“Talent i jashtëzakonshëm si Kadare”, Sinani: ‘Nobeli’ të mbajë qëndrim autokritik

Jan 29, 2020 | 12:47
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Koha rrjedh, vepra mbetet. Letërsisë së Kadaresë, vitet, sikundër verës së mirë, duket se i shtojnë vlerat.kadare akademia

Përmes veprave të shkrimtarit, matanë Shqipërisë mësohet për këtë vend të vogël ishkomunist, të aftë për të rritur një talent letrar të përmasave të tilla, që mund “ndeshet” kokë më kokë me gjigantët e letërsisë. Për djaloshin e dikurshëm që thurte vargje ëndrrash në rrugën “Palorto” të qytetit të gurtë, në këtë datëlindje të 84-t ndoshta mund të thuhet se kryevepra më e madhe është jeta e tij, barrierat letrare që rrëzoi përpara një sistemi, që kryefjalë kishte izolimin e tjetrit që pasoi… pa menduar lobimin e demokracisë përmes artit e kulturës.

Ndonëse shkrimtari, jo fort i përzemërt me zhurmat e datëlindjeve, qëndron prej kohësh i tërhequr nga diskutimet e vëmendja mediatike, Akademia e Shkencave dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ditën e djeshme thanë dy fjalë më shumë për vlerat e veprës së tij. Akademiku Shaban Sinani, njëherazi studiues i Kadaresë, nuk ka dyshime kur shpjegon se pse emri i propozuar është ai i Kadaresë.

“Mund të ngjajë sikur është një përsëritje rutinë, por ne jemi këmbëngulës për ta ribërë propozimin sa herë na jepet mundësia. Kemi sërish ftesë nga Akademia Suedeze për të propozuar një emër. Jo Kadarenë, por një kandidaturë që mund të jetë e letërsisë shqipe apo e një letërsie tjetër. Nuk është një propozim rutinë, pasi për fat vepra e Ismail Kadaresë vit pas viti ka diçka të re. Siç e dini, vitin e kaluar kishte tri çmime me njohje ndërkombëtare, që e shtrinë gjithë lexuesin e tij në të gjithë hapësirën botërore. Por njëkohësisht ai vazhdon që të ketë vepra të reja. Çdo vit kur bëhet propozimi, ka diçka të re”, thotë akademiku, që prej fundit të dhjetorit mban edhe postin e Sekretarit Shkencor të ASH-së. Shabani tregon se gjatë këtyre viteve nuk kanë munguar përpjekjet e Akademisë për të ndihmuar Shqipërinë të prekë Nobelin në Letërsi përmes Kadaresë.

“Ne jemi përpjekur që të lobojmë vit për vit, sidomos me akademitë simotra në ALLEA. Nuk është shumë e lehtë për ta bërë këtë, mirëpo jemi përpjekur edhe nëpërmjet albanologëve në të gjitha anët e botës. Është një punë, të cilën e kemi bërë në heshtje dhe pasqyrohet në dosjen e Kadaresë, ku propozohet për Nobel. Ka edhe forma të tjera nëpërmjet rrugëve diplomatike”. Në vonesën e Nobelit të Letërsisë për Kadarenë, studiuesi njeh edhe vështirësitë që duhet të kapërcejë Akademia Suedeze për përzgjedhjen e veprës, që do të duhej t’i jepte çmimin shkrimtarit shqiptar.kadare akademia1

“Është një çështje mjaft e ndërlikuar, pasi Nobeli jepet për një vepër. Në të vërtetë, nuk ka Nobel për vepër jetësore, por për një vepër të zgjedhur. Besoj se një prej problemeve të vështira që duhet të kapërcejë Nobeli në rastin e ballafaqimit me kandidaturën e Kadaresë, është lidhur me faktin se vepra më e suksesshme në shkallë ndërkombëtare është ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’, që i ka dhënë përmasën ndërkombëtare edhe letërsisë shqipe. Prandaj, edhe rikthimi te ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ është rikthim gjysmë shekulli pas. Kjo do të thotë që vetë ‘Nobeli’ duhet të shprehë një qëndrim autokritik, për faktin që nuk e ka vënë re në kohën e duhur këtë talent të jashtëzakonshëm të letërsisë europiane dhe botërore”, thotë më tej akademiku.

Diana Çuli: Ai diti të përgjigjet me veprën e tij

“Vepra e Kadaresë e bëri letërsinë shqipe shumë serioze, duke e ngritur shumë lart nivelin e saj artistik”…Shkrimtarja Diana Çuli, e ftuar në debatin ”Kadare dhe letrat shqipe”, të mbajtur dje në ambientet e “Librit Akademik” në ASH, me rastin e 84-vjetorit të shkrimtarit u ndal te kontributi letrar i Kadaresë, jo vetëm në letërsinë shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare. Çuli gjatë fjalës së saj preku edhe diskutimin nëse veprimtaria jetësore dhe ajo letrare duhet të shikohen të ndara. “Shkroi për gjëra shumë të mëdha, por e lexoi edhe njeriu më i vogël, që mund të ketë lexuar vetëm një vepër në jetën e vet. Për të shprehur vizionin e tij mbi botën, mbi shoqërinë shqiptare, mbi njeriun në vetvete, mbi luftën, letërsinë edhe paqen e vështirë, kryesisht zgjodhi zërin e romanit. Në debatin e përhershëm: A mund të ndahet jeta nga letërsia, ai diti të përgjigjet me veprën e tij, që shpesh nuk ndoqi jetën e përditshme, por që njeriut që e lexoi ia përmirësoi këtë jetë edhe vizionin mbi të. Ai i bëri njerëzit të mendoheshin, të diskutonin e të debatonin me njëri- tjetrin për çështje të thella, por edhe për bukurinë e botës edhe në ferrin më të madh”. Shkrimtarja ndau me të ftuarit ndikimin e Kadaresë në sistemin komunist, si bashkëkohëse e tij. “Në periudhën tonë të vështirë të regjimit kam përjetuar fuqinë, që ai i dha shoqërisë sonë, atë për të cilën ajo kishte nevojë: lirinë e të menduarit ndryshe. Preku pikat më djegëse të kohës, preku atë që nuk kishte guxuar askush dhe hodhi dritë në mendjet tona. Atë që sot shoqëria shqiptare po tenton që ta bëjë me rregulla dhe negociata për të qenë përfundimisht pjesë e Perëndimit, nga i cili na kanë shkëputur me forcë pushtimet dhe regjimet totalitare, ai e bëri me këmbënguljen e shkrimtarit dhe nuk hoqi dorë kurrë prej kësaj ideje, se Shqipëria është pjesë e Perëndimit e se atje do të kishte sytë. Edhe pse trajtoi tema të mëdha, nuk harroi asnjëherë se letërsia duhet që të japë kënaqësi. Se duhet që të jetë një kënaqësi e të lexuarit, sepse është art dhe bazohet te një parim estetik i së bukurës. E dha këtë kënaqësi estetike të leximit si askush. Pati një vullnet të tillë gjenial, që u kuptua nga të gjithë. I dha dritë gjuhës shqipe, duke përzgjedhë sintaksën më elegante që ajo ka. Duke përzgjedhur fjalët më kuptimplote edhe më tingëlluese, duke fjalëformuar, por jo duke qëmtuar me të tepërt fjalët e harruara, që ndonjëherë gjuha si organizëm i gjallë i përjashton dalëngadalë. Nuk e lodhi lexuesin me mani kërkimore, por e mrekulloi duke i vënë në dukje se ai flet dhe përdor ky lexues këtë mrekulli gjuhësore. Kadare ka një vepër me vizion botëror, sepse lexuesit të huaj, ajo nuk i duket e huaj, pasi është një vepër universale”, u shpreh shkrimtarja.

Bardhyli: Jo i heshtur gjatë diktaturës

Studiuesja letrare Alda Bardhyli preku ditën e djeshme një temë jo pak të diskutuar rreth ndikimit të Kadaresë gjatë diktaturës. Sipas saj, veprat e tij subversive janë dëshmi që ai nuk ka qenë një personalitet i heshtur gjatë sistemit komunist. “Ismail Kadare ka treguar me veprën e tij se Shqipëria është një komb i madh, pasi vetëm kombet e mëdha kanë aftësinë të krijojnë letërsi të madhe. Që me botimin e ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’ më 1963, Kadare e futi letërsinë dhe gjuhën shqipe në hartën e letërsive dhe gjuhëve të mëdha. Do të ishte gabim të paraqitej Kadareja si një figurë e heshtur gjatë diktaturës. Në një vend ku shkrimtarët vazhdimisht persekutoheshin, burgoseshin, torturoheshin dhe vriteshin, Kadareja shkroi disa nga veprat më të shkëlqyera dhe subversive që kanë dalë nga Europa Lindore socialiste”, tha Bardhyli.

Asllani: Autor me forcë emancipuese

Studiuesja Persida Asllani vlerësoi ripropozimin e bërë nga Akademia e Shkencave me kandidaturën e Kadaresë për Nobel në Letërsi. “Kjo është edhe një kartolinë e bukur urimi për datëlindjen e 84-t. Si studiuese, mund të them se është autori me forcën më të madhe emancipuese brenda letërsisë shqipe, me forcën më të madhe ndikuese në leximin e letërsisë sonë, të botës kulturore dhe identitetit kulturor jashtë territoreve shqipfolëse”. Asllani theksoi faktin se Kadare i dha lexuesit shqiptar në momentet më të errëta mundësinë për t’u njohur me një nga parabolat më të forta letrare të denoncimit të diktaturës. “Jo vetëm ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri, por asaj që kanë arrit të kuptojnë lexuesit në mbarë botën: pra, leximin e një parabole universale të dhunës, diktaturës, mungesës së lirisë dhe së keqes”, shtoi më tej studiuesja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura