“Takohemi për një libër”, tetori muaji i leximit

Oct 3, 2016 | 12:10
SHPËRNDAJE

Bashkë me gjerbjen e një kafeje dhe bisedave të përditshme, le të flasim edhe për një libër. Ministria e Kulturës shpall muajin tetor muaj të leximit, duke organizuar fushatën kombëtare të leximit, nën moton “Takohemi për një libër”. Kjo fushatë leximi synon të orientojë shoqërinë, në veçanti brezin e ri, drejt kulturës së të lexuarit. “Leximi i librave, in primis, kënaqësi dhe kënaqësia nuk ka nevojë për detyrim.

liber

Ndaj dhe fushatën për nxitje të leximit e nisim me dëshirën për t’u sjellë në vëmendje brezave të rinj kënaqësinë e të lexuarit libra”, thotë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Muaji tetor do të jetë i mbushur me aktivitete të shumëllojshme që kanë në qendër librin.

Të “arratisur” nga faqet e librave e shekujve të kaluar, personazhet e gjallë të romaneve më të dashur do të kenë takim me lexuesin çdo të shtunë në parqet e Tiranës: Ana Karenina, Don Kishoti, Hamleti, Piter Pani, apo Doruntina do të lexojnë pjesë nga libri që përfaqësojnë.

Projekti do të realizohet me aktorë të rinj në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Një tjetër projekt është “Bëhu mik i bibliotekës tënde të lagjes!”, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës për rijetëzimin e bibliotekave të lagjeve, nëpërmjet të cilit do të pasurohet fondi i bibliotekave vendore me tituj të rinj.

Në këtë nismë nuk do të përfshihet vetëm Tirana, por çdo qytet e çdo shkollë do të zhvillojë projektet e veta. Nën titullin “Unë lexoj”, në të gjitha shkollat e vendit do të zhvillohen lexime të hapura, me praninë e shkrimtarëve e përkthyesve, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë do të zhvillojë gjithashtu një seri bashkëbisedimesh të studentëve të Letërsisë dhe Gazetarisë me shkrimtarë të njohur. Një nga ngjarjet që do të shënjojë këtë muaj është edhe 85-vjetori i shkrimtarit dhe poetit Dritëro Agolli. Për nder të një prej emrave më të mëdhenj të letërsisë shqipe do të organizohen aktivitete jo vetëm në Tiranë, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Do të ketë lexime, ekspozita, shfaqje filmash, mbështetur mbi vepra të Agollit etj. Për tërheqjen e brezit të ri me librin do të hapen edhe konkurse në rrjetet sociale, ku të rinjtë fitues do të përfitojnë një sasi të konsiderueshme librash për bibliotekat e tyre. Një ndër ta është “Little Free Library në Shqipëri” nën moton: Ngri një bibliotekë të vogël për të gjithë, fito një bibliotekë të madhe për vete. Konkursi synon përhapjen në Shqipëri të minibibliotekave kreative. Lini një libër të vjetër si dhuratë në një minibibliotekë të ngritur në mënyrë spontane në një qoshe rruge, stacion autobusi, lulishte të qytetit. Dikush tjetër do të dhurojë dhe për ju.

Pjesë e kësaj fushate janë edhe projektet e mbështetura nga Ministria e Kulturës si: “Tirana lexon”, “Kolona artistike Kadare 2016”, “Sabbat”, “Festivali letrar për të rinj”, “Të lexojmë qytetin” etj., aktivitete leximi të organizuara nga drejtoritë rajonale në sitet e trashëgimisë, bibliotekat vendore, si dhe Bashkitë në të gjithë vendin. Gjithashtu, dhe ambasadat e Italisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Instituti Italian i Kulturës do të organizojnë një seri aktivitetesh për librin dhe leximin gjatë muajit tetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura