Taksa e shtëpive, Ahmetaj sqaron shtesën: Kush do të paguajë më shumë

Nov 8, 2017 | 20:04
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka shpjeguar dje taksën e re që do vendosë qeveria për banesat e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë, si pasojë e paketës së re fiskale të vitit 2018.

Arben Ahmetaj konference

Rritja e taksës, sipas ministrit të Financave, do të jetë kryesisht për ndërtesat dhe godinat që ndodhen në qendra të qyteteve dhe rritja do të jetë në proporcion me çmimin e tregut. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të ri dhe paketës fiskale në Komisionin e Ligjeve, Ahmetaj tha se rritja për qytetarët do të jetë në vlerën e 1400 lekëve në vit.

“Taksa e pronës dhe e ndërtesave do të ndihmojë në shëndoshjen e financave të bashkive. Për sa u përket banesave të ndërtimit, po marrim shembull për Tiranën. Tirana, sot, ka vlerën për lekë metër katrorë, nëse do të ecim me logjikën e 0.05%, e gjithë rritja do të jetë në Tiranë, nga 3 mijë lekë në 4400 lekë.

Pra, rritja do të jetë 1400 lekë në vit. Po flasim si mesatare”, tha dje Ahmetaj. Po ashtu, taksat më të larta do të jenë dhe për bizneset apo ndërtesat, të cilat ndodhen në zonat ku vlera e tyre e tregut është e lartë. Ai ka marrë një shembull konkret të një godine 24 katëshe në qendër të Tiranës, taksat për të cilën do të rriten në masën 85%. Kurse një biznes në Kamëz, do të ketë përgjysmim të taksës mbi pronën.

“Për biznesin, për shembull, të me ndiejnë pronarët e 24 katëshit te stadiumi “Qemal Stafa”, rritja do të jetë 85%, kjo për shkak të vlerës. Dikujt i ulet taksa për shkak të vendndodhjes që ka. Një dyqan në Kombinat ka paguar tarifën 400 lekë fiks, që ka qenë tarifa deri më sot, ka paguar 16000 lekë, tani do paguajë 840 lekë. Pra, do paguajë më pak sepse duhet një proporcion…

Ai paguan dhe tatimfitimi, ai paguan TVSH, paguan për atë që është në sistemin e TVSH-së.. Një dyqan në Gjirokastër, në qoftë se për 40 metra katrorë ka paguar 8000 lekë, tani do paguajë 4400 lekë. Pyetjes pse? I them sepse duhet një proporcion dhe kjo për ne, është ngarkesë e shëndetshme. Ka qenë 20 herë taksa mbi një ndërtesë që përdoret për një aktivitet ekonomik, nuk është normale”, tha dje Ministri.

KUNDËRSHTIA

Por deputetët e PS, Bledi Çuçi dhe Bashkim Fino kanë dalë kundër rritjes së taksave për banesat e qytetarëve. Sipas Finos, në të gjithë botën taksa vendoset në përqindje dhe jo në bazë të sipërfaqes së banesës.

Kurse Bledi Çuçi, tha se taksa e banesave ndaj qytetarëve nuk duhet prekur. “Më duket sikur biznesit i ulët ka goxha ngarkesa, duke i vënë një taksë me 0.50%. Thënë këtë, unë parimisht nuk jam dakord që të jetë kjo ulje, sepse edhe biznesi nuk është se ka pasur ngarkesë të madhe. Dhe nuk ka pasur kërkesë nga biznesi për këtë taksë. Do të favorizoja që familjarët të paguajnë më pak ose njësoj sa kanë paguar deri më sot, duke aplikuar taksën mbi vlerën e ndërtesës”, tha deputet i PS.

Bashkim Fino kundërshtoi dhe statusin special që do t’u jepet hoteleve me 5 yje, për të mos paguar taksa. Sipas tij, ky status nuk duhet t’u jepet vetëm ndërtimeve të reja, por edhe hoteleve që aktualisht ofrojnë shërbime me 5 yje.

“Këtu kemi dy standarde, nëse unë kam ndërtuar një hotel në mes të Tiranës me 5 yje dhe e marrë certifikimin e plotë, atëherë, pse duhet të paguaj unë taksë në mes të Tiranës, që, siç thatë ju, do të jetë më e lartë. Dhe ai që do ndërtojë në vitin 2020, nuk do të këtë taksa. Pra, kemi diskriminim midis bizneseve”, tha Fino. Por për ministrin, ky është një diskriminim pozitiv që qeveria ka vendosur të bëjë.

“Po bëhet diskriminim pozitiv, s’ka probleme kushtetuese. Ka diskriminim pozitiv në kuptimin e incentivës për investime në Turizëm. Qeveria vendos të propozojë në Parlament, Parlamenti voton”, tha Ahmetaj.

FATION BINJAKU/PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura