Taksat e larta dhe burokracitë, arsyet që çuan në përkeqësimin e besimit të biznesit

Mar 23, 2018 | 9:51
SHPËRNDAJE

Niveli i lartë i taksave dhe burokracia e qeverisë janë shqetësimi më i madh që kanë sipërmarrjet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, sipas indeksit të besimit të biznesit 2017 (ABI), publikuar së fundmi nga kjo Dhomë.

Sipas rezultateve zyrtare, Indeksi i biznesit ka shënuar një ulje të lehtë prej 1.33 pikësh, nga 43.78 në vitin 2016 në 42.45 në vitin 2017. http://www.monitor.al/perkeqesohet-serish-indeksi-biznesit-te-dhomes-amerikane-nga-taksat-monopolet-dhe-konkurrenca-e-pandershme/

dhoma-amerikane

Nga 27 tregues që mat indeksi, 19 prej tyre, ose 70% ishin në përkeqësim.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu shprehu shqetësimin lidhur me përkeqësimin e indeksit. “Jam i zhgënjyer të shikoj se Indeksi i Dhomës Amerikane në vitin 2017 ka rënë lehtë. Ashtu si në vitet e kaluara, ABI për vitin 2017 reflekton pakënaqësinë e vazhdueshme me një sërë treguesish të rëndësishëm të klimës së biznesit, veçanërisht nivelet e taksave, burokracinë e qeverisë, konkurrencën e pandershme, problemet në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe korrupsionit”, tha ambasadori në në letrën e tij për anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. http://www.monitor.al/letra-e-ambasadorit-lu-jam-zhgenjyer-pakenaqesi-e-biznesit-nivelet-e-taksave/

Indikatori për nivelin e përgjithshëm të taksave të aplikuara ka marrë dhe pikët më të ulëta, 28.3, (sa më i ulët rezultati, aq më i keq është), duke u renditur si problemi më madh i biznesit. Në krahasim me një vit më parë, ky indeks është përkeqësuar me 2.15 pikë, duke treguar se taksat e larta sa vijnë e po bëhen një barrë më e madhe për biznesin. Prej të paktën tre vitesh, niveli i përgjithshëm i taksave është shqetësimi kryesor për biznesin.

Shqetësimi i dytë në indeksin e 2017-s është burokracia e qeverisë, me një indeks prej 28.57. edhe ky tregues është përkeqësuar sërish, pas përmirësimit të një viti më parë.

Monopoli dhe konkurrenca e pandershme mbetet një problem i përhershëm i anëtarëve të Dhomës Amerikane, të cilat janë subjekte të mëdha që veprojnë sipas rregullave në treg dhe ndaj e ndiejnë më shumë presionin e konkurrencës së pandershme. Ky tregues mori 30.1 pikë, sërish në përkeqësim.

Problemi i katërt është vështirësia për të gjetur personel vendas të kualifikuar, me 30.59 pikë. Në 2017-n bizneset e kanë pasur më të vështirë të gjejnë punonjësit që i përshtateshin kërkesave të tyre, teksa edhe ky tregues ka ardhur në përkeqësim.

Ekonomia informale është shqetësimi i pestë i bizneseve, me 33.3 pikë, e pandryshuar në krahasim me një vit më parë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për të ulur nivelin e lartë të informalitetit.

Korrupsioni është problemi i gjashtë, me 34.2 pikë, edhe ai në përkeqësim, duke treguar se anëtarët perceptojnë një rritje të nivelit të korrupsionit.

Duke iu larguar zonës së nxehtë, problematika të tjera të biznesit janë klima e brendshme politike, e cila ka shënuar një përkeqësim shumë të lartë, teksa viti 2017 ka qenë i ngarkuar me tensione politike, sidomos në periudhën para zgjedhore.

Edhe vetë treguesi i klimës së biznesit ka shënuar një rënie prej gati tre pikësh, duke zbritur në 38.61. në rënie të lehtë perceptohet edhe performanca e ekonomisë shqiptare.

Në rënie të fortë (rënia e dytë më e madhe pas klimës popilitike) është edhe indikatori që mat perceptimin e bizneseve për reformat ekonomike dhe politikat që po ndiqen nga qeverisja qendrore, e cila ra me gati 3.6 pikë.

Në përmirësim këtë vit ishte treguesi për marrëdhëniet me gjykatat, kërkesa për mallra dhe shërbime, treguesi i punësimit në përgjithësi, marrëdhëniet me qeverinë lokale, infrastruktura.

Shqetësimi më i vogël i biznesit vijon të mbetet sigurimi i energjisë, të ndjekura nga marrëdhëniet me autoritetet doganore dhe ato tatimore.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura