Tatimet nuk gjetën evazion te “Birra Tirana” dhe “Korça”! Shpikën një gjobë për konsumin e lëndës djegëse. Ja pse mashtron Belinda Balluku nga foltorja e Kuvendit

Mar 28, 2023 | 7:42
SHPËRNDAJE

Në sulmin e saj ndaj “Hysenbelliu Group”, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u përpoq të mashtronte publikun në një tentative për të mbrojtur bashkëpunëtorin e saj të afërt, drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, i cili është në krye të operacionit për të vendosur gjoba ndaj kompanive në pronësi të “Hysenbelliu Group”.

belindaballuku

Duke imituar deri mimikën e shefit të saj në qeveri, Balluku foli në Kuvend për gjobën ndaj “Birra Tirana” dhe “Birra Korça”, për të cilën tha ato nuk kanë paguar taksat. “Në qoftë se ti je pronar mediash nuk do të thotë që në qoftë se ke një linjë prodhimi ushqimore të mos paguash taksat”, tha Balluku në Parlament.

Por, e vërteta është krejt ndryshe, “Birra Tirana” dhe “Birra Korça”, kanë shlyer të gjitha detyrimet fiskale, dhe grupeve të kontrollit tatimor iu deshën të sajonin marifete nga më të pa imagjinueshmet vetëm që të vendosnin gjobat e paracaktuara, ashtu siç ishin urdhëruar nga Ceno Klosi. Kontrollet e tatimorëve, nuk gjetën asnjë të dhënë apo provë për evazion fiskal, ashtu si nuk u gjet asnjë shishe birrë pa pullë akcize.

“Birra Tirana” dhe “Birra Korça” kanë të dokumentuara shlyerjen e të gjitha detyrime fiskale, ndërsa grupet e kontrollit shpikën një skemë gjobitje prej miliona euro të padëgjuar më parë, ku kompanitë u ndëshkuan pasi sipas tatimorëve me sasinë e lëndës djegëse të konsumuar duhej të ishte prodhuar më shumë birrë.

Nuk është rastësore mbrojtja e Ceno Klosit nga Belinda Balluku në Kuvend, pasi për deklaratat e bëra në sallën e seancave plenare, ajo si qeveritare dhe deputete nuk mban asnjë përgjegjësi penale dhe juridike. Jo pa qëllim përdoret ajo foltore, pasi aty Balluku mund të flasë pa fakte, dhe mund të shpifë çfarë të dojë.

Kur “Hysenbelliu Group” hyri aksioner kryesor te “Birra Tirana” në 2019, kompania kishte 6 muaj pa paguar pagat, ndërkohë që më pas të gjitha detyrimet ndaj punonjësve u shlyen. Po ashtu, disa muaj më vonë kur gjithçka u bllokua me nisjen e pandemisë se Covid19, për “Birra Tirana” dhe “Birra Korça” nuk u dha asnjë fond mbështetës nga qeveria, por të gjithë punonjësit janë paguar.

Madje as kur një zjarr dogji disa pjesë të linjës së prodhimit të “Birra Tirana”, qeveria nuk dha asnjë ndihmë. Nga ana tjetër, “Birra Korça” ka treguesit me të lartë në pagesat e taksave, kundrejt prodhuesve të tjerë të birrës. Por zonjës Balluku i janë errësuar sytë nga hakmarrja ndaj medias që ka denoncuar vjedhjet spektakolare të tenderëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe institucioneve në varësi të saj. Sulmin në Kuvend ajo e bëri personal ndaj “Hysenbelliu Group” por harron se pas gjithë kësaj industrie janë me qindra punonjës që mbajnë me buke familjet e tyre.

“Kemi 4 muaj që rrimë vërdallë, prandaj i lutemi qeverisë, këto gjoba janë të padrejta”, tha një punonjës i “Birra Tirana”. Ndërsa një tjetër u shpreh se “në vend që ta nxisë prodhimin e vendit, ai (Rama) e sulmon. Ne jemi punëtorë, do ushqejmë familjet. Kemi detyrime, kemi ujë drita për të paguar”.

Gjobat absurde ndaj të gjitha kompanive të “Hysenbelliu Group”, kanë vetëm një qëllim që të fundosin kompanitë si hakmarrje ndaj denoncimit të korrupsionit qeveritar, nga “News 24”, “Balkanweb”, “Gazeta Panorama”. Ndërkohë, para disa ditësh, administratori i “Birra Tiranës”, Adrian Kostaqi, deklaroi punonjësit i kanë dërguar një peticion institucioneve shtetërore, Presidentit të Republikës, kryetares së Kuvendit, dhe Komisionit të Apelit Tatimor ku i informojnë mbi sulmet arbitrare me gjoba të mëdha që Tatimet kanë bërë ndaj kompanisë.

Ai u bëri një sfidë të hapur organeve tatimore që të ballafaqohet përpara ekspertëve të pavarur me organet tatimore në komisionin Parlamentar të Ekonomisë, dhe nëse janë bërë shkelje nga ana e kompanisë, është kjo e fundit që do të mbajë përgjegjësi ligjore, por nëse kjo është gjobat janë të qëllimtë nga tatimet, përgjegjësinë do ta mbajnë ata.

“Të mblidhen të gjithë, të krijojnë një grup ekspertësh dhe në prezencë të komisionit të Financave dhe Komisionit të Ligjeve, t’i shqyrtojnë bashkë edhe me ekspertët tanë, kush është motivi që bëhet kjo përllogaritje e gabuar që ne të lirohemi nga kjo barrë e rëndë dhe këta punëtorë të kthehen në vendet e tyre të punës. Ne kërkojmë të drejtën tonë dhe mbajmë përgjegjësitë ligjore në rast se ne kemi bërë shkelje dhe jemi përgjegjës kundrejt çdo institucioni shtetëror. Por ama nëse të tjerët e kanë bërë me dashje apo kanë abuzuar me të drejtat e tyre, edhe ata duhet të mbajnë përgjegjësitë ligjore të tyre. Ne jemi të hapur, nuk kemi frikë nga askush”, tha administratori i “Birra Tirana”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura