“Tarasconi solli 150 napolona flori, anglezët na sugjeruan të bënim sabotim duke i vënë zjarrin në Kuçovë…”/ Ja dëshmia e italianit në gjyq

Nov 23, 2020 | 7:34
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloci/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme të cilat i përkasin dosjes hetimore dhe gjyqsore të të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve”, ku bënin pjesë 24 të pandehur dhe midis tyre emra dhe personalitete të njohura të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e më pas deputetë të Parlamentit Shqiptar apo në Kryesinë e Frontit Demokratik të Shqipërisë të kryesuar nga gjeneral-kolonel, Enver Hoxha, si Shefqet Beja, Dr. Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, etj., të cilët u nxorrën para një gjykate ushtarake të kryesuar nga major Niko Çeta dhe prokuror, Josif Pashko.

dossier

Cilat ishin akuzat e formuluara nga ana e trupit gjykues ndaj 24 të pandehurve: Shefqet Beja, Enver Sazani, Sheh Ibrahimi (Karbunara), Selaudin Toto, Irfan Majuni, Tefik Deliallisi, Hysen Shehu, Salim Kokalari, Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Gjovalin Vlashi, Rustem Sharra, Xhevat Xhafa, Rram Marku, Beqir Çela, Riza Alizoti, Sulo Klosi, Saggioti Paolo, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Shefki Minarolli, Pertef Karagjozi, Mehmet Prishtina dhe Agathokli Xhitoni?

Çfar deponuan gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor të pandehurit e “Grupit të Deputetëve”, lidhur me: organizimin e tyre, degët që kishin nëpër rrethe të ndryshme të vëndit, njerzit që i kryesonin ato, lidhjet me grupet e rezistencës antikomuniste që ishin në arrati, apo eksponentë nacionalistë të Ballit dhe Legalitetit që ndodheshin në kampet e Italisë, mbështetja që ata kishin nga anglo-amerikanët dhe misionet e tyre që vepronin në Shqipëri, lidhjet me ushtarakë të lartë madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe asaj të Punëve të Brendëshme, e deri tek njerëz me funksione të larta, pranë Enver Hoxhës, etj.

Dokumentet që po publikojmë në këtë shkrim i përkasin dosjes gjyqësore dhe hetimore, të të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve” që u arrestuan dhe u morën të pandehur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u vunë në bangon e të akuzuarëve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq i cili u zhvillua në Kinema “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data 4 deri në datë 27 shtator, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona, ku pjesa dërmuese e tyre ishin personalitete të njohur të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë të njohur, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre si: Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Paralamentit Shqiptar, të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste e kryesuar prej Enver Hoxhës.

Përveç këtyre tre personave tepër të njohur si nacionalistë dhe me popullaritet mjaft të madh në të gjithë vëndin dhe që ishin krerët e atij grupi të pandehurish, të njohur si “Grupi i Deputetëve”, edhe një pjesë e madhe e tyre ishin antizogistë dhe kishin mbështetur apo kishin marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po kështu në përbërje të atij grupi kishte dhe intelektualë të tjerë dhe tregtarë të ndryshëm, të cilët nuk kishin aderuar në asnjë nga tre forcat politike (Balli, Legaliteti dhe Partia Komuniste) gjatë periudhës së Luftës, por që ishin brymosur dhe kishin përqafuar idetë liberal-demokrate të vëndeve Perendimore ku kishin studjuar, duke pasur prirje të theksuara antikomuniste.

Procesi gjyqësor i “Grupit të Deputetëve” i cili filloi me një pomozitet të madh nga ana e propagandës së regjimit komunist, duke vënë në dispocizcion të gjithë arsenalin e saj me radio, gazeta dhe afishe të ngjitura nëpër mure, për nga përmasat e rëndësia e tij, ishte procesi i dytë më i madh i zhvilluar deri në atë kohë që nga mbarimi i Luftës. Proçesi i parë gjyqësor ishte zhvilluar në marsin e vitit 1945, i njohur si “Gjyqi Special kundër kriminelëve të Luftës” dhe në bankon e të akuzuarëve të atij gjyqi, kishin dalë 64 persona, ku pjesa më e madhe i tyre kishin mbajtur funksione të larta në të gjitha qeveritë shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit, e deri tek ato nën pushtimn gjerman, si deputetë, kryeministra, ministra, prefektë, kryetarë bashkish, ambasadorë, ushtarakë të lartë etj.

Ndryshe nga Gjyqi Special i marsit të vitit 1945, ku gjykoheshin si të pandehur të gjithë ata persona të cilët regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur si “armiq e kriminelë lufte”, procesi gjyqësor i Grupit të Deputëtëve, që filloi në katër shtatorin e vitit 1947, kishte një ngarkesë akoma më të madhe politike e sociale, e interes të jashtëzakonshëm, pasi aty gjykoheshin një pjesë e atyre personalitëteve që kishin aderuar brenda rradhëve të Frontit Demokratik, që e udhëhiqte Partia Komuniste e sapoardhur në pushtet.

Nga dëshmi të ndryshme të marra si nga ana e familjarëve të “Grupit të Deputetëve”, ashtu dhe nga ish-ushtarakët e Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, pothuaj gati të gjithë të pandehurit e atij grupi, gjatë procesit hetimor i janë nënshtruar torturave nga më ç’njerzoret në mënyrë që të pranonin akuzat që u ngarkoheshin nga ana e hetuesëve. Ajo shihet qartë edhe nga dosja gjyqësore e atij procesi, ku disa nga të pandehurit gjatë gjykimit të tyre i kanë mohuar ato dëshmi që kanë dhënë gjatë hetuesisë, duke u shprehur me fjalët: “Nuk kemi qenë në gjëndje dhe i kemi firmosur ato”.

Përveç atyre dëshmive të mohuara në atë proces gjyqësor, nga ana e të pandehurve të atij procesi ka edhe shumë dëshmi të tjera, ku flitet për aktvitetin dhe veprimtarinë e tyre antikomuniste, të filluar që nga periudha e Luftës e deri në atë kohë që u arrestuan, ku Sheqet Beja, Enver Sazani, Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Tefik Deliallisi, Sulo Kloso, Salim Kokalari, Beqir Çela etj., kanë pranuar të gjithë aktivitetin e tyre që synonte rrëzimin e Qeverisë Komuniste të Enver Hoxhës. Po kështu në atë dosje gjyqësore shihet se të pandehurit kanë pranuar edhe lidhjet e bashkëpunimin e tyre me misionet anglo-amerikane të kryesuara nga Harry Fultz dhe gjenerali Hodgson, si dhe lidhjet me eksponentët kryesorë nacionalistë të Ballit e Legalitetit, që ishin në mërgim apo në arrati nëpër male.

Përveç shumë dëshmive të bëra nga të pandehurit e atij procesi gjyqësor, (gjithnjë duke i’u referuar dosjes në fjalë), ku tregohen lidhjet e tyre dhe aktiviteti antikomunist për rrëzimin e regjimit komunist, një nga dëshmitë më interesante në atë gjyq, është ajo e bërë nga Tefik Deliallisi, ku ai tregon për bisedën e bërë në shtëpinë e Ymer Keçit në Tiranë, ku Ymeri i ngarkoi Hamdi Kacolles, (njeriut që shërbente pranë Myslym Pezës) atentatin ndaj gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës e Koci Xoxes, gjatë vizitës që ata do të bënin në Pezë.

Ndonëse Memorie.al disponon të gjithë dosjen e plotë gjyqësore të këtij grupi, e cila përbëhet nga 173 faqe të daktilografuara dhe është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendosëm që të publikojmë vetëm disa nga pjesët kryesore të saj, duke i dhënë ato në variantin original, ashtu siç ndodhen në dosjen përkatëse.

Proces-verbali i zhvillimit të gjyqit të “Grupit të Deputetëve”

Trupi Gjykues
Kryetar: Major Niko Çeta
Anëtar: Kapiten I-rë, Nexhat Hyseni
Kapiten II-të, Mustafa Iljazi
Kryesekretari: Aspirant Thoma Rino
Prokuror: Zv/ Prokuror i Përgjithshëm, Josif Pashko

Të pandehurit

  1. Shefqet Beja
  2. Enver Sazani
  3. Sheh Ibrahimi (Karbunara)
  4. Selaudin Toto
  5. Irfan Majuni
  6. Tefik Deliallisi
  7. Hysen Shehu
  8. Salim Kokalari
  9. Sulo Konjari
  10. Ramazan Tabaku
  11. Gjovalin Vlashi
  12. Rustem Sharra
  13. Xhevat Xhafa
  14. Rram Marku
  15. Beqir Çela
  16. Riza Alizoti
  17. Sulo Klosi
  18. Saggioti Paolo
  19. Foto Bala
  20. Abdyl Kokoshi
  21. Shefki Minarolli
  22. Pertef Karagjozi
  23. Mehmet Prishtina
  24. Agathokli Xhitoni

                                                                                                                Aktakuza

Deponimet e Paolo Saggioti: “Djegia e rafinerisë në Kuçovë”

Vazhdon dëshmia e italianit Saggioti: Neve kemi organizuar personelin italian në mënyrë që të ishin gati gjithashtu kemi formuar dhe grupe nga personeli nënpunës dhe teknik. Komiteti përbëhej nga Tarascon, Kati, unë dhe Don Pietro dhe gjithsecili nga kryetarët e grupeve kryesore ishte ngarkuar të drejtonte grupin përkatës në punët e sabotimit. Neve do të propagandonim në personel për ngadalësimin dhe sabotimin e punimeve dhe të propagandonim kundër Qeverisë. Unë kisha sektorin e prodhimit. Arshiva sekrete më duket se ka kaluar në duart e Dom Pjetrit. Kjo arshivë kishte korrespondencën që mbante vetë inxhinier Taraskoni, dhe që ishin çështje me rëndësi që nuk kishin të bënin me korrespondencën ordinere. Se çfarë përmbante nuk e di.

Inxhinier Taraskoni ka ardhur në Tiranë në muajin nëntor 1944 për t’u takuar me Misionin anglez dhe të merrej vesh me kryetarin e aciendave italiane në mënyrë që të kordinoheshin punët dhe të përpiqeshin të shpëtonin acjendat e tyre. Kurse u kthye nga Tirana Taraskoni më tha se kishte lajmëruar anglezët mbi gjitha çka ngjiste në Kuçovë dhe se kishte biseduar me të gjitha drejtorët e acjendave në Shqipëri në mënyrë që të kordinoni punët. Ai është takuar dhe kishte biseduar me Simonçinin e të tjerë, dhe qëllimi i tyre ishte që të bashkëpunoni të gjithë acjendat dhe në mbrojtjen e anglo-amerikanëve të mundoheshin të shpëtonin pasuritë italiane në Shqipëri.

Tarasconi nga Tirana pruri 150 napolona ar, të cilat u shpërndanë ndërmjet personelit dhe një pjesë e mbajti Taraskoni për nevojat eventuale. Unë mora 25 napolona flori. Më 24 Dhjetor neve kemi marrë vendim që në distilerinë nr.2 të bëhej një sabotim sipas sugjerimeve të anglezëve. Sabotimi do të bëhej në mënyrë që me një anë të vihej zjarri me një anë tjetër të derdhej benzinë kështu që zjarri do të zbriste deri në distileri.

Për djegjen neve njoftuam anglezët, të cilët na lajmëruan që të pritnin derisa ata të na njoftonin ditën, të cilën e caktuan nga mesi i janarit dhe na njoftuan me anën e Simonçinit. Në fillim menduam të djegim mbeturinat e karburantit që kishin dalë përjashta dhe kështu zjarri do të arrinte deri në distileri ku do të hapeshin tubat e gazit dhe zjarri do të përhapej.

Ky zjarr u vu porse u shua me ndihmën e punëtorëve; të ushtarëve dhe të komisarit i cili shkoi në vend më të shpejtë. Veprimet në përgjithësi kryesisht sipas udhëzimeve të anglezëve porse ky ishte një rast që u paraqit në çast dhe neve vepruam. Në këtë kohë në Kuçovë u arrestua Tarasconi dhe Kati dhe me rastin e arrestimit të tyre neve patëm një trembje të madhe.

Më vonë u arrestuan dhe disa të tjerë porse neve e vazhduam aktivitetin tonë. Në kryesi kishim dhe inxhinier Riza Alizotin i cili ka ardhur në Kuçovë në muajin nëntor dhe mori pjesë në grup pas mbas mbërritjes atje. Në grupin tonë bënin pjesë dhe profesori Zyber, Doktor Dakua, e Inxhinier Sulo Klosi.

“Lidhjet e Grupit me Qendrën në Bari”

Mbi pyetjen e Prokurorit i pandehuri tha:

Inxhinier Riza Alizotin e futëm në kryesi mbasi ishte rekomanduar nga misioni anglez. Mbas Taraskonit gjithë punën në dorë e mori ai. Inxhinier Alizoti qe kryetar i përgjithshëm në drejtimin e punimeve. Kurse Taraskoni erdhi në Tiranë në muajin nëntor pruri një radio transmetuese, të cilën e kishte marrë nga misioni anglez; me anën e së cilës u vumë në kontakt me Barin. Këtë në fillim e përdorte vetë Taraskoni dhe mandej unë. Radion e kishim vendosur në podrumin e shtëpisë dhe kjo kaloi në dy tre duar si në spital e gjetkë. Me anën e kësaj lidheshim me Barin. Lidhjet me Tiranën i mbante Taraskoni dhe Alizoti.

Informatat që neve jepnim me anën e Radios qenë mbi punimet që bëheshin në Kuçovë dhe mbi gjendjen tonë. Ata na lajmëronin se situata në Shqipëri do të ndryshojë në bazë të ndihmave të anglo-amerikanëve dhe që neve të vazhdonim të mbanim lidhje me misionet në Tiranë. Inxhinier Tarasconi si mori radion nga misioni anglez, bëri një letër dhe e dërgoi në ishte e vogël porse punën na e mbaronte. Para se të më binte mua në dorë radioja, Radio-Bari njoftonte orët kur neve do të transmetonim. Radion neve e mbajtëm deri në muajin shtator dhe mandej e shkatërruam mbasi nga Bari na lajmëruan që situata po sqarohet me qënë se është duke u bërë traktati i paqes.

Inxhinier Klosi ka ardhur në Kuçovë në muajin Fruer 1945 dhe qysh atëhere ka vazhduar të vijë shpesh herë. Ky ka marrë pjesë në një mbledhje që është bërë në muajin Mars. Puset e ujit ishin caktuar të bëheshin nëpër zona ku nuk kishte fare ujë ose ku kishte pak, me qënë se ky lloj punimi, që përpos të tjerëve kishte dhe qëllim propagandistik, të mos realizohej. Mbas Taraskonit dhe Katit u arrestua kujdestari i shtëpisë dhe një tjetër. Me arrestimin e Taraskonit kanë ardhur në Tiranë dy veta të ngarkuar nga Komiteti që të lajmëronin Simonçinin dhe Gjeneral Piçinin që ndodhej këtu.

Me këtë rast anglezët na kanë njoftuar që puna e sabotimeve duhej të vazhdonte si më parë. Lidhjet me misionin anglez i kemi mbajtur deri në muajin shtator të vitit 1945 dhe mandej u lidhëm me misionin amerikan. Tentativat e para me amerikanët i kemi bërë me ndërmjetësinë e Inxhinier Riza Alizotit në muajin korrik dhe Gusht të vitit 1945. Ne lidheshim me Fultzin, me të cilin kishim kontakte verbale inxhinier Alizoti dhe profesor Xyber. Në gusht të vitit 1945 kemi sabotuar në puset e ujit, në distileritë, në rindërtim dhe në sektorët e tjerë.

Dëshmia e Dr. Enver Sazanit

Sot ditën dhe orën e caktuar Këshilli u formua si më parë, i asistuar nga Kryesekretari Aspirant Thoma Rino, dhe me ndodhjen prezent të Prokurorit Josif Pashko.

Të shoqëruar rregullisht u sollën nga burgu të pandehurit dhe duke qenë të lirë u vunë në vendin e posaçëm, kështu filloi gjykimi rregullisht dhe botërisht.

U morr në pyetje i pandehuri Enver Sazani, ju caktua si avokat mbrojtës z. Spiro Stringa, dhe e pranoi.

Ju këndua akt-akuza e Prokurorit dhe tha që e pranon.

Mbasi u pyet deklaroi:

Aktivitetin kundër popullit e kam filluar në fund të korrikut 1945. Më përpara kam biseduar me Shefqet Bejën dhe Salim Kokalarin, të cilët më janë shfaqur kundër Pushtetit. Në fillim të vitit 1945 kanë ardhur në shtëpinë time Shefqet Beja, Salim Kokalari, e Sulo Konjari, të cilët më propozuan për të formuar një organizatë kundër Frontit. Këtë aktivitet e kishin filluar qysh në Kongresin e Beratit, porse mua më kanë thënë në korrik të vitit 1945. Kur unë u largova nga ushtria dhe duke qenë ca ditë i sëmurë erdhi Shefqet Beja, i cili duke ditur që unë isha dëshpëruar për largimin që më bënë, më tha: ja se çfarë bën pushteti dhe filloi të më flasë kundër tij.

Mbledhja e parë ku unë mora pjesë u bë në shtëpinë e Tefik Deliallisit në korrik të vitit 1945, dhe ndodheshin: Shefqet Beja, Kol Kuqali, Kosta Boshnjaku, Salim Kokalari, Selaudin Toto, unë, Hysen Shehu dhe Tefik Deliallisi, këtu e mori fjalën Shefqet Beja, i cili tha se Riza Dani ishte lidhur me të arratisurit dhe se të arratisurit kërkonin ndihma; me këtë rast Kol Kuqali tha se anglo-amerikanët na kanë premtuar ndihma porse duhet të organizohemi dhe të zgjerojmë rradhët.

Këtu u formua kryesia me kryetar Kostë Boshnjaku, dhe n/kryetar Shefqet Beja e Kol Kuqali, dhe Selaudin Totua sekretar. Mua m’u ngarkua të punoja me mjekët dhe me elementë të tjerë që unë kisha mundësi. Qëllimi i krijimit të kësaj organizate ishte që të rrëzonte pushtetin me ndihmën e anglo-amerikanëve dhe ndihmën e të arratisurve./Memorie.al

Vijon nga numri i kaluar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura