Takimi në SHBA, Mitchell me Bushatin: Qeveria, përpjekje për luftë ndaj krimit

Dec 3, 2017 | 8:54
SHPËRNDAJE

Kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar dje me Sekretarin e Shtetit për Europën dhe Azinë, Wess Mitchell.

Bushati-Mitchell

Gjatë takimit me zyrtarin e lartë, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, “bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ndihmëssekretari Mitchell vlerësoi kontributin e Shqipërisë në NATO dhe në koalicionin për fitoren mbi ISISit, si dhe në promovimin dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. Ai përgëzoi Qeverinë shqiptare për përpjekjet e saj në zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar”.

Ndërkohë, nga ana tjetër, ministri Bushati, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, falënderoi ndihmëssekretarin Mitchell për kontributin e administratës amerikane për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-ve.

TAKIMET

Gjatë vizitës së tij, Bushati zhvilloi të premten dhe një takim me këshilltarin e Presidentit amerikan për Çështjet e Sigurisë, gjeneralin McMaster. Në këtë takim, i cili u përqendrua te sfidat e sigurisë në rajon, ishin të pranishëm ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, Bushati vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes të dyja vendeve dhe falënderoi përfaqësuesin e lartë amerikan për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në ngritjen e kapaciteteve ushtarake në fushën e mbrojtjes, si dhe asistencën për institucionet ligjzbatuese shqiptare në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen e iniciativës së Presidentit Trump për një luftë frontale kundër terrorizmit në kuadër të koalicionit global, si dhe për angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar aktivisht në operacionet paqeruajtëse të Aleancës Atlantike në zonat konfliktuale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura