“Tani kemi qeverinë Balluku, Rama nuk shkon në mbledhje me ministrat”/ Berisha për zhvillimet në Parlament: I them kryeministrit, s’ka parë gjë akoma

Feb 3, 2023 | 20:00
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kreu i qeverisë, Edi Rama nuk merr pjesë në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Sipas tij, Rama ia delegon drejtimin e këtyre mbledhjeve, në kundërshtim me Kushtetutën, zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kreu i PD-së paralajmëron se opozita do të vijojë betejën e saj në Parlament, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për t’i përjashtuar.

Berisha tha gjatë mbledhjes me krerët e degëve të PD-së në Tiranë se Edi Rama nuk ka parë gjë akoma.

Berisha: Edi Rama me kancelarin e tij, nuk lejon regjistrimin. Mendon se do të na përjashtojë në këtë mënyrë. Në këtë mënyrë, e çon vendin në një përballje të madhe. Ne do marrim pjesë në këto zgjedhje dhe do i fitojmë zgjedhjet. Ne jemi njerëz të betejës dhe jo të bojkotit. Aty në Parlament, i them s’ke parë gjë akoma me rezistencën tonë. Nuk e lëshojmë ne Parlamentin. Parlamenti është i qytetarëve, jo i horrave dhe kriminelëve. Do qëndrojmë aty, me një rezistencë shumë herë më të fuqishme se sa kanë parë qytetarët deri më sot.

Parlamenti, me ligj dhe Kushtetutë, është për t’i dhënë mundësi opozitës të kontrollojë qeverinë. Dhe jo për ta përjashtuar ashtu siç do ai me Lindën e tij. Ne dorëzojmë ligje, sepse qytetarët presin nga ne, jemi ligjbërës. Ata thonë se çfarë ligjesh po dorëzojmë ne në Parlament. Me urdhër të Ramës, Linda i fut ligjet tona në sirtar. Ka rregullore aty.

Ky është Parlamenti sot. Kërkojmë të ngremë një komision parlamentar për udhëtimet me charter. Ka marrë pjesë nga 49 mbledhje të qeverisë në vetëm 19. Me çfarë merret? Vetëm me vjedhje. Si mund të ndodhë. Tani kemi vetëm qeverinë Balluku. E merrni me mend vetë se çfarë është. Ky s’pyet asgjë. Pjesëmarrja në mbledhje qeverie është detyrim Kushtetues. Përcakton raste të rralla kur mund të delegojë mbledhjen. Ndaj dhashë dhe këtë shembull.

Mbrëmë deklaroi se nuk do shkojë më në Parlament. Le të mos vijë, por ne Parlamentin nuk e lëshojmë pa bërë publike çdo gjë që kjo qeveri u bën qytetarëve shqiptarë. Fliste aty me gjuhën e një halabaku ordiner. Tani thotë nuk shkoj më unë aty. Pse të vij ai? Ai mendon se është shteti. Nuk lejoi komisionin hetimor parlamentar për “Ramagate”. Ne do krijojmë komisionin, do bashkëpunojmë, do japim çdo kontribut në hetimin e këtij problemi. Janë dy dosje, dosja e Neë York, dhe një dosja në Tiranë.

Duke folur për çështjen “McGonigal”, Berisha paralajmëroi se ka edhe zyrtarë të tjerë që janë të korruptuar si ai.

Sipas Berishës, ka sot zyrtarë të huaj që përsërisin “fjalët” e Taulant Ballës, teksa e akuzoi këtë të fundit si një trafikant ordiner që i del emri në çdo telefonatë të grupeve kriminale.

Berisha: McGonigal nuk është i vetmi zyrtar i korruptuar. Ju garantoj se ka të tjerë dhe të tjerë. Ka sot personalitete që përsërisin fjalë për fjalë deklaratat e Taulant Ballës. A ka gjë më të rëndë të një trafikanti ordiner, që i del emri në çdo telefonatë të grupeve kriminale. Mirëpo, paguhen. Dorian Duçka është një nga supermafiozët e Europës. Tha Rama dje që më duhet për lidhje sepse ka lidhje të shumta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura