Tartufi 1 milion dollarësh vendos rekord të ri

Dec 8, 2014 | 15:09
SHPËRNDAJE

Shirat e këtyre kohërave, me siguri që kanë mërzitur turistët, ama kanë gëzuar të pasionuarit pas tartufit. Këtë fillimdimri, është gjetur një thesar i vërtetë. Përsëri, Italia konfirmohet të jetë atdheu i “tuber magnatum”- siç quhet tartufi i bardhë më i kushtueshëm. Tartufi i bardhë që është gjetur në fillim të nëntorit në pyjet e provincës së Campobasso, ka peshuar gati 1.5 kg (saktësisht 1.483 kg). Sidoqoftë, këtë herë, nuk pati asnjë blerje në ankand sepse tartufi u servir për bamirësi për mijëra njerëz, të shtunën që shkoi, në Savigno, pranë Bolonjës. Por lajmet nuk përfundojnë me kaq. Në ditët e fundit të nëntorit, shirat sollën një dhuratë edhe më të madhe. Një tjetër tartuf të bardhë që peshonte gati 2 kg, i cilësuar si më i madhi në botë. Këtë herë, do të ketë ankand patjetër e do të zhvillohet në fillimin e javës që vjen në New York. Nga informacionet e deritanishme, është mësuar se kanë nisur ofertat që nga Kina deri në Dubai. Vlera? Gati 1 milion USD, çka e bën këtë tartuf të thyejë rekordin e çmimit të shitjeve të deritanishme.

Shportëzat festive
Mesi i tryezave të festës është gjithnjë më i paorganizuari. Për të tjerat, e keni mbledhur mendjen që më parë. Gjelin e keni porositur, mish me siguri… por deri te pjata e tyre, po vrisni patjetër mendjen se ç’të shërbeni si antipasta. Këto shportëza që mund të bëhen prej brumi apo prej djathi parmixhano e që mund të mbushen me ç’të keni dëshirë, janë një ide. Nëse nuk doni t’u hyni punëve për të hapur petë e bërë brumë, mund të përdorni petën e gatshme sfoliat që gjendet në market. Mbushja? Një mund të jetë me perime të kaurdisura, një tjetër me karkaleca e salcë rozë, një tjetër akoma me salmon, kopër e gjizë të ëmbël. Avokadoja me djathë të bardhë e domate është gjithaq një ide e shijshme. Kombinime ka pa fund, e rëndësishme është të piketoni idenë.

Tris idesh festive
Alternativa e mëposhtme është më pak e ndërlikuar nga ç’duket. Për të përgatitur tortëzën dyngjyrëshe, mjafton të përgatisni një bazë pureje patateje dhe ta ndani në dy pjesë. Në njërën të shtoni spinaq, e në tjetrën kungull dimërak. Gjithashtu, mund të përdorni panxharin e kuq ose të tjera perime me ngjyrë të fortë. Erëzat, për secilën mund të jenë të ndryshme në mënyrë që as aroma të mos jetë e njëjtë. Pataten e mbushur e keni po aq të thjeshtë. Përdorni djathërat e proshutrat që ju pëlqejnë. Nëse doni, mund të përdorni edhe peshkun ton. Kërpudha mund të mbushet me copa të vogla mëlçie pule e stika pishe të qëruara e të thërrmuara.

Makarona dhe fasule, pjata ideale e dimrit
Përbërësit për 4 persona të uritur:
300 gr fasule të llojit që preferoni
1 qepë e bardhë
2 degë selino
1 karotë
Domate konservë
Pançetë ose salsiçe të freskëta (nëse doni)
Gjethe dafine
Vaj ulliri
Kripë, piper
200-300 gr makarona (të shkurtra)

Përgatitja:
Vendosni një natë më parë fasulet në ujë. Në momentin që do t’i gatuani shpëlajini dhe janë gati. Ziejini për gati 2 orë me disa gjethe dafine. Ndërkaq, në një tigan, përgatisni bazën. Qepën e grirë jo hollë, karotën dhe selinon. Kaurdisini dhe shtoni më pas domatet me pançetën. Shtoni ujë sipas mënyrës se si do t’i donit. Pra, më tepër nëse i pëlqeni me shumë lëng, dhe më pak në të kundërtën. Zierjen përfundimtare bëjeni me gjithë fasulet. Po aty mund të shtoni për të zierë edhe makaronat ose t’i zieni veç siç bëni përherë, dhe t’ia shtoni në fund. Rregulloni shijen me kripë e piper dhe në fund, në pjatë, shtoni pak vaj ulliri.

Pak gjëra mund të shkojnë aq mirë me njëra-tjetrën siç makaronat me fasulet, ose më mirë, me bishtajorët. Sepse, në vend të fasuleve, mund të jenë edhe thjerrëzat, qiqrat, bizelet etj. Qepa, karota dhe selinoja janë gjithnjë baza. Nëse i shtoni pastaj pak pançetë e domate, nuk do të bëheni “pishman” për menynë që keni zgjedhur. “Gjellës” që përgatitët mund të vendosni t’i jepni trajtë kremi duke e kaluar në mikser, ose ta shërbeni ashtu, duke i shtuar në minutat e fundit të zierjes, makaronat. Dikush e pëlqen të hollë e me më shumë në lëng, duke e bërë të ngjajë më tepër si supë. Të tjerë preferojnë ta konsumojnë me salcë më të trashur. Në të gjitha variantet, përveçse shumë e ushqyeshme (sado që me përbërës aspak të shtrenjtë) është pjatë ideale për dimrin e ftohtë. Me këtë në tryezë, nuk është nevoja për pjatë tjetër shoqëruese. Kujtojmë që këtë recetë mund ta përgatisni shumë mirë edhe në rast se ju kanë tepruar fasulet e përgatitura një ditë më parë. Ruajini në akull nëse doni t’i konsumoni pas, për shembull, 4-5 ditësh.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura