Zbardhen negociatat e Ramës me deputetët, Veliaj e Klosi në krye të sondazheve për Tiranën. Ja emrat e PS-LSI për bashkitë e vendit

Mar 31, 2015 | 16:41
SHPËRNDAJE

Ngushtohet rrethi i kandidatëve të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës duke kualifikuar në krye të garës ministrin Erion Veliaj dhe deputetin e qarkut të Durrësit, Blendi Klosi. 

Erion Veliaj/ Blendi Klosi

Kryeministri Rama në takimin e zhvilluar dje me deputetët e qarkut të Tiranës është shprehur se në PS po vijojnë sondazhet për të parë se cili nga kandidatët ka mbështetjen më të madhe të qytetarëve të kryeqytetit, por dhe nga mbështetja që vjen nga strukturat e PS-së.

Duket se në PS po zhvillohet një lobim real mes mbështetësve të njërit kandidat dhe kandidatit tjetër për Bashkinë e Tiranës, por nuk përjashtohet mundësia që nga kjo përplasje të dalë dhe një kandidat tjetër që do të marrë konsensusin e palëve.

Dje gjatë takimit me deputetët e qarkut të Tiranës, Rama mësohet të ketë folur për profilin që duhet të ketë kandidati i Tiranës, i cili jo vetëm duhet të ketë profil politik, por dhe të ketë treguar aftësi menaxheriale. Kryeministri Rama është shprehur se PS është duke vijuar sondazhet dhe pas dy ditësh do të ketë një rezultat të tyre që do t’u komunikohet dhe deputetëve.

Lista e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës nga Partia Socialiste kishte në përbërje të saj, përveç Veliajt dhe Klosit, edhe deputetin Pandeli Majko, ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, ishnënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri. Po Kryeministri Rama ka zhvilluar dje takime me deputetët socialistë nga të gjithë qarqet e vendit.

TAKIMET
Pas takimit me Shpëtim Idrizin në selinë rozë, kreu i PS-së është takuar me deputetët e Vlorës, që sipas informacioneve ende nuk ka një vendimin për kandidatin e PS-së në këtë bashki, e ku kandidatë që po testohen përmes sondazheve janë prefektja aktuale, Etjona Hoxha dhe mjeku Dritan Leli.

Pas deputetëve të Vlorës, Kryeministri Rama është takuar në selinë rozë me deputetët e qarkut të Elbasanit. Burime nga takimi thanë dje për “Panorama” se Qazim Sejdini, aktualisht kryetar i kësaj bashkie, bazuar në sondazhet që PS ka zhvilluar, ka një mbështetje më të madhe në këtë bashki.

Kreu i listës së deputetëve të këtij qarku, Ben Blushi mësohet të ketë kërkuar një kandidat më të ri se Sejdini, duke u nisur nga ndryshimet që kanë ndodhur në bashki si Gjirokastër, Fier apo Berat, por kreu i qeverisë e ka justifikuar kandidaturën e Sejdinit me mbështetjen që ka gjetur në këtë bashki. Marrëveshja e PS-së me PDIU-në nuk ka kaluar pa u diskutuar në këtë qark.

Deputeti Alfred Peza mësohet të ketë kërkuar nga Kryeministri Rama se cili është vendimi për bashkinë e Peqinit në lidhje me PDIU-në, e cila e kërkon atë. Por Kryeministri është shprehur se bisedimet ende nuk kanë përfunduar. Vangjush Dako mësohet se ka gjetur mbështetje nga deputetët e qarkut të Durrësit në takimin që patën me Kryeministrin, gjë që është pohuar dhe nga deputeti i këtij qarku, Blendi Klosi.

Edhe kandidati i PS-së për bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo, kryetar i saj aktual, ka gjetur mbështetjen e deputetëve të këtij qarku.

Ajo që bie në sy në garën për kandidatin e bashkisë së Fierit, është interesi i dy deputetëve të këtij qarku, Armando Subashi dhe Ervin Koçi. Ata do t’i nënshtrohen dhe një sondazhi tjetër për të përcaktuar kandidatin më të mbështetur. ARISTIR LUMEZI

TIRANË
• Erion Veliaj
• Blendi Klosi
SHKODËR
• Keti Bazhdari
VLORË
• Etjona Hoxha
• Dritan Leli
DURRËS
• Vangjush Dako
ELBASAN
• Qazim Sejdini
KORÇË
• Sotiraq Filo
FIER
• Armando Subashi
• Ervin Koçi
LUSHNJË
• Fatos Tushe
SARANDË
• Stefan Çipa
• Floriana Koka
• Sheme Lulo
• Adriana Shehu
• Ramiz Husi
HIMARË
• Gjergji Goro
DIBËR
• Shukri Xhelili
MAT
• Adelina Farrici
KURBIN
• Artur Bardhi
MIRDITË
• Adrian Leka
KAVAJË
• Evis Roshi
SHIJAK
• Indrit Buka
LIBRAZHD
• Kastriot Gurra
GRAMSH
• Dritan Bici
BELSH
• Gentian Elezi
DIVJAKË
• Fredi Kokoneshi
ROSKOVEC
• Flamur Mato
TEPELENË
• Tërmet Peçi
KËLCYRË
• Klement Ndoni

 

 

Takimet e djeshme  

Ora 18:48 

Subashi: Baza më ka propozuar në Fier, do vendosë struktura e PS

Lidhur me kandidimin në Qarkun Fier, deputeti i PS, Armando Subashi pas takimit me Ramën, tha për gazetarët se është emri i tij është propozuar nga baza, por i mbetet strukturave të partisë për të vendosur nëse do të jetë ai kandidati për Fierin në zgjedhjet e 21 qershorit. 
 

“Më kanë propozuar edhe mua…., i mbetet për të zgjedhur strukturave të partisë…Nuk është momenti për të folur për këtë gjë”, tha ai.

Mbi propozimin e Ervin Koçit për këtë qark, Subashi komentoi: “ E kam mik dhe shok…E rëndësishme është që të bëhet më e mira që atij qyteti t’i japim zgjidhjen e duhur për problemet që ka”, tha Subashi. 

Ora 18:42

Stërkaj: Bazhdari, kandidatura më e mirë për Shkodrën

Deputeti i PS, Paulin Stërkaj, pas takimit me Ramën, nuk konfirmoi kandidimin e Keti Bazhdarit për Bashkinë Shkodër. 

Ai e vlerësoi kandidaturën e Keti Bazhdarit, por nuk e konfirmoi atë. “Po bëjmë bisedime paraprake…Mendoj që është një nga kandidaturat më të mira të qarkut të Shkodrës. Do dalë kryeministri dhe do t’i shpallë të gjithë kandidatët”, tha Stërkaj.

Ora 18:20 

Klosi: Në Durrës, Dako kandidatura më e mundshme

Kurse për Bashkinë Durrës, kandidaturë e mundshme e PS është Vangjush Dako. Lajmi u dha nga deputeti Blendi Klosi, i cili pas takimit me Ramën tha për mediat: 

“Biseduam vetëm në parim. Jo, me emra konkretë…Kandidatura e Vangjush Dakos është një kandidaturë shumë shumë e mundshme për PS-në, por natyrisht vendimarrja është pas disa ditësh”, tha Klosi.  

Vangjush Dako

Klosi nuk u përgjigj nëse do të ishte ai kandidati për Bashkinë Tiranë. 

Ndërkohë kryeministri Rama vijoi takimet me deputetë të qarqeve të ndryshme, për të vendosur për kandidatët për zgjedhjet e 21 qershorit. 

Ora 16:15

Takimi me Ramën për zgjedhjet, Kokëdhima: S’ka ende emra të përveçshëm

Jemi në fazën finale të përzgjedhjes së kandidatëve, por nuk ka emra të përveçshëm akoma. Kështu është shprehur deputeti Koço Kokëdhima pas mbledhjes së deputetëve të qarkut të Vlorës me kryeministrin Rama.

Kokëdhima në prononcimin për mediat

“Ku është proces që nuk ka përfunduar. Kur të përfundojë do ta bëjmë të qartë për të gjithë…Nuk ka emra të përveçshëm. Së shpejti do të keni emrat e kandidatëve”, tha Kokëdhima, duke shtuar se në takim u diskutua për strategjitë për zgjedhjet lokale të 21 qershorit dhe kandidaturat e propozuara nga baza socialiste. 

Peleshi: Me shumë gjasa në Korçë kandidon Filo

Zv/kryeministri Niko Peleshi, në një prononcim për mediat pas takimit me kryeministrin Edi Rama për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, la të kuptohet se Sotiraq Filo, me shumë gjasa do të rikonfirmohet si kandidaturë e Partisë Socialiste për Bashkinë Korçë.

“Me shumë gjasa po”, iu përgjigj Peleshi, pyetjeve të gazetarëve jashtë selisë rozë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura