Takimi me delegacionin ushtarak kinez/ Ministri Beqir Balluku: Na mungojnë minat anti-tank, pasi ne arrijmë të prodhojmë vetëm 40 mijë copë dhe…

Oct 28, 2021 | 7:47
SHPËRNDAJE

kinezetmemorie

DASHNOR KALOÇI/ Publikohen disa dokumente arkivore me siglën ‘Tepër sekret’ të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku ndodhen proces-verbalet e takimeve të delegacionit të lartë partiak e shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me delegacionin e lartë të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga kryetari i komisionit ushtarak pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Je Çen Ji, ku u diskutuan probleme të karakterit ushtarak, si dhe delegacioni i kryesuar nga ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, me delegacionin kinez të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Kinës, Çu En Lai, ku u diskutuan probleme të karakterit ekonomik, pasi Shqipëria kishte nevoje emergjente për drithëra buke, por qeveria kineze nuk mund t’i ndihmonte dot, pasi si rezultat i thatësirës, ata nuk kishin realizuar dot planet dhe po blinin grurin që francezët e kishin importuar nga amerikanët!

Dokumentet e panjohura që publikohen për herë të parë me proces-verbalet e plota të dy takimeve të zhvilluar në Pekin më datën 7 nëntor të vitit 1972, ku nga ana e delegacionit ushtarak shqiptar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat e llojeve të ndryshme të armëve të ushtrisë shqiptare), u kërkua që qeveria kineze të ndihmonte ushtrinë shqiptare, me armatime të të gjitha llojeve, duke filluar nga: armët e lehta të këmbësorisë (pushkë), artileri kundërajrore, tokësore dhe bregdetare, tanke, mjete të blinduar, anije, silura për flotën luftarake detare, armë kimike, pajisie dhe material xheniere, ndërlidhje, radio-lokacioni, mjete autotransporti, avionë dhe helikopterë, uzina të industrisë mekanike për riparimin e tankeve dhe transportueseve të blinduar, municione luftarake dhe lëndë plasëse, material prapavije etj., pasi sipas ministrit Balluku, ushtria shqiptare ndodhej në një gjendje mjaft të vështirë nga ana e armatimeve, sepse ajo dispononte armatime të Luftës së Dytë Botërore, të cilat i kishin sjellë sovjetikët që në vitet ’50-të.

Marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Kinës

Përmbajtja: TAKIMI I PARË I DELEGACIONIT USHTARAK TË RPSH (TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU) ME SHOKËT KINEZË JEH ÇEN JI, LI TEN SHEN, DHE XAN CAJ ÇIEN, DATË 7 NËNTOR 1972. BËHET FJALË: MBI MIQËSINË E BASHKËPUNIMIN LUFTARAK MIDIS DY PARTIVE, POPUJVE, DHE USHTRIVE TONA. MBI POZICIONIN GJEOGRAFIK TË SHQIPËRISË KU KRYQËZOHEN INTERESAT E PAKTEVE AGRESIONE TË NATO DHE TRAKTATIT TË VARSHAVËS, QËLLIMET SHOVINISTE E ANEKSIONISTE TË SHTETEVE QË NA RRETHOJNË. MBI MASAT E MARRA NGA PPSH, PËR MBROJTJEN E VENDIT DHE PARAQITJEN E DISA KËRKESAVE PËR FORCIMIN E MBROJTJES.

 

TAKIMI I PARË PLENAR I DELEGACIONIT TONË ME SHOKËT KINEZË, DATË 7.11.1972

Fjala e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, në takimin me delegacionin kinez në Pekin, 7 nëntor 1972

AVIACIONI

Gjendja e aviacionit tonë, për juve është e njohur. Megjithëse ne nuk e bazojmë mbrojtjen kundërajrore të vendit dhe sigurimin e veprimeve luftarake të trupave tona, në fuqinë e zjarrit të aviacionit, megjithatë forcat tona të armatosura kurdoherë do ta ndiejnë në një masë të konsiderueshme nevojën për mbulim, mbështetje, dhe transport me aviacion. Duke marrë parasysh veçoritë karakteristike të terrenit tonë të thyer malor, teknika luftarake, sidomos tanket dhe artileria, do të kenë vështirësi manovre dhe nuk do t’i vijnë në ndihmë kurdoherë trupave tokësore dhe këtë boshllëk, do ta plotësojë aviacioni në kushte të caktuara dhe rrethana të favorshme. Gjithashtu nevojën për ndihmë të aviacionit, do ta ketë dhe flota luftarake detare. Kështu, me gjithë superioritetin në ajër të armiqve tanë të mundshëm, duke marrë masa për sigurimin luftarak, aviacioni ynë në situata të favorshme do të jetë në gjendje të kryejë detyrën luftarake në interes të mbrojtjes së vendit. Duke u nisur nga këto konsiderata, si dhe nga fakti që në armatimin e ushtrisë sonë ndodhen akoma avionë Mig-15, që janë në shfrytëzim për më tepër se 20 vjet, kërkesat tona për aviacionin parashtrohen në listë-kërkesat.

TANKE DHE MJETE TË BLINDUARA

Megjithëse territori i vendit tonë, është në një pjesë të madhe me reliev të thyer malor, ka një copë të gjerë bregdetare dhe drejtime operativo-strategjike të kufijve tokësorë të përshkueshëm nga të gjitha llojet e teknikës luftarake sidomos nga trupat e blinduara dhe i përshtatshëm, për përdorim masiv trupash aero-desantuese. Armiqtë, mund të synojnë në rast agresioni me sulm të befasishëm nga toka, sidomos me trupat e blinduara dhe me përdorim të gjerë të forcave aero-desantuese dhe detare, të pushtojnë pozitat kyçe operativo-strategjike të vendit tonë, të pengojnë mobilizimin dhe hapjen e forcave tona të armatosura, të shtrijnë veprimet luftarake në të gjithë territorin dhe ti japin fund luftës në front të rregullt brenda një kohe të shkurtër.

Synimit dhe mundësive të tjera të armikut për agresion kundër vendit tonë ne, i kundërvëmë luftën popullore, për të ngritur të gjithë popullin në luftë. Por, krahas këtyre masave për të zbutur sadopak superioritetin e kundërshtarit, në forca dhe mjete, është e nevojshme që të kemi në armatimin e ushtrisë ato armë që kanë: fuqi të madhe zjarri, manovrueshmëri të lartë, mburojë të fuqishme dhe që kërkojnë pak njerëz për tu vënë në përdorim. Të tilla cilësi në forcat tokësore, i ka arma e tankeve. Në kushtet e vendit tonë arma e tankeve, do të luajë një rol të dyfishtë.

  • Në periudhën fillestare të luftës, do të mbulojë mobilizimin dhe hapjen e forcave të armatosura, në bashkëveprim me aviacionin, AKA, dhe forcat VVP, duke qenë e gatshme që përnjëherë të futet në luftim kundër forcave aero-desante dhe tokësore të armikut.
  • Mbas hapjes së forcave të armatosura në organikat e kohës së luftës, tanket do të përdoren : Për rritjen e aktivitetit operativ të mbrojtjes, si fuqia e rëndësishme për kundërsulm dhe kundërgoditje. Për mbrojtjen e drejtimeve të rëndësisë së veçantë, dhe për të ndalur shpërthimin e trupave të blinduara të armikut drejt qendrave kryesore të vendit, si dhe për asgjësimin e desantëve ajrorë. Me parkun e tankeve që kemi sot, ne nuk mund të mbulojmë as nevojat më minimale, prandaj shokë po shtrojmë përpara jush si nevojë të llogaritur në mënyrë të shtrënguar që parku ynë në të ardhmen, të zgjerohet me tanke të rinj sipas listë-kërkesave.

Duke parë vështirësitë e prodhimit, ne jemi dakord që sasinë që kërkojmë për 5 vjet ta zgjasim në një diapazon më të gjatë. Gjithashtu për shoqërimin e tankeve me këmbësori, për repartet e zbulimit, pikat e drejtimit dhe forcat speciale, ne kemi nevojë për transportues të blinduar. Në kuadrin e sigurimit teknik dhe të manovrës së njësive e reparteve tankiste, si dhe për fuqizimin e bazave qendrore të riparimit të tankeve, sipas normave teknike, është e nevojshme të na jepet sasia e domosdoshme e tërheqësve të tankeve, e karro-ofiçinave të riparimit, e agregateve dhe auto-rimorkiove për transportimin e shpejtë të tankeve nga njëri drejtim në tjetrin.

FLOTA LUFTARAKE DETARE

Në kushtet konkrete të bregdetit tonë flota luftarake detare ekzistuese, ka mungesa sasiore dhe cilësore në anijet e lehta dhe në armatim. Prandaj, me qëllim që flota jonë e lehtë, të kryejë detyrën e saj për mbrojtjen e bregdetit tone, është e nevojshme që ajo të plotësohet me sasinë e anijeve sipas detyrave që do të ketë në kohë lufte, dhe njëkohësisht të zëvendësohet teknika dhe armatimi i vjetër sovjetik, me anije dhe armatim kinez. Për të përcaktuar, përbërjen më të volitshme të flotës sonë, është marrë për bazë varianti i forcave më të pakta që mund të përdorin armiqtë kundër vendit tonë, në një zbarkim dentistet me qëllim pushtimi, që ata në skalionet e para do të kenë jo më pak se 6 divizione këmbësorie.

Për të përballuar këto forca, si dhe për zhvillimin e veprimeve luftarake të flotës sonë në etapat e mëtejshme të luftimit në det, me qëllim që armiku të goditet gjatë afrimit të tij për zbarkim dhe të asgjësohen sa më tepër anije me trupa desantë flota jonë, në kuadrin e tanishëm të strukturës organizative është e dëshirueshme, që të ketë në përbërje të saj, jo më pak se 6 skuadrilje katërsh silurues dhe me raketa det-det, të kombinuara këto me llojet e tjera të anije mbiujëse e nënujëse. Gjithashtu për llogaritjen e përbërjes së flotës tonë, është pasur parasysh konfiguracioni i bregdetit tonë me drejtime të mundshme për zbarkim, si dhe mundësia e sigurimit të vend-bazimeve të tunelizuara të reparteve të anijeve, në pika të shpërndara përgjatë gjithë bregdetit.

Për t’ja arritur këtij qëllimi deri tani, janë krijuar bazat dhe vendqëndrimet e anijeve për flotën ekzistuese. Ndërsa deri në vitin 1975, parashikohet të përfundojnë të gjitha bazat për të siguruar vendqëndrimet e tunelizuara për 72 katera. Duke u nisur nga qëllimet e mësipërme, është e nevojshme që në të ardhmen të rritet fuqia e zjarrit dhe të përsoset përbërja cilësore dhe sasiore e flotës sipas plan-kërkesës.

MBI DISA PROBLEME TË XHENIOS

Për të përballuar epërsinë absolute në ajër të armiqve tanë të mundshëm, si dhe për të rritur në një shkallë të lartë rendimentin dhe edikasitetin e trupave të këmbësorisë, të artilerisë, të tankeve, etj, janë përpunuar bazat e fortifikimit të teatrit shqiptar të veprimeve luftarake. Në themel të tyre, qëndron domosdoshmëria për ta kthyer vendin tonë në një fortesë të pakapërcyeshme nga toka, deti, dhe ajri, të përshkuar nga një mori brezash paralel dhe tërthor frontit, të pajisur me rajone tepër të fortifikuara, duke përqendruar vëmendjen kryesore në radhë të parë në drejtimet e rëndësishme operativo-strategjike bregdetare dhe tokësore. Duke zbatuar me këmbëngulje këtë vijë themelore në fortifikim, deri tani janë arritur mjaft suksese. Zona taktike e mbrojtjes sonë, është pajisur me rajone tepër të fortifikuara në masën 40 përqind.

Artileria, është siguruar në pozicione zjarri tip tunel në masën 35 përqind, janë strehuar në tunele 88 përqind e tankeve, 85 përqind e municioneve, 25 përqind e karburanteve, etj. Për arritjen e këtyre rezultateve, krahas mobilizimit dhe shpirtit të sakrificës së njerëzve tanë, një kontribut të rëndësishëm është dhënë nga ndihma e pakursyer e popullit vëlla kinez. Mekanizmat dhe materialet e dhëna nga R.P. e Kinës, për këtë qëllim na kanë krijuar kushte që deri tani të mekanizojmë afro 30 përqind të punimeve për hapjen e tuneleve, rreth 20 përqind të betonit, dhe 15 përqind të punimeve për lëvizjen e dherave. Për ushtrinë tone, e cila siç dihet, ka resurse të kufizuara njerëzore, çështja e mekanizimit të punimeve fortifikuese është një problem me rëndësi jetike. Kjo, është e lidhur direkt me afatet e përgatitjes së vendit për mbrojtje. Pikërisht për këtë, ne shtrojmë problemin e mekanizmave të problemeve fortifikuese.

Kuptohet se duke pasur parasysh vështirësitë, dhe kërkesat tona për mjete, për rritjen e mëtejshme të mekanizimit të punimeve, parashikojnë një rritje për hapjen e tuneleve në masën 75 përqind, në betonime 60 përqind, dhe në lëvizjen e dherave 35 përqind. Me futjen në veprim të fabrikës së çimentos ushtrisë, do t’i takojë të hedhë në vepra të ndryshme çdo vit, rreth 100.000 ton çimento. Për të siguruar hedhjen e kësaj sasie në objekte, problemi i transportit është shumë i ngutshëm dhe serioz. Problemi i luftës me mina në drejtimin bregdetar, është shumë shqetësues për neve. Për këtë çështje së pari neve, na mungojnë minat anti-tank. Prodhimi i brendshëm na jep 40.000 mina në vit.

Ky ritëm, mund të plotësojë nevojat tona në vitin 1977, dhe së dyti na mungojnë plotësisht minat e profilit detar, si dhe mjetet e mekanizimit të minave në kohë të shkurtër. Gjithashtu deri në futjen në përdorin të Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ushtria ndodhet në vështirësi serioze për të siguruar hekurin e nevojshëm për fortifikimin. Për këtë qëllim kemi paraqitur kërkesën për 25.000 ton hekur betoni dhe prokate të ndryshme për 5 vjet. Siç dihet, ne industrinë ushtarake po e tunelizojmë. Kjo masë për kushtet tona, siguron qëndrueshmërinë e prodhimit edhe në kushtet më të vështira të situatës luftarake. Gjatë realizimit të kësaj detyre, kanë dalë mjaft probleme serioze që kanë të bëjnë me mekanizma e materiale të ndryshme.

NDËRLIDHJA

Zhvillimi i elektronikës, ka bërë që sot të ndryshojnë cilësitë e teknikës së ndërlidhjes, duke i bërë ato me përmasa të vogla me rendiment të lartë pune dhe me konsum të vogël energjie. Duke futur në armatimin tonë, teknikë të kësaj natyre do të përmirësohet në mënyrë të dobishme, sistemi i ndërlidhjes. Ajo do të jetë më e sigurt, më e plotë, më e manovrueshme, dhe do të zgjidhen shumë kontradikta të krijuara nga aparatura ekzistuese si, ajo e mungesës së valëve të punës, pjesëve të këmbimit, vështirësia e furnizimit me ushqim, etj. Me sasinë e kërkuar në mjete ndërlidhjeje, do të përmirësohet kompletimi i organikave të ushtrisë në masën 80-90 përqind. Në të gjitha rastet radio-ndërlidhja, nga batalionet e këmbësorisë e lart mendojmë të sigurohet me dy kanale, me valë të shkurtra dhe shumë të shkurtra.

Ndërsa në Komandën e Përgjithshme, në korpus e brigadat për të përmirësuar sistemin e drejtimit, mendojmë të vendoset ndërlidhje gërmëshkruese, dhe të zgjerohet ajo me radiorele, duke synuar në një ndërlidhje shpejt vepruese, automatike, dhe të sekretuar. Për disa drejtime taktiko-operative kryesore, mendojmë të organizohet dhe ndërlidhja televizive, kurse për sigurimin e ndërlidhjes me nëndetëset e zhytura, mundësisht të na sigurohen mjetet e nevojshme. Ne, mendojmë që në sistemin e ndërlidhjes telegrafonike duke e kombinuar atë dhe me ndërlidhjen radiorele, dhe aparaturë dendësimi të rrisim kanalet e punës, të zgjerojmë ndërlidhjen gërmëshkruese dhe të fusim në pajisjet e ushtrisë në instancat e larta, foto telegrafin.

Ritmi i ndërtimit të pikave të drejtimit në sistemin tunel, është shumë më i shpejtë nga mundësitë e pajisjes teknike të qendrave të ndërlidhjes, për punë në kushte të tilla. Gjendja aktuale e sigurimit të ushqimit, dhe e pjesëve të këmbimit të aparaturës së ndërlidhjes, siguron në masën 20-25 përqind të nevojave për një vit luftë, duke llogaritur që në këtë rast aparatura të punojë mesatarisht 5.000 orë në vit. Në kërkesë, parashikohet dhe zëvendësimi i një pjese aparature të vjetruar dhe sidomos ajo e anijeve të mesme dhe nëndetëseve të cilat, janë në punë prej 15-20 vitesh, pa ju bërë asnjë riparim kapital i nevojshëm.

RADIOLOKACIONI

Sistemi i zbulimit të fushës r/lokative, i përgjigjet idesë së ndërtimit operativo-strategjik të mbrojtjes së vendit. Ai, duhet të jetë i pandërprerë në të gjitha lartësitë dhe distancat, si dhe në përshtatje me terrenin dhe detyrat kryesore të tij. Në kushtet e terrenit tonë malor, tepër të thyer e me një vijë bregdetare afro 410 km. paraqet vështirësi, kërkon forca e mjete të shumta që të mund të krijohet një sistem zbulimi i plotë. Zbulimi i sistemit tonë ajror, me mjetet që kemi sot, për lartësinë deri 1.500 metra siguron një mbulim 20-25 përqind të hapësirës sonë ajrore. Ndërsa distanca midis postave radio-teknike është e rrallë dhe me intervale e zona të vdekura./Memorie.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura