TAP “mbledh” ministrat dy javë para vendimit

Jun 13, 2013 | 13:32
SHPËRNDAJE

Ministri Bumçi gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm në Dubrovnik në mbështetje për TAP
Ministrat e Jashtëm të vendeve ku kalojnë projektet e gazsjellësve Transadriatik dhe atij Jonian, u takuan në Dubrovnik dje, për të shprehur edhe një herë mbështetjen e këtyre projekteve. Ky takim ndërministror vjen dy javë para vendimit final të konsorciumit të Shah Deniz, ku pritet të vendoset edhe se cili do të jetë projekti që do të transportojë gazin azer drejt Europës. Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e gjashtë vendeve janë shprehur se takimi në Kroaci erdhi për të treguar angazhimin politik dhe mbështetjen e plotë për Gazsjellësin Transadriatik. “TAP është planifikuar të transportojë gazin e Azerbajxhanit nga Greqia për në Itali nëpërmjet Shqipërisë – si një pjesë integrale e korridorit jugor të gazit dhe, sipas nesh, është alternativa më e favorshme nga ana tregtare”, thuhet në deklaratë. Në takimin e djeshëm ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, si vende ku kalon projekti TAP, por edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë dhe Malit të Zi dhe Bosnjë- Hercegovinës. Një ftesë e veçantë në takim ka qenë e rezervuar për Turqinë, Azerbajxhanin dhe Komisionin Europian si aktorë të rëndësishëm. Ministrat e Jashtëm kanë marrë angazhimin që të zhvillojnë tregun e gazit në vend si një hap që duhet të ecë njëkohësisht me ngritjen e gazsjellësve.
HYN NË LOJË IZRAELI
Gazsjellësi Transadriatik po shihet me vëmendje nga Bashkimi Europian si një alternativë mjaft e mirë për të përfituar nga rezervat e gazit të Izraelit. Deklarata vjen as më pak e as më shumë sesa nga zëvendëspresidnetja e Këshillit të Rregullatorëve të Energjisë së Europës, Valeria Tremini, e cila ka mbajtur një takim me kreun e Ministrisë së Energjisë dhe ujit në Izrael. Mundësia e transportit përmes TAP do të ishte një mënyrë e mirë sipas Treminit që t’i kursente para Izraelit për të mos ndërtuar një linjë të re, që vlerësohet se do t’i kushtonte 7-10 miliardë dollarë, ndërkohë që lidhja me TAP do i kushtonte vetëm 2- 3 miliardë dollarë. Pengesa e vetme në këtë mes është vendimi i Izraelit pro eksportit, vendim ky që pritet të merret në javët e ardhshme.

PROJEKTI
Gazsjellësi TAP është parashikuar afërisht 870 kilometra i gjatë dhe 550 kilometra kalojnë në Greqi, 210 në Shqipëri, 15 nëpër detin Adriatik dhe 5 kilometra në Itali. Aksionerët e këtij projekti janë zvicerani Axpo me 42.5%, norvegjezi Statoil me 42.5% dhe gjermania E.ON Ruhrgas me 15%.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura