“Taksat e shumta, shkaku kryesor për çmimet e larta”/ Deputeti i PD: Kriza e energjisë mund të ishte shmangur nëse rezervat ujore do…

Oct 8, 2021 | 14:51
SHPËRNDAJE

Deputeti i PD-së, njëkohësisht edhe eksperti në fushën e energjetikës, akuzon qeverinë si përgjegjëse për rritjen e çmimit të paralajmëruar të energjisë elektrike. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, deputeti i Vlorës, Fation Veizaj, shprehet se Shqipëria mund ta shmangte krizën energjetike që është paralajmëruar nga kreu i qeverisë nëse rezervat ujore në kaskadat e hidrocentraleve do të ishin menaxhuar më mirë.

 

“Menaxhimi është baza e gjithçkaje. Ne jemi të varur nga energjia hidroelektrike dhe ndaj është shumë i rëndësishëm menaxhimi. Në Shqipëri nuk është parësor interesi i qytetarëve, por është interesi i klientelizmit. Nëse ne do të kishim menaxhuar më mirë rezerva ujore, si dhe importin e eksportin, nuk do të përballeshim me një krizë. Gjëja më e rëndësishme në menaxhimin e kaskadave është kujdesi me rezervat ujore. Por duhet që të jenë specialistë në pozicionet e duhura dhe jo njerëz partiak.

Sa më i lartë të jetë niveli i ujit, aq më i lartë është prodhimi i energjisë elektrike. Pra, kjo duhej të kishte një mirëmenaxhim dhe një parashikim në mënyrë që të mos kishim edhe përmbytje, por edhe të mos vuajmë për energji. Ndërkohë që në terma afatgjatë duhet të shikohen edhe burimet e tjera alternative të prodhimit të energjisë”, tha Veizaj.

Ndërkohë, sa i përket rritjes së çmimit të karburanteve, Veizaj shprehet se për këtë ka dy faktorë. I pari është tregu ndërkombëtar. Ai shpjegon se rol në këtë rritje të çmimit pati pandemia, e cila për shkak të bllokimeve, ndaloi nxjerrjen e naftës dhe tanimë duhet kohë që rafineritë të shkojnë në nivelet e mëparshme.

Por sipas tij, Shqipëria mund të amortizonte rritjen dhe të shkonte në nivelet e vendeve të rajonit nëse do të ndërmerrte disa veprime për të lehtësuar barrën fiskale të bizneseve.

“Për të qenë realistë, rritja e çmimit ka filluar që nga hapja e ekonomisë botërore pas pandemisë. Rritja e çmimit është efekt i rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar. Por rritja e çmimit në tregun ndërkombëtar në tregun vendas sjell një rritje më të madhe të çmimit. Për arsye se kemi një barrë më të madhe të taksave. Nëse çmimi bazë është 50 lekë të rinj, i shton asaj në të 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, 37 lekë taksë akcize dhe më pas edhe TVSH-në, kjo e bën Shqipërinë që të ketë çmimin më të lartë të karburantit në rajon. Sa më e madhe është baza e taksueshme, aq më i lartë do të dalë çmimi. Kjo është arsyeja se përse ne e ndiejmë më tepër rritjen e çmimit të karburanteve. Zgjidhja është: të hiqet taksa e qarkullimit. Të shkojë minimumi 7 lekë taksa e qarkullimit dhe të hiqet barra te qytetari 20 lekë për litër. Plus të heqë 20% të TVSH-së, që është 24 lekë, kështu i heq barrën 44 lekë nga çmimi për litër”, tha Veizaj.

Po ashtu, nëse rafineria shqiptare do të ishte në punë, sipas Veizajt, pavarësia nga tregu ndërkombëtar do të ishte më e madhe dhe shqiptarët nuk do të përballeshin me çmime të larta të karburanteve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura