Takimi, “Luarasi” bashkëpunim me universitetet italiane

Sep 13, 2017 | 8:26
SHPËRNDAJE

Rrjeti i bashkëpunimeve të kolegjit universitar “Luarasi” zgjerohet gjithnjë e më shumë me universitete jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Studimet dhe impelemtimi i projekteve të përbashkëta ishin fokusi i takimit të realizuar një ditë më parë midis rektorit të universitetit, prof.dr, Arben Malaj dhe Maurizio Poiselli, përgjegjës për bashkëpunimin ndëruniversitar në ambasadën e Republikën e Italisë.

Përfaqësuesi i Ambasadës Italiane në takim me rektorin prof.dr. Malaj te “Luarasi”
Përfaqësuesi i Ambasadës Italiane në takim me rektorin prof.dr. Malaj te “Luarasi”

Gjatë takimit në ambientet e “Luarasi”, u diskutua për mundësitë në rritje për përfitime konkrete dypalëshe për stafet akademike, për studentët e veçanërisht për rritjen e eksesit të universiteteve në projektet e kërkimit shkencor të financuara nga Bashkimi Europian.

“Luarasi synon bashkëpunim me universitetet italiane, të cilat janë me afër sfidave tona, më konkretisht në realizimin e bashkëpunimit me universitete italiane në fokusin e shkëmbimit të kapaciteteve dhe kërkimit shkencor në kuadër të Erasmus +; studime dhe implementimin e projekteve të përbashkëta, si dhe përthithjen e eksperiencës së institucioneve akademike italiane përmes programeve të ndryshme të bashkimit Europian”, nënvizon prof.dr.Malaj.

Në takimin me përfaqësuesin e Ambasadës Italiane për bashkëpunimin ndëruniversitar, u diskutuan gjithashtu shumë ide dhe mënyrën se si do të materializohen në projekte konkrete, për të cilat shpresohet suport akademik dhe financiar. Por, përfitimet nuk kufizohen vetëm në nivel akademik.

Nga bashkëpunimi dypalësh pritet të përafrohen njohuritë e studentëve të “Luarasit” me tregjet potenciale të punës e veçanërisht për biznesin italian, që ka një prezencë të rëndësishme në ekonominë e vendit.

Interesi i të huajve për “Luarasin” është tejet i lartë. Jo më larg se pesë ditë më parë, akademikë dhe studentë të universitetit të Kyto në Japoni zhvilluan një vizitë në universitet.

Nga takimi me rektorin prof.dr Malaj, u diskutua një bashkëpunim i mundshëm në identifikimin e mundësive të studentëve dhe pedagogëve të dy universiteteve dhe një marrëveshje për kërkime shkencore në nivel rajonal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura