Tatimet pranojnë abuzimin me profesionet e lira për vendosjen e kasave, heqin gjobat

Mar 15, 2016 | 9:40
SHPËRNDAJE

Drejtoria e Tatimeve pohon se një memo, hartuar në bazë të informacioneve nga Drejtoria e Apelit Tatimor (DAT) se ka pasur abuzime me gjobat për mospajisje me kasë fiskale për profesionet e lira dhe këto gjoba tashmë janë shfuqizuar.

Në memon e tatimeve thuhet se “DAT, pati shumë ankime ndaj gjobave për mospaisje me kasë të zyrave të konsulencës, të studiove ligjore e kontabile, të ekspertëve kontabël etj të këtyre fushave të profesioneve të lira. Për këtë, Drejtoria e Apelimit Tatimor e studioi mirë problemin dhe doli me një qëndrim të caktuar.

kasa-fiskale-300x200

Ajo i shfuqizoi këto gjoba me argumentin se ligji nuk ngarkon organin tatimor për të përcaktuar se kush biznes duhet të pajiset me kasë fiskale e kush jo. Ligji, këtë detyrë ia ngarkon biznesit. Organet tatimore kanë detyrë të ndjekin zbatimin e ligjit. Në se ndonjë prej këtyre bizneseve arkëton para cash, organi tatimor vendos penalitetet në bazë të ligjit. Të gjitha bizneset pa përjashtim janë të mundshme të kontrollohen se si i bëjnë arkëtimet e tyre. Përveç kësaj, publikuam edhe një vendim përgjithësues në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.

Nga shtatori, kur filloi aksioni anti informalitet, profesionet e lira u gjendën nën presionin e tatimorëve për t’u pajisur me kasa fiskale, pavarësisht faktit nëse ato bënin pagesa cash apo jo. Kjo krijoi dhe konflikt mes tyre e tatimorëve, pasi neni Neni 55 i ligjit për Procedurat Tatimore e përcakton qartë se “Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të fusin dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor”.

Përfaqësuesit e biznesit iu trembën atëhere faktit se këto raste, ku ligji lë shteg për intepretime, mund të bëhen shkas për keqpërdorime nga ana e tatimorëve dhe vendosjen e gjobave, në emër të luftës ndaj informalitetit.
Frika e tyre u vërtetua shpejt dhe bizneset rezulton se janë bërë subjekt i gjobave të pamerituara, që tashmë tatimet po detyrohen t’i shfuqizojnë.

Burimi: Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura