Takimi i Vjenës dhe sfidat e stagnimit të Kosovës

Aug 28, 2015 | 13:15
SHPËRNDAJE

Behxhet Pacolli
Behxhet Pacolli
BEHGJET PACOLLI

Takimi i Vjenës midis vendeve të rajonit të Ballkanit, ku edhe Kosova merr pjesë, është një ngjarje e madhe për jetën tonë si shtet dhe për rajonin tonë. Ky takim, pjesë e Procesit të Berlinit, synon të ndërrojë rrënjësisht mendësinë tonë, vizionin tonë, duke na nxjerrë nga vetëmashtrimi ku gjendemi të gjithë: si rajon, si klasë politike, si shoqëri, si media të Kosovës. Ky takim është njëlloj shok terapie për atë që unë do doja ta quaj stagnim politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë, e pse jo të të gjithë rajonit.

Prej këtij takimi, prej mesazheve të miqve tanë perëndimorë gjatë punimeve të këtij Procesi, kam reflektuar për gjendjen ku ne dergjemi apo vegjetojmë. Kam reflektuar për shumë prej ideve, projekteve të mëhershme të miat, se sa do t’i shërbenin ato zhvillimit, nëse qasja e të gjithëve ne do të ishte krejt ndryshe.

Po çfarë është ky stagnim i cili më brengos?
E keni parë pasqyrën e ujit në një kënetë a në një moçal ku normalisht s’ka dallgë? Moçalet s’janë të thellë, kështu që erërat nuk mund ta lëvizin veçse pak sipërfaqen e tyre. Në to nuk lëviz asgjë, nuk ka shumë jetë. Madje ka këneta a moçale, në të cilat nuk ka kurrfarë jete. Të rrish në kënetë, domethënë të stagnosh.

Stagnim, kjo është fjala që e përafron këtë gjendje natyrore ku ne gjendemi. Stagnim është një fjalë që përdoret bukur shpesh në shumë fusha të mendimit. Stagnimi është sikur këneta, një gjendje e pandryshuar e gjërave për një kohë bukur të gjatë.
E tash politika e Kosovës, qeverisja e Kosovës, ekonomia e Kosovës është në stagnim. Përtej formulave demokratike, ngjan se Kosova është e dënuar të qeveriset nga të njëjtat parti të ashtuquajturat kryesore, që e bëjnë me radhë në pushtet.

Një herë njëra, një herë tjetra dhe sa më të fortë luftojnë mes vedi, aq më të fortë bëhen bashkë në qeverisje. Këto parti arrijnë të kontrollojnë votën e qytetarit nëpërmjet vendeve të punës në administratën e shtetit, nëpërmjet disa oligarkëve që u vihen në shërbim këtyre subjekteve për të ruajtur privilegjet e tyre. Këto parti arrijnë të sigurojnë dhe njëlloj pakti mosluftimi me bashkësinë ndërkombëtare, pasi janë dëgjues të bindur në çështje të nacionalizmit. Për paradoks, edhe partitë që janë në opozitë i shërbejnë qëndrimit më të gjatë të establishmentit kryesor në pushtet.

Sa më shumë rrinë në opozitë, aq më shumë antiperëndimore bëhen, aq më shumë të majta, aq më shumë u ofrojnë pretekste partive në pushtet të mbeten përjetësisht të tilla. Madje,edhe mediat i shërbejnë kësaj garniture politike. Ajo media që nuk është blerë, me llojin e kritikës që bën, i justifikon partitë që mbeten në pushtet prej një kohe bukur të gjatë dhe s’dihet kur do të largohen.

Me këto parti në pushtet, ekonomia nuk lëviz, veçse keqësohet. Pasi janë shitur shumë pasuri të Kosovës për një copë bukë, zhvillimi është ndalur. Rritja ekonomike prej 2-3-4% me para publike që hidhen për projekte të mëdha infrastrukturore nuk po sjell punësim, nuk po sjell zhvillim. Buxheti është i mjerë, pasi krijohet prej taksave që mblidhen nga qytetarët, dhe shërbehet për rroga të të mashtruarve të administratës publike, apo për projekte të mëdha infrastrukturore që nuk po sjellin përparim.

Ky zhvillim nuk po vjen, pasi zhvillimi duhet të vijë prej iniciativës private. Ky establishment nuk i do privatët, veçse ata që i shërbejnë këtij stagnimi politik. Me këtë stagnim ekonomik tash e 16 vjet, Serbia ishte dhe mbetet partneri kryesor ekonomik. Prej saj blejmë shumë artikuj kryesorë jetikë, blejmë energji, blejmë miell, blejmë ushqime. Bizneset e lidhura me Serbinë janë të fuqishme. Ato kanë media, kanë ndikim publik, kontrollojnë vota, e ato s’janë kurrqysh të interesuara të ndryshojnë këtë establishment.

Ato nuk e duan bashkimin ekonomik kombëtar, pse do humbnin pozitat e tyre në treg. Ato nuk duan të ndryshojnë rregullat e lojës politike dhe ekonomike. Ato duan që Kosova të zvarritet, me këtë garniturë politike, me këtë krizë energjetike, me këtë varfëri ekonomike, sepse vetëm në këto kushte ata dominojnë tregun. Kësisoj, qytetari nuk ka shpresë, megjithëse ka dëshirë për jetën, megjithëse e do shtetin e vet të ri dhe të pavarur. E kështu shpjegohet ikja, eksodi nga vendi ynë, njëlloj sikur ai të ishte në luftë. E tash kjo situatë po bëhet e papërballueshme për të gjithë ne, për të rinjtë, për punëtorët, për miqtë ndërkombëtarë. Jetojmë në një krizë të madhe të gjithanshme.

Rrugët për ndryshim që kalojnë kah zhvillimi ekonomik Partneritetet
Unë jam përpjekur ta ndryshoj rrënjësisht gjendjen nga brenda, por s’kam mundur. Me këtë qasje iu afrova politikës në 2007-n, pse nga jashtë ishte e pamundur t’i kontribuoje zhvillimit.  Nga çfarëdo pozite, unë kam qenë dhe mbetem i bindur se duke ecur në këtë rrugë si po ecet, ne thjesht do të stagnojmë, do të mbetemi në kënetë. Jam besimplotë se zhvillimi ekonomik është në themel të zhvillimit tonë shoqëror. Përparimi ekonomik duhet ta përcaktojë kursin tonë politik.

Unë nuk kam shpikur asgjë. Mjafton të shihet ecuria e Bashkimit Europian për të kuptuar se si, duke u mbështetur te vizioni ekonomik, është mundur të kapërcehet lufta, armiqësia franko-gjermane, nacionalizmat ekstreme të mëhershëm dhe është prodhuar zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe paqe. Në themel të Bashkimit Europian është pikërisht Komuniteti i Përbashkët i Çelikut dhe Qymyrit, ngritur mbi administrimin e përbashkët të pellgut qymyrguror dhe industrial të Ruhrit.

Rreth këtij pellgu, dikur pjesë e Gjermanisë, Franca dhe Gjermania kishin bërë sherre të mëdha. Pikërisht mbi konceptin e administrimit të përbashkët të atij pellgu u themelua Bashkimi Europian. Këtij modeli për Ballkanin, për relacionet shqiptaro-serbe i referohet Kryeministri Rama në vizionin e tij për rajonin. Sot politika në Kosovë, shërbyesit e stagnimit, aktorët e tij, nuk po kuptojnë, s’duan të kuptojnë se ekonomia është në themel të gjithçkaje.

Ekonomia është në themel të politikës, të interesit kombëtar. Kur negociohet me fqinjin, interesi kombëtar duhet të mbrohet. Duhet të mbrohet sovraniteti, dhe interesi ekonomik. Kështu ishte, sa për shembull, rasti i marrëveshjes për prefiksin. Sa humbëm dhe çfarë fituam? A ka ndonjë konsultim, a ka ndonjë ekspertizë për interesat tona ekonomike prej atyre që negociojnë? Pa llogaritje të interesit ekonomik, çdolloj marrëveshjeje që negociohet në Bruksel, edhe më e favorshmja, do të zhvlerësohet.

Pa mbrojtje të interesit tonë ekonomik, sipas një vizioni të orientuar kah Perëndimi, kah paqja, dy vendet tona do të kenë qasje antagoniste dhe Serbia do ta frenojë Kosovën me të gjitha format. Do ta frenojë me Asosacion Komunash, me pakicë bllokuese parlamentare, por mbi të gjitha, me ekonomi, duke ruajtur stagnimin tonë ekonomik, varësinë tonë koloniale. Zhvillimi ekonomik do të prodhonte paqe, stabilitet dhe lufta do të harrohej.

Pikërisht me këtë qasje pro zhvillimit, pro paqes, po zhvillohet Takimi i Vjenës, i të ashtuquajturit Proces i Berlinit, të cilit i prin Gjermania: të financohen projektet infrastrukturore që lidhin vendet e Ballkanit. Të zvogëlohen kësisoj armiqësitë e së shkuarës dhe të shikohet kah e ardhmja. Të krijohen partneritete!
Si ndërlidhet zhvillimi ekonomik në gjithë këtë vizion?, do të thotë dikush. Zhvillimi ekonomik arrihet nëpërmjet thyerjes së këtij zinxhiri qeverisës pa ngjyrë, pa vizion, të kapur peng prej interesave të stagnimit.

Zhvillimit ekonomik i shërbehet me guximin e ligjeve të reja nxitëse të biznesit, të ekonomisë, të ndërlidhjes më të mirë me botën. Zhvillimit ekonomik i shërbehet me skema të reja të partneriteteve publiko-private, me modele të reja bashkëpronësie, administrimi, menaxhimi, siç janë zonat e lira. Me këto skema të reja partneritetesh, duke përfshirë patjetër lojtarë perëndimorë, mund të veprohet madje dhe në ato asete të kontestuara nga Serbia.

Si do mund të zgjidhim pa një vizion ekonomik europian konflikte të tilla si ato për liqenet tona ujëmbledhëse, për kompleksin tonë metalurgjik “Trepçën”?
Unë besoj shumë se miqtë tanë europianë do të kuptojnë se nuk mund të investojnë më politikisht në forca politike, në politikanë që i shërbejnë stagnimit, që janë të kompromentuar me të shkuarën, që do na lënë mbrapa ekonomikisht. Miqtë tanë perëndimorë nuk mund të gënjehen gjatë me kontributet e tyre të rrejshme në favor të stabilitetit rajonal. Nuk është stabilitet, por ecje vendnumëro ky që prodhon emigrantë njëlloj sikur në Siri, që prodhon apo toleron ekstremizma të gjithëllojshëme, që shkatërron imazhin e një vendi, që do mund të ishte sot Zvicra e re e Ballkanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura