forma, deklarata, totalisht të panevojshme, do të zëvendësohen me një kuader ligjor të thjeshtë, të shkurtër, të qartë, të kuptueshëm për t’u zbatuar. Ky kuadër i thjeshtuar do të jetë premisë kryesore në ndihmë të tatimpaguesit për të kuptuar legjislacionin dhe të drejtat që burojnë prej tij si edhe për të përmbushur në mënyrë vullnetare të gjitha detyrimet respektive.
  • Kuadri ligjor i premtuar dhe i miratuar nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë mandatit qeverisës, përveçse kur ndryshimi shkon në të mirë të tatimpaguesit shqiptar. Në 8 vite kemi me qindra amendime, ndryshime, korrigjime etj, që vetëm kanë kontribuar në shtimin e paqartësisë dhe në konfuzionin e përgjithshëm që ekziston në rregullat e të bërit biznes. PD zotohet që kuadri ligjor i miratuar qe ne fillim te mandatit do te ngelet ne fuqi per gjate gjithe kohezgjatjes se mandatit duke rikthyer parashikueshmërinë dhe duke ndihmur në marrjen e vendimeve të duhura nga ana e tatimpaguesve, por edhe e investitorëve të huaj të cilët me tjetër kuadër ligjor bëjne studimet për të ardhur e investuar në Shqipëri dhe me tjetër kuadër ndeshen kur vijnë këtu.
  • Ulja e shkallëve tatimore duke lëne gjithnjë e më shumë fonde në duart e tatimpaguesve, të provuar tashmë si menaxhere më të mirë se burokratët publikë; Ne kemi një trashëgimi që na kujton se përmbushja vullnetare e detyrimeve nga ana e tatimpaguësve rritet sa herë shkallët tatimore ulen. Njëkohësisht,më shumë para në duar të biznesit do të thotë më shumë punësim, më shumë investime, më shumë eksporte dhe rrjedhimisht edhe më shumë të hyra për arkën e përbashkët.
  • Shfuqëzimi i shumicës së taksave vendore e kombëtare dhe konsolidimin e një liste të shkurtër të aplikueshme sipas praktikës më të mire botërore. Ku është e mundur, do të synohet bashkimi i dy a me shumë tatimeve e taksave në një të vetme për të ulur kostot e përmbushjes vullnetare nga tatimpaguesit.

Pushteti vendor do të vjelë tatimet dhe taksat e mëposhtme:

  • Tatimi i Biznesit të Vogël, Tatimi mbi Pasurinë, Rentën e Republikës. Pushteti Vendor nuk do të ketë të drejtën e prezantimit të taksave të përkohshme a për një qëllim të caktuar. Ai do te ketë të drejtë të kërkojë aplikimin e tarifave për shërbimet që ofron, pasi të ketë kostuar më parë të gjitha kostot që kryhen për ofrimin e shërbimit.

Pushteti qëndor do të vjelë tatimet dhe taksat e mëposhtme:

  • Tatimi mbi Vlerën e Shtuar; Tatimi mbi të ardhurat do të përfshijë taksimin e të ardhurave të individit dhe të organizatave biznesore me një shkallë tatimore prej 9%; Akcizat, do të jenë të aplikueshme vetëm për nënproduktet e naftës, alkoolit dhe duhaneve në shkallë tatimore që shkojnë në linjë me praktikën më të mirë evropiane; Kontributi i sigurimit pensional do të jetë në masën 9% të të ardhurave nga paga për punëmarrësin dhe 9% për punëdhëneësin.

PD do të punojë fort që ditën e parë në pushtet për të vendosur  tatimpaguesin shqiptar në piedestal të sistemit dhe kthimin e  inspektorëve dhe trupave të tjera që merren me administrimin e të hyrave publike, në shërbëtorë, në ndihmës, në mbështetës  të tatimpaguesit shqiptar. Pas 30 vitesh të një historiku me ulje e ngritje, tatimpaguesi shqiptar meriton mirënjohje, respekt dhe trajtim me dinjitet për tërë kontributin me miliarda euro për ta bere Shqiperinë një vend më të mirë e më  të begatë. PD është e zotuar për ta bërë këtë. 

I gjithë organizimi funksional dhe territorial i Administratës Tatimore, Administratës Doganore dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore do të rishikohet me fokus:

  • Ofrimin e shërbimit atje ku, dhe atëherë kur e kërkon tatimpaguesi.
  • Deklarimi dhe pagesa online e detyrimeve tatimore do të forcohet për të shmangur dhe ku është e mundur, për të ndaluar fare, kontaktet fizike mes inspektorëve dhe tatimpaguesve.
  • Funksione të përbashkëta si IT, Edukimi i Tatimpaguesve, Investigimi Kriminal, Apelimi, Mbledhja me Forcë e detyrimeve të papaguara etj, do të bashkohen duke i paraprirë krijimit në një fazë të dytë të Administratës së të Hyrave Publike.
  • Kontrolli Fiskal do të merret vetëm me verifikimin e masës së tatimit të deklaruar dhe atij që duhej deklaruar dhe përzgjedhja e deklaratave për kontroll do të bëhet vetëm nga sistemi kompjuterik dhe vetëm kur ka indicie nga metoda indirekte a informacione nga palë të treta..
  • I gjithë sistemi i gjobave e ndëshkimeve do të rishikohet duke e thjeshtësuar e lehtësuar atë duke ndjekur me fanatizëm parimin e ndëshkimit proporcional dhe shkurajimin e tatimpaguesve që me vullnet vendosin të fusin dorën në arkën e popullit.
  • I gjithë sistemi i lëshimit të kuponëve, faturave, librave e regjistrimeve kontabël, deklaratat, formularet etj, do të thjeshtohen me të vetmin synim: reduktimin e kostove burokratike të përmbushjes vullnetare, uljen e kohës së përgatitjes së secilit dokument dhe çlirimin e vëmendjes së tatimpaguesit nga mbajtja e librave e regjistrimeve pa vlerë, në arritjen dhe realizimin e sa më shumë fitimi.
  • Gangrenë e stërgjatur e rimbursimeve të TVSH do të marrë fund duke prezantuar rimbursimin automatik në momentin e kërkesës dhe shpërnguljen e verifikimeve nga para në pas kryerjes së rimbursimit;
  • Kasat fiskale do të përdoren vetëm për qëllimin e mirëmenaxhimit të biznesit dhe vetëm nëse lind nevoja, shteti të konsultohet me të dhënat e ruajtura në memorien e kasës. Të gjitha transferimet periodike të të dhënave, shpesh të panevojshme dhe që pengojnë biznesin, drejt databazave të shtetit do të marrin fund. Vetëdeklarata do të jetë  i vetmi dokument digital sintetik me anë te të cilit biznesi do të  komunikojë nën betim me entet publike.
  • Të gjitha ligjet tatimore dhe aktet respektive nënligjore do të përmblidhen në një Kod Tatimor dhe Dispozita Zbatuese, të ngjashëm me Kodin Doganor. Të dy këto kode, ne një fazë të dytë do të përmblidhen në Kodin e të Hyrave Publike të Shqipërisë. Gjithçka do të arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi me opozitën për t’i dhënë besueshmeri dhe qëndrueshmëri sistemit tatimor shqiptar dhe për të shmangur futjet e duarve të politikës.
  • Në bashkëpunim me organizatat e tatimpaguesve do të reformohet thelbësisht sistemi ankimor duke ngritur Tribunalin Tatimor, një trupë paragjyqësore, e cila do të bashkëkryesohet edhe nga përfaqesues që vijnë nga radhët e tatimpaguesve shqiptarë. Po ashtu të gjithë trupat konsultative qeveritaro-biznesorë, do të bashkëkryesohen nga përfaqësues që vijnë nga radhët e biznesit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura