Targat inteligjente të makinave, në luftë kundër krimit

Jan 19, 2020 | 10:57
SHPËRNDAJE

Pellumb Nako 

pellumb nako

Kjo ishte risia teknologjike, të cilën e bëri të ditur ministri i Brendshëm gjatë një interviste televizive. Projekti po pilotohet fillimisht në Durrës dhe në Tiranë, për të vazhduar më pas në gjithë vendin. Kjo metodë do të eliminojë vjedhjen e targave të automjeteve dhe më pas identifikimin e saj në rastet kur përdoret për krime.

Pavarësisht se siç u përmend shkarazi dhe nga vetë ministri, grupet kriminale po përdorin gjithmonë e më shumë vjedhjen e gjithë makinës së bashku me targat e saj. Kjo mënyrë veprimi e tyre, në fakt, e nxjerr jashtë loje efektin parandalues të targave inteligjente dhe të çipave të tyre korrespondues.

Megjithatë, parandalimi asnjëherë nuk mund të jetë i plotë. Në këtë kontekst nuk është e thënë të jesh kritizer dhe të shohësh me sy dyshues çdo risi teknologjike të propozuar nga qeveria në fushën e sigurisë. Ndërkohë, nga ana tjetër, po ashtu nuk mund të rrish pa analizuar e të ngresh pyetje kur bëhet fjalë për një nismë me sfond sigurinë publike që në fund të fundit nga pas ka një faturë financiare, të cilën do ta përballojë qytetari. Sepse ministri foli për të mirat e targave inteligjente dhe jo sa do të kushtojnë ato për secilin përdorues makine. Pra, pyetja që bëhet mbetet ajo klasike. A janë në raport të drejtë efikasiteti i teknologjisë së ofruar për parandalimin e krimit me paratë që do të harxhohen nga qytetarët? Fakti që grupet kriminale nuk kanë nevojë të vjedhin targat, por komplet makinën, është tashmë një indicie negative.

Jo vetëm kaq. Nëse gjërat do të shiheshin në raport me vazhdimësinë e projekteve të ngjashme teknologjike të përqafuara nga qeverisja e majtë gjatë këtyre viteve për fushën e sigurisë, e ardhmja e projektit me targa intelektuale del më pesimist dhe jo aq shumë me përfitim për publikun. Sepse nismat e qeverisjes së majtë në fushën e teknologjisë së sigurisë nuk fillojnë me ministrin e sotëm të Punëve të Brendshme. Ka pasur edhe të tjerë para tij. Edhe para të majtëve ka pasur të tjerë të krahut të djathtë po ashtu. Janë të përfunduara projektet e nisura vite më parë të teknologjisë së sigurisë publike të ndërmarra nga paraardhësit?

Disa syresh janë të financuara nga buxheti i shtetit. Pra, me paratë tona. Disa të tjera janë financuar nga paratë e shtresave sociale, kryesisht të fushës së biznesit, që, nëpërmjet një ligji, ish-kolegët e ministrit aktual i kanë vijon nga faqja 1 detyruar të investojnë në teknologjinë e sigurisë. Pra, përsëri nga xhepi i qytetarëve. Dhe sa do të ecet kështu? Dhe sa do të vazhdohet duke paguar? Kush do t’u japë përgjigje taksapaguesve se pas këtyre risive teknologjike, parametrat e sigurisë së tyre janë rritur apo janë ulur? Ndihen ata më të sigurt apo duhet të vazhdojnë e të paguajnë? Kush e ka matur këtë gjë?

Pozat prej kompetenti në televizion nuk të japin më shumë siguri. Sepse nëse do t’u hidhnim një sy në retrospektivë gjithë nismave të paraardhësve të ministrit aktual të Punëve të Brendshme në fushën e teknologjisë kundër krimit, do të rezultonte se shefat politikë të kësaj ministrie ndër vite, më shumë janë paraqitur si përfaqësues të firmave që zotërojnë teknologjinë që ata dëshirojnë të integrojnë sesa si përfaqësues të interesave publike për luftën kundër krimit. Dhe kjo ka arsyet e veta që ligji antishpifje i ndalon rreptësisht të shprehen se cilat janë. Vite më parë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, paraardhës i gjeneralit, filloi me bujë të madhe projektin e tij teknologjik të kamerave të trupit për punonjësit e Policisë. (Këtë gjë e kam cituar edhe më parë.)

Edhe ai e filloi shtruar. Projekti do të aplikohej fillimisht në Tiranë e më pas do të mbulonte gjithë Shqipërinë. Madje, ministri i asaj kohe theksoi se nisma ishte e para në Ballkan. Teknologjia që parashikohej të përdorej po merrte përmasat e një instrumenti, i cili do të vinte para përgjegjësisë institucionet kompetente në luftën e tyre kundër krimit. Pak a shumë, të njëjtat fjalë si të gjeneralit në rastin e prezantimit të projektit të targave të tij të mençura. Dihet që aktualisht ato kamera po përdoren gjithmonë e më pak. Dhe pavarësisht premtimit solemn, zhurmëmadh, ato nuk janë shtrirë mbi gjithë territorin e Shqipërisë.

Fatura financiare që i ndoqi pas, pa dyshim që nuk i bën më kujt përshtypje. Ministri aktual nuk u pa të thoshte ndonjë gjë për këtë. Një nismë kjo e lënë për gjysmë. Pra, do të ishte më e udhës që ministri ynë i sotëm të vazhdonte deri në fund projektin e nisur nga paraardhësi i tij? Për ta përhapur projektin e nisur në gjithë vendin si praktikën më të mirë. Njëkohësisht, duke garantuar pasurimin e mëtejshëm teknologjik të saj. Po ashtu, t’ua nënshtronte analizave rreth efektshmërisë në drejtim të transparencës së veprimeve policore dhe të luftës kundër krimit, duke përmirësuar edhe procedurat standarde të përdorimit. Por ministri i sotëm nuk e bëri këtë gjë.

Atëherë, ose paraardhësi ia kishte futur kot dhe gjithçka u la përgjysmë, me gjithë paratë e harxhuara, ose gjenerali preferon teknologji nga ndërmarrje tjetër. Në atë takim për nismën e kamerave të trupit, ishte edhe vetë Kryeministri. Ai foli për vendosje kamerash inteligjente në akset kryesore të vendit. Janë vendosur këto kamera kudo ku ka thënë shefi i qeverisë? Do të ishte më mirë që ministri i tanishëm të saktësonte se ku konsistonte ky projekt i njoftuar nga shefi i tij dhe më pas ta materializonte apo të fillonte edhe ai me diçka tjetër? Pra. me targat inteligjente, po aq të mençura si dhe kamerat e Kryeministrit.

Edhe në fushën e teknologjisë së sigurisë, duket qartë që qeverisja e sotme nuk ka as vazhdimësinë e duhur dhe as vizionin më minimal për të harxhuar me kriter paratë e njerëzve të thjeshtë. Për të rritur sigurinë e tyre. Më shumë ata duken të interesuar për të zbrazur magazinat e bizneseve të teknologjisë e për të na u shitur si strategë të pagabueshëm në të mirën tonë qytetare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura