Tatimet, ‘gropë’ dhe në korrik, buxhetit i mungojnë 155 milionë USD

Aug 14, 2015 | 11:02
SHPËRNDAJE

Korriku është një tjetër muaj i dështuar në mbledhjen e të ardhurave në buxhet. Treguesit fiskalë të Ministrisë së Financave tregojnë për një mosrealizim prej 155 milionë dollarë krahasuar me planin fillestar të buxhetit.

Rama dhe drejtoresha e Tatimeve
Rama dhe drejtoresha e Tatimeve
Ndonëse qeveria mund të ketë si argument aktin e fundit normativ, i cili uli të ardhurat dhe shpenzimet në masën 163 milionë dollarë sërish ky plan u miratua vetëm në 29 korrik, çka logjikisht lë këtë muaj jashtë korrigjimit.

TË ARDHURAT
Në total të ardhurat në buxhet ishin 2.15 miliardë dollarë në muajin korrik, ndërkohë që sipas planit fillestar duhet të ishin 2.26 miliardë dollarë. Mosrealizimi është 111 milionë dollarë. Krahasuar me një vit më parë rezulton një rritje e të ardhurave me 90 milionë dollarë. Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat që deri në qershor ishin 134 milionë dollarë minus, në korrik janë 155 milionë dollarë minus krahasuar me parashikimin në buxhet(jo të rishikuar).

Kjo tregon për një thellim të dështimit edhe pse vlen për t’u theksuar që krahasuar me një vit më parë ka një rritje me 25 milionë dollarë më shumë. Dështimi më i madh duket të jetë te Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe kjo lidhet me dy arsye. E para, me një konsum të dobët privat në pjesën e parë të këtij viti e kaluar edhe nga Banka e Shqipërisë dhe e dyta, me listën e lartë të përjashtimeve që është bërë nga qeveria. Këto përjashtime janë parë me shqetësim nga FMN, e cila ka kërkuar që të bëhet një vlerësim paraprak për të nxjerrë edhe sa është vlera e humbur nga kjo politikë e qeverisë. Akciza vijon të mbetet në nivele të ulëta.

tabela
Deri në korrik janë arkëtuar 210 milionë dollarë nga kjo taksë, kurse plani parashikonte jo më pak se 270 milionë dollarë. Kjo në një kohë kur paketa fiskale e këtij viti e parashikonte rritjen e akcizës në disa produkte. Tatimi mbi të ardhurat personale mbetet njëlloj sa një vit më parë me një rritje prej 780 mijë dollarë, kurse taksa doganore është më keq edhe krahasuar me planin edhe krahasuar me një vit më parë.

SHPENZIMET
E gjendur në kushte të larta mosrealizimi te pjesa e të ardhurave, qeveria ka vendosur të mbajë nën kontroll të rreptë shpenzimet. Deri në korrik niveli i shpenzimeve ishte 2.31 miliardë dollarë, ndërsa sipas planit fillestar në këtë muaj ato duhej të ishin jo më pak se 2.54 miliardë dollarë. Pra, konkretisht qeveria ka harxhuar 228 milionë dollarë më pak nga sa kishte parashikuar.

Madje, shpenzimet janë edhe më të ulëta se korriku i një viti më parë me 40 milionë dollarë më pak. Ulja te shpenzimet ka prekur pothuajse të gjithë zërat e buxhetit, por sidomos shpenzimet kapitale. Deri në korrik duhej të ishin harxhuar për investime publike 300 milionë dollarë, por në fakt janë shpenzuar 245 milionë dollarë, plot 54 milionë dollarë më pak.
NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura