Taksimi i profesioneve të lira, ministrja e Financave: Nuk është padrejtësi. Ka disa kategori që përfitojnë nga eliminimi i taksave duke ofruar…

May 20, 2022 | 11:46
SHPËRNDAJE

Drafti i ri për taksimin mbi të ardhurat e të vetëpunësuarve do të publikohet së shpejti. Ministrja e Financave gjatë konferencës mbi ecurinë ekonomike janar- prill 2022 deklaroi se qëllimi i tatimit të profesio0neve të lira është vendosja e barazisë në taksim.

taksa paga

“Procesi i konsultimit publik për ligjin e tatimit mbi të ardhurat do të fillojë më 1 qershor. Është revolucion për deklarimin e të ardhurave personale. Drafti i ri për të ardhurat personale për tatimin e të vetpunësuarve do të publikohet për pak ditë. Do të ketë disa elementë të shtuar në deklarimin e të ardhurave, ligj i plotë që vjen në kohën e duhur.

Kur u ndërmor iniciativa e rritjes së tavanit për pagesën e TVSH dhe tatimfitimit, iniciativa i drejtohej bizneseve të vogla dhe zhvillimit të tyre. Është një politikë do të vijojë të mbështetet pasi përbën kategori të madhe, janë rreth 95 mijë biznese të vogla të regjistruara.

Është vënë re që pasi u rritën tavanet, ka disa kategori profesionesh që përfitojnë nga eliminimi i taksave duke qenë të punësuar dhe duke ofruar shërbime për punëdhënësit.

Këto kategori do të adresohen, pra janë individë ose profesione që janë regjistruar si biznese ndërkohë që ofrojnë shërbime për bizneset e tjera. Nuk mendojmë se është padrejtësi për këto subjekte.

Tatimi duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë profesionistët. Për shembull, një avokat i punësuar në një studio avokatie, paguan tatim mbi pagat, ndërsa një avokat që ofron shërbim, pra i regjistruar si biznes apo person fizik dhe i ofron shërbime po të njëjtës kompani nuk paguan asnjë taksë. Ne synojmë që për këtë kategori të vendosim barazi në taksim”, tha Ibrahimaj.

Ministrja tha se ka disa forma taksimi të parashikuara.

“Ka disa forma taksimi të parashikuara, një formë është në mënyrë progresive, një formë tjetër është lump-sum, një mënyrë e re, pra biznesi/ personi fizik do të ketë mundësi të zgjedhë formën e taksimit, ndërmjet taksimit progresiv apo në bazë të kategorisë së qarkullimit që gjeneron të ketë një tatim lump-sum, e cila është një risi që do të fillojë me këtë ligj. Do ketë vëmendjen e duhur pasi të dalë akti normativ”./MONITOR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura