Taksë progresive apo taksë e sheshtë?

Oct 22, 2020 | 9:20
SHPËRNDAJE

ANASTAS ANGJELI

Anastas-Angjeli

Duket se fushata për zgjedhjet elektorale të 25 prillit të vitit të ardhshëm po ballafaqon edhe politikat fiskale mes maxhorancës dhe opozitës. Kjo, si një politikë e rëndësishme që prek interesat e çdo qytetari, buxhetet e tyre familjare, interesat e bizneseve, të buxhetit të shtetit, të ekonomisë dhe zhvillimit të vendit në tërësi. Edhe pse është e tillë dhe me kaq rëndësi, debati është fokusuar mes faktit nëse duhet të aplikohet një taksë progresive, siç këto 8 vjet maxhoranca aktuale ka aplikuar, apo një taksë e sheshtë, siç opozita kur ishte në pushtet aplikoi? Debati mbi sistemin e taksave është një debat me shumë vlera, aq më tepër në prag fushatë elektorale, jo vetëm për të ardhmen e zhvillimit të vendit, por edhe për më shumë transparencë dhe ndërgjegjësim të taksapaguesve shqiptarë.

Vlerat e këtij debati shtohen kur opinionit publik i transmetohen edhe masat, edhe programi për llojin e ekonomisë që do të zhvillojmë në 10-15 vjetët e ardhshme, se si dhe se përmes çfarë prioritetesh do të mund të rimarrim një model të rritjes ekonomike të qëndrueshme, kaq të nevojshëm e të domosdoshëm, për më tepër tashmë që kërkohet rimëkëmbja ekonomike pas goditjeve që ka marrë nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe recensioni ekonomik, pasojë e pandemisë së COVID-19. Sepse çdo sistem taksash zbatohet mbi një situatë të caktuar të ekonomisë reale, që është burim i të ardhurave. Sistemi që zgjedh të përdorësh e maksimalizon dhe e garanton ose jo drejtësinë ekonomike e sociale. Por çfarë është taksa progresive dhe çfarë i solli ajo ekonomisë, buxhetit, qytetarit dhe çfarë është taksa e sheshtë? Por, më parë, cilat janë Sistemet Fiskale Globale më të përdorura? A pritet të ndryshojë Libri i Rregullave Fiskale të BE-së?

KATËR SISTEMET E TAKSAVE NË BOTË, KU DHE SI MUND TË JETONI PA PAGUAR TAKSAT?

Sot, në botë ekzistojnë 206 shtete të pavarura. Të gjitha ato gëzojnë autonomi të plotë mbi sistemin e tyre të taksave dhe politikën e tyre tatimore. Pra, ka nga ata që u privojnë subjekteve të tyre një pjesë të mirë parash, por edhe nga ata që nuk i bëjnë. Globalisht, 23 vende nuk kanë taksa direkte dhe në rreth 50 të tjera është e mundur të zgjedhësh taksat rast pas rasti derisa të mos duhet të paguash më.

Duke folur gjerësisht, ne mund të identifikojmë dy lloje të sistemeve të taksave në botë: taksimi i bazuar në vendbanimin (status i rezidentit) dhe taksimi territorial.

Së fundmi, ekziston një grup vendesh, sistemet e të cilave nuk parashikojnë taksa direkte. Sistemi më i përdorur gjerësisht i taksave në botë njihet si taksimi i bazuar në vendbanim. Në teori, taksimi i bazuar në vendbanim nënkupton që individi do të paguajë taksat e vendosura nga sistemi tatimor ku ai banon, dhe kjo, për të gjitha të ardhurat që ai individ ka gjeneruar kudo në botë.

Nga ana tjetër, ekziston një sistem tjetër tatimor që është përhapur kryesisht në vendet në zhvillim: taksimi territorial. Ky lloj i taksimit diferencon të ardhurat e krijuara brenda vendit nga ato të gjeneruara jashtë vendit sipas sistemit tatimor të territorit ku realizohet e ardhura. (Ky është një ndër parimet që ruhet në Shqipëri për mbledhjen e tatimit). Vetëm të ardhurat e marra brenda vendit janë të tatueshme. Nga ana tjetër, të ardhurat e siguruara jashtë vendit janë të përjashtuara nga taksat. Lloji i përzier është i ashtuquajturi sistem jo dom (jo taksim i dyfishtë), më i përdorur gjerësisht në Britani dhe ish-kolonitë e saj. Këtu, qytetarët paguajnë taksa si në sistemin e bazuar në rezidencë, përveçqë të huajt mund të gëzojnë përfitimet duke u përjashtuar nga taksimi territorial. Por, në këtë lloj taksimi, klauzola e transferimit do të zbatohet në shumicën e rasteve, domethënë të ardhurat e huaja përjashtohen nga taksat vetëm nëse nuk transferohen në vendin e origjinës. Po kështu, ju duhet të kontribuoni në sigurimet shoqërore në këto vende. Përveç tri sistemeve të përmendura, ka edhe disa shtete që nuk vendosin taksa direkte. Sidoqoftë, këto vende, të cilat janë përgjithësisht ishuj të vegjël ose monarki të pasura me naftë, shpesh e bëjnë shumë të vështirë për emigrantët të emigrojnë në vendet e tyre.

Ka shumë vende që kryesisht përshtaten në një ose dy prej këtyre sistemeve, por kanë disa përjashtime. Për shembull, disa vende zvogëlojnë barrën tatimore nga një shumë fikse ose vetëm tatojnë të ardhura të caktuara të krijuara jashtë vendit, si interesat dhe dividendët (Uruguai).

BE DO TË NDRYSHOJË LIBRIN E RREGULLAVE FISKALE

Situata ekonomike globale dhe ajo e Eurozonës po përjeton tkurrjen më të madhe ekonomike që nga koha e Depresionit të Madh, krizës së viteve 1929- 1932. 28 trilionë dollarë, sipas FMN-së, pritet të jenë humbjet e prodhimit në ekonominë globale për shkak të pandemisë Covid-19 dhe rritja ekonomike pritet të ulet me 4.4 % këtë vit dhe gjatë pesë viteve të ardhshme. “Rimëkëmbja ekonomike do të jetë e mundur nëse mposhtet pandemia”, ka theksuar shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva. Por vendet më të zhvilluara të globit e të Europës po japin “alarmin” për një shtim të përhapjes së pandemisë. Prandaj, fokusi është dhe mbetet te një përpjekje e dyanshme: nga njëra anë vazhdimi i masave për të mposhtur pandeminë, dhe, nga ana tjetër, shtimi i masave për rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike. “Rritja e masave jetësore shëndetësore do të ishte po aq e rëndësishme sa mbështetja fiskale dhe monetare për familjet dhe kompanitë”, theksoi Georgieva. Ajo i konsideroi “litarë shpëtimi” garancitë e kredisë, subvencionimin e pagave, ndërtimin e një ekonomie elastike ku hapësira fiskale të lejojë investimet publike në ekonominë e gjelbër dhe teknologjinë e infrastrukturën dixhitale dhe ballafaqimi me borxhet, që në ekonominë globale pritet të arrijë 100 %. Prandaj, edhe në funksion të këtij qëllimi, deri në vitin 2025, pritet të shtohen në të ardhurat e ekonomisë globale rreth 9 trilionë dollarë. Në këtë vizion, BE i është përgjigjur me masa të forta objektivit të luftës për mposhtjen e pandemisë dhe rimëkëmbjes së qëndrueshme ekonomike. (Kujtojmë paketën e të ashtuquajturit “Plan i Ri Marshall”, që BE miratoi prej 1.3 trilionë usd për 7 vjet, pjesë e të cilit është edhe Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria). Për këtë qëllim, për ta bërë sa më eficient sistemin fiskal dhe për të krijuar më shumë hapësirë fiskale për investime publike në funksion të rimëkëmbjes ekonomike të qëndrueshme, në kushtet e reja të një ekonomie në recension, rrjedhojë e pandemisë, Covid-19, BE ka vendosur të ndryshojë Librin e Rregullave Fiskale. Libër ky i cili është miratuar që pas Luftë së Dytë Botërore në Samite të rëndësishme si ai i Mastrihtit e Kopenhagenit. Kriza e vitit 2008-2013 (e ashtuquajtura kriza greke) dhe sidomos kriza aktuale, përballja me pandeminë Covid-19 dhe recensionin ekonomik, që po shënon rritjen më të ulët ekonomike në histori, i rrëzoi “tabutë” e Librit Fiskal të BE-së, të ashtuquajturat “Kritere të Konvergjencës”, sidomos kufirin e borxhit publik prej 60 % të GDP-së apo deficiti Buxhetor 3 %, etj. Në këto kushte, ndryshimet në Librin e Rregullave Fiskale të BE-së do synojnë thjeshtëzimin e sistemit fiskal të BE-së, ndryshimin e “Kritereve të Konvergjencës”, krijimin e më shumë hapësire fiskale për të rritur shpenzimet për investimet në ekonomi, në infrastrukturën digjitale, në ekonominë e gjelbër, arsim, shkencë e shëndetësi.

TAKSA PROGRESIVE

Sistemi fiskal shqiptar, në këto 30 vite tranzicion, ka pësuar evoluimin vet. Ai ka ndryshuar dhe është zhvilluar në varësi të fazave, ndryshimeve, transformimeve dhe zhvillimeve që ekonomia e tregut ka pësuar në vendin tonë dhe, natyrisht të ndryshimeve politike dhe qeverisëse, në përputhje dhe në funksion të programeve të tyre. Këtu nuk mund të mos shtojmë dhe të vlerësojmë edhe asistencën teknike të huaj dhe këshillat e dhëna nga institucionet financiare ndërkombëtare apo misione specifike të BE-së. Kësisoj, sistemi i taksave ka pasur avantazhet dhe disavantazhet e tij, pikërisht të lidhura me këto ndryshime, aq sa ndonjëherë, ajo çka  është konsideruar pozitive për njërin sistem, për tjetrin sistem është konsideruar negativ. Ky nuk është gjykim normal. Gjykimi për vantazhet dhe disavantazhet bëhet kur sistemet provohen për një kohë, në një ambient të caktuar ekonomik (fazë zhvillimi) dhe të ndikimit të aktorëve të tjerë ekonomikë dhe financiarë të brendshëm (politikat e zhvillimit që zbaton apo programon të zbatosh) dhe faktorë të zhvillimeve të jashtme dhe të ndikimit të tyre në ekonominë e brendshme (p.sh., në këtë moment, kriza në Eurozonë). Pra, përveç diferencave klasike mes sistemeve, vlerësimi i ndryshimeve bëhet në momentin dhe terrenin ekonomik të caktuar.

Taksa progresive është taksa ku tarifa nuk qëndron konstante, por ndryshon në rritje, krahas rritjes së të ardhurave. Kjo lloj takse përdoret në shumë vende si: SHBA, Kinë, Japoni, Australi, Francë, Gjermani, Itali, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar etj. Ky lloj sistemi është përdorur dhe vazhdon të jetë i zbatueshëm nga qeverisja e maxhorancës aktuale në vendin tonë. Në 8 vitet e kaluara, kur opozita aktuale ishte në pushtet, është aplikuar taksa e sheshtë. Pra, tashmë të dyja sistemet janë provuar. Po të krahasojmë efektet e të dy sistemeve, avantazhet dhe disavanazhet e tyre, dallohen dukshëm epërsitë e përdorimit të taksës progresive ndaj asaj së sheshtë. Aplikimi i taksës progresive solli avantazhe nga pikëpamja financiare, ekonomike, lirisë së biznesit dhe asaj të drejtësisë ekonomike e sociale. Më konkretisht:

Së pari- Përmes aplikimit të taksës progresive gjeti zbatim më të mirë parimi “kush zotëron më shumë të ardhura, kontribuon më shumë në buxhetin e shtetit”. Kështu, në krahasim me 2006- 2013, në periudhën 2014-2019 u derdhën nga 100 biznese të mëdha 39.5 miliardë lekë më shumë. Kjo bëri që mekanizmi i rishpërndarjes të jetë me eficient në përdorimin e të ardhurave në dobi të zhvillimit ekonomik e social të vendit dhe të përdorimit të fondeve buxhetore, në shërbim të të gjitha shtresave sociale.

Së dyti-Një sistem progresiv dëshmoi se pati ndikim të dukshëm në rritjen e numrit të bizneseve të mëdha e veçanërisht të bizneseve të vogla në vend. Numri i bizneseve të vogla në krahasim me vitin 2013 u trefishua në vitin 2019 (nga 32034 biznese, arriti në 96 800 biznese). Ulja e përkohshme e numrit të bizneseve gjatë këtij viti është rrjedhojë e ndikimit të krizës e recensionit ekonomik, si pasojë e pandemisë Covid-19, pra, e një faktori tërësisht të jashtëm ekonomik.

Së treti-Aplikimi i një takse progresive gjatë këtyre 8 viteve ndikoi pozitivisht në hapjen e vendeve të punës (rritja e bizneseve të vogla rriti numrin e të punësuarve me 82 mijë për periudhën 2013- 2019), duke ulur dukshëm papunësinë.

Së katërti-Taksa progresive mundësoi, edhe përmes modernizimit dhe dixhitalizimit fiskal, përmirësime të dukshme në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, duke siguruar më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

Së pesti-Gjithashtu, përmes këtij sistemi u evidentua një shumëfishim i kontributit të të ardhurave nga biznesi i madh në buxhetin e shtetit.

Më në fund, por jo nga rëndësia, të gjitha këto efekte konvergjojnë në rritjen ekonomike në vend, e cila, për periudhën 2014-2019, shënoi një rritje prej mesatarisht 4% me ndikim të dukshëm në zhvillimin ekonomik e social të vendit.

TAKSA E SHESHTE

Taksa e sheshtë është një taksë, e cila nënkupton që të gjithë paguajnë të njëjtën normë tatimi për të gjitha subjektet (taksë proporcionale) pa marrë parasysh nivelin e të ardhurave që ata krijojnë. Në këtë lloj tatimi, tarifa e tatimit mbetet konstante, ndërsa shuma e tatimit rritet në përpjesëtim të drejtë me të ardhurën e tatueshme. Taksa e sheshtë zakonisht vendoset vetëm mbi pagat (të ardhurat), që do të thotë se nuk ka taksë mbi fitimet kapitale ose investimet. Rusia konsiderohet të jetë ekonomia më e madhe në botë me një taksë të sheshtë (disa nga vendet baltike gjithashtu kanë një taksë të sheshtë). Në vendin tonë, taksa e sheshtë u zbatua në periudhën 2007-2013. Avantazhet dhe disavantazhet e aplikimit të saj janë konsideruar:

Së pari, edhe pse fillimisht përmes zbatimit të saj, taksa e sheshtë la përshtypjen e përfshirjes më të gjerë të tatimpaguesve (zgjerim i bazës tatimore) dhe krijoi lehtësi në llogaritje dhe mbledhje të të ardhurave (thjeshtëzim) nga organet fiskale, krahasuar me sistemin progresiv, ajo pas masave të dixhitalizimit fiskal dhe luftës kundër informalitetit përmes administrimit fiskal, gjatë aplikimit të taksës progresive e humbi këtë avantazh.

Së dyti, (disavantazh) taksa e sheshtë rëndon më shumë, padrejtësisht këdo që ka të ardhura të vogla (shumicën) individë apo biznese të vegjël, apo të mesëm, në raportime të ardhurat (rentabilitetin, fitimin), duke u kufizuar atyre nevojat jetike apo mundësinë e zhvillimit të biznesit të tyre.

Së treti, (disavantazh) taksa e sheshtë lejon më shumë korrupsion dhe përfitime të pamerituara për grupime të veçanta, po ashtu ndaj monopoleve apo oligopoleve, duke pakësuar të ardhurat e buxhetit të shtetit në raport me GDP-në dhe mundësinë e rikthimit të tyre ndaj gjithë vendit dhe popullsisë në formën e shpenzimeve për shërbime të ndryshme, në përputhje me funksionet e shtetit.

KONKLUZION-REKOMANDIM

a)Ndërsa viti 2007-2013 ka qenë edhe viti kur është aplikuar tatimi proporcional (taksa e sheshtë), vitet 2014-2020 janë vitet që është aplikuar tatimi progresiv. Në kuadër të barazisë dhe eficiencës tatimore, referuar teorive mbi tatimet dhe rezultateve e efekteve ekonomike, financiare dhe drejtësisë sociale dhe fiskale (përmes një rishpërndarje me të drejtë të të ardhurave), ndikimit në zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë në tërësi, rezulton se Tatimi Progresiv është tatimi më i drejtë. Natyrisht, përvoja e fituar deri tani në aplikimin e këtij tatimi, krijimi i kushteve të reja (ndryshimi i pagave në rritje, rritja e pagës minimale, vlerësimi më i drejte se çfarë lloji të ardhurash prek ky tatim për shtresa të ndryshme, të ardhurat jetike apo të luksit, për grupe të ndryshme shoqërore), kërkojnë një rishikim të fashave, bazën e tatueshme dhe shkallen e tarifës tatimore (ashpërsinë apo zbutjen e tarifës) të aplikuar do të mund të vendosim një tatim progresiv më të drejtë dhe efecient.

b)Në funksion të rekomandimit të mësipërm, lind pyetja: A duhet trajtuar njësoj fitimi i superkompanive me të ardhurat e një punëtori të zakonshëm? Për një politikë tatimore më eficiente, kërkohet një trajtim i veçantë i të ardhurave të ndryshme sipas burimit të krijimit të tyre. Referuar edhe politikës tatimore që ndjekin edhe vendet e rajonit, paraqitur në tabelën e mëposhtme. Prandaj, mendoj se rishikimi, sipas rekomandimit të parë, bëhet më i domosdoshëm, sidomos për grupimin (fashat) e dy grupeve që taksohen me 13 % dhe 23 % (edhe një biznes i madh sot taksohet 23 %, 15 % tatimfitimi dhe 8 % tatim mbi dividendin)??

c)Situata e krijuar nga kriza e pandemisë nuk lejon hapësirë për politika të reja fiskale në këtë periudhë (përkundrazi, paketat mbështetëse të qeverisë kanë krijuar lehtësi të ndryshme fiskale, tatimfitimi zero për biznesin e vogël me të ardhura deri në 140.000 mijë lekë dhe TVSH zero për bizneset e vogla mbi 10 milionë lekë), por ne duhet të jemi të përgatitur për një ridimensionim të ri të sistemit fiskal në periudhën postkrizë dhe për t’iu përshtatur më mirë ndryshimeve në Librin e Rregullave Fiskale të BE-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura