Taksa e shtëpisë në faturën e ujit, ja sa do të paguhet

Feb 11, 2016 | 11:53
SHPËRNDAJE

Fatura e ujit për muajin mars do të jetë më e fryrë, pasi në të do të përfshihet dhe taksa e pronës. Lajmi për të cilin është folur që në muajin dhjetor, do të konkretizohet muajin pasardhës.

Këtë e bëri me dije kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dje gjatë një konference për ligjin mbi financat vendore. Në rolin e kryetarit të shoqatës së të gjitha bashkive të vendit, Veliaj kërkoi më shumë kompetenca nga qeveria mbi vendosjen e disa taksave, duke marrë si shembull atë të pronës, e cila aktualisht caktohet nga Ministria e Financave.

fatura ukt

“Nuk po kërkojmë rritjen e nivelit të taksimit, por të rritet niveli i kompetencave që kemi për të bërë diferencime brenda komuniteteve që menaxhojmë. Është nonsens që taksa e pronës, megjithëse nuk mblidhet, megjithëse është më e ulëta në Ballkan, vjen e mandatuar nga qeveria qendrore”, nënvizoi Veliaj.

ÇMIMI Taksa për pronën është detyrim vjetor, ndërsa shuma e saj ndahet në këste mujore. Çmimi që duhet të paguajnë familjarët për pronën përllogaritet mbi vendndodhjen e saj dhe kohën kur është ndërtuar. Sipas tabelës përbri, për banesat e ndërtuara përpara vitit 1993, 11 njësitë e kryeqytetit së bashku me njësitë Dajt, Farkë dhe Kashar do të paguajnë 15 lekë për metër katror në vit.

Ndërsa për dhjetë njësitë e tjera administrative: Bërzhitë, Baldushk, Vaqarr, Pezë, Petrelë, Ndroq, Krrabë, Shëngjergj, Zall-Herr, Zall-Bastar, Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin ta përgjysmojë këtë shumë në vlerën e 7.5 lekë/m2/vit.

Për qytetarët që kanë në pronësi më shumë se një banesë, taksa dyfishohet. Për shtëpinë ku kanë banimin e zakonshëm paguajnë taksën e ndërtesës në vlerën e përcaktuar, ndërsa për shtëpinë dytësore apo të tjera, nëse kanë, kjo taksë është e dyfishuar.

Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë, për një shtëpi të pas ’93-shit në Tiranë, me 80 metra katrorë, vlera e kësaj takse vjetore shkon në 2400 lekë. Kështu, duke nisur nga muaji mars e tutje, një kryefamiljar do të duhet të paguajë së paku 200 lekë më tepër në faturën e ujit.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura