Takimi Merkel-Mustafa: S’ka azil për kosovarët. Vizat, kur të plotësohen kushtet

Jun 30, 2015 | 16:59
SHPËRNDAJE

Në takimin ndërmjet Merkel dhe Kryeministrit Isa Mustafa është ngritur çështja e liberalizimit të vizave. Kancelarja Merkel në konferencën për media ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë kur të plotësohen kushtet.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel

Gjermania edhe një herë dëshmon mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës, por kancelarja Angela Merkel nënvizoi se institucionet e Kosovës duhet të përmbushin detyrimet e tyre. Delegacioni i Kosovës është pritur sot në Berlin me nderimet më të larta shtetërore.

Më pas kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe disa ministra të tjerë, biseduan më shumë se një orë e gjysmë.

“Një prej obligimeve më të rëndësishme të Kosovës është që të çojë deri në fund dialogun me Serbinë dhe që ky dialog të rezultojë me arritjen e një marrëveshjeje”, theksoi kancelarja Merkel në paraqitjen para gazetarëve, së bashku me kryeministrin Mustafa.

Ndër obligimet e tjera që Kosova duhet të kryejë në mënyrë të denjë janë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe themelimi i Gjykatës Speciale. Në këtë takim është prekur edhe çështja e azilkërkuesve kosovarë, të cilët kanë ardhur kohët e fundit në mënyrë masive në Gjermani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura