Tatimet në “sulm” për arkëtimin e borxheve të biznesit dhe verifikimin e saktësisë së kuponave

Mar 22, 2018 | 11:08
SHPËRNDAJE
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se zhvilloi ditën e Mërkurë datë 21 mars 2018, mbledhjen e “Komitetit Operacional” nr.11 për “Miratimin e Planit Operacional për periudhën Prill – Maj 2018”, të Drejtorisë së Hetimit Tatimor. Ky plan është hartuar në funksion të parandalimit, zbulimit dhe ndëshkimit të evazionit fiskal dhe paligjshmërisë në fushën e tatimeve.

tatimet

Zbatimi i tij do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke pasur si objekt kryesor :

-Arkëtimin e borxheve të krijuara

-Tatimpaguesit aktive që kalojnë në status pasiv, si pasojë e ndryshimit të përgjegjësisë tatimore

-Verifikimin e subjekteve për lëshimin e kuponit tatimor në vlerën reale të produktit/shërbimit krahasuar me listën e afishuar të çmimeve.

Gjithashtu në fokus të punës së Drejtorisë së Hetimit Tatimor për këtë periudhë  do të jenë edhe subjektet që janë të angazhuara në realizimin e punëve publike. Ndërsa në sektorin e ndërtimit kontrollet do të përqendrohen në verifikimin e gjendjes aktuale, si dhe në verifikimin e numrit të punonjësve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar  për të nxitur të gjithë tatimpaguesit që të përmbushin në mënyrë vullnetare të gjitha detyrimet ligjore, por dhe të denoncojnë akte të abuzimit nga ana e administratës tatimore./Monitor.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura