“Tatimi për profesionet e lira, akt për spastrimin e shqiptarëve”/ Berisha nga Kruja: Rama është si despot që kontrollon të gjitha pushtetet! Veprim makabër…

Mar 30, 2023 | 18:03
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha prezantoi sot në Krujë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Agron kola për kreun e bashkisë së këtij qyteti. Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se kontrollon të gjitha pushtetet, që nga legjislativi deri tek gjyqësori.

saliberisha

Duke komentuar ligjin e ri që u diskutua sot në Kuvend për tatimin mbi profesionet e lira, Berisha tha se ky ishte një akt i mirëfilltë për spastrimin e shqiptarëve.

Sipas ish-kryeministrit, Rama me këtë ligj po i bën gjenocid kontabilistëve, noterëve, avokatëve dhe të gjithë individëve që janë pjesë e profesioneve të lira.

Berisha: Krutanët e kanë të qartë se çfarë katastrofe solli monizmi. Ndër të parët ishin krutanët që e përmbysën. Pas 30 vitesh, njësoj siç e ka thënë Ronald Regan, që demokracisë i mjafton dhe një brez për t’u zhdukur. Demokracia thuajse u zhduk plotësisht. Monizmi në Shqipëri u vendos i bazuar në krimin, vjedhjen e qytetarëve dhe drogën. Të gjitha pushtetet janë në dorë të një njeriu, sot Edi Rama kontrollon më shumë pushtet sesa Ramiz Alia. Sot, ky despot, ky nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe standard. Ky despot kontrollon totalisht pushtetin legjislativ, Presidencën, ushtrinë, policinë, gjykatat. Ky kontraktoi si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare për ta vendosur në kontroll, kryezbuluesin e FBI-së. E përdori si vrasës kundër opozitës.

Qëllimi i tij ishte një Shqipëri pa opozitë. Ky ishte monizmi, ky është monizmi i Edi Ramës. Ai dështoi në këtë vepër makabër. Për ju, idealet demokratike janë idealet më të larta. Ai dështoi se për ju, monizmi është katastrofë kombëtare. Tek pluralizmi, aty ku ndahet me monizmin, aty ndahet liria me shtypjen, demokracia me dhunimin e saj. Bashkohemi sot, çdo demokrat, çdo mbështetës, ftoj këtu çdo socialist të ndershëm, çdo të paparti. Pavarësisht se çfarë mendoni për njërin apo tjetrin.

Ne jemi në monizëm, dhe s’ka të këqija më të rrezikshme sesa ato që të kapin gradualisht dhe të pushtojnë gjithmonë e më shumë. Ne pranojmë gabimet tona. Ne sanksionuam në statut se PD nuk mund të bojkotojë zgjedhjet. Rama mendoi se e kishim formale atë nen. Shtyu vendimin deri në 3 ditë përëpara hapjes së regjistrimit. Ne do marrim pjesë në zgjedhje dhe do përmbysim monizmin e tij. Ne duhet të bashkohemi me çdo shqiptar që ndjen minimumin e dashurisë për këtë vend. Kurrë ndonjëherë, ndoshta që kur është themeluar ky shtet deri sot, Shqipëria s’ka pasur më shumë nevojë se për një grim dashurie nga ne.

Kurrë ndonjëherë, ajo nuk është shkretëtuar me shpejtësi të rrufeshme. Kurrë ndonjëherë, ajo nuk ka humbur në 8 vite 35% të popullatës së saj. Kurrë ndonjëherë, ajo nuk ka humbur nëpër Europë, 937 mijë shqiptarë vetëm në BE. Nga të cilët, 80% nën 30 vjeç. Shqipëria ka apel për çdo shqiptar që ta shpëtojë dhe të mos e braktisin vendin. Kjo realizohet vetëm me ndryshimin. Sot isha në Parlament dhe kishte ardhur ligji. Ishte një ligj për të larguar personat e profesioneve të lira. Spastrim, spastrim. U vendoste një taksë 23%. Gjenocid sepse në Konventën e OKB-së, neni 3 thotë se gjenocid konsiderohet akti kur ti krijon kushte të llogaritshme për ikjen e tjetrit. A s’janë këto kushte për largim kur ti i rrënon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura