Takimi i parë me Skënder Jarecin dhe martesa me ikonën e futbollit/ Rrëfimi i Filda Mirditës, motrës së Edi Luarasit: Aty pashë një njeri që shiste…

Nov 1, 2022 | 13:58
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI

jreci

Ka qenë dhe mbetet një dashuri e madhe. Siç janë dashuritë e bujshme, të denja për skenarë filmash, libra, kronikat rozë të kohës. E tillë është ajo e Filda Mirditës, artiste, këngëtare, njohja, dashuria me Skënder Jarecin, një nga futbollistët legjendarë të kohës me Dinamon e kombëtaren. Një histori e patreguar, emocionuese, e tillë tingëllon edhe sot kur e dëgjon të rrëfyer me shumë pasion nga vetë Filda, një grua fisnike, që përlotet ndërsa nis e flet për jetën e saj, atë me bashkëshortin, kur thotë: “Kam pasur një burrë të mrekullueshëm, e kam dashur shumë, nga dita e parë e njohjes, deri në momentin kur ai u nda nga jeta. Edhe sot vazhdoj ta dashuroj”. Pastaj çastet e bukura, familja, sporti, vajzat, peripecitë, që me një kujtesë brilante, tejet e kujdesshme në detaje të pathëna më parë, i risjell për “Panorama”, lexuesit e saj. Bashkë me historinë e motrave Mirdita, adoleshenca, skena, rinia, dashuritë e tyre me njerëzit e njohur të spektaklit, sportit. Drama që goditi Edi Luarasin pas Festivalit të 11-të.

Zonja Filda, fillimisht për lexuesit, cilat kanë qenë motrat Mirdita?

Ne ishim dy motra, nga një familje e njohur, babai, Ndue Mirdita, i diplomuar për ekonomi në Vjenë, pastaj kolonel në kohën e Zogut. Si dhe mamanë, Cezarina. Unë isha vajza më e madhe dhe Edit, e njohur Edi. Kishim diferencë vetëm dy vite. Duke qenë dy motra që këndonim bashkë, kjo na bënte më të veçanta e të njohura na bëri skena e Estradës së Ushtarit. Jemi në Tiranën e fillimit të viteve ‘50-të. Pastaj dashuritë, martesat me dy njerëz të njohur: Unë me Skënder Jarecin, futbollistin e Dinamos, Edi me Mihallaq Luarasin, artist, regjisor, dramaturg, shkrimtar.

Bashkë në skenë, pastaj ndarja në jetë dhe profesion

Një rrugë artistike e filluar bashkë, pasionin për muzikën, këngën, artin, edhe pse pa një traditë familjare në këtë drejtim. Që në moshë të vogël, unë, Edi, këndonim në shkollën “11 Janari”, në Pallatin e Pionierëve, aty ku sot është shtëpia e Musa Jukës. Pastaj ndarja profesionale. Unë arsimtare, ajo artiste duke vijuar pasionin e saj të madh për artin, dhe Edi ka qenë një artiste e vërtetë. E talentuar, aktore, këngëtare, e formuar në çdo drejtim, jo vetëm artistik. E shkathët, organizatore, me iniciativë, me shpirt artistik, e dashur, protagoniste e gjithanshme, sa në skenë, në jetë, energjike, kudo. Nuk e meritonte dramën që e goditi. Atë, familjen e saj, të gjithë ne.

Do t’i rikthemi më pas asaj çfarë ndodhi me Edin, kam një kuriozitet: Emri Filda i veçantë, nga vjen, çfarë lidhje ka me ju?

Babai kishte miqësi më ushtarakë italianë, një ndër ta me një familje nga Torino, ku zonja e shtëpisë quhej Beatrice. Kur mamaja ishte shtatzënë me mua, ajo i tha që nuni i fëmijës do të jem unë pa e ditur që ishte djalë apo vajzë. Duke më vënë emrin, Jozefilda, nisur nga një këngëtare, valltare, aktore e njohur për kohën, Jozefinë Baker. Edhe pas luftës, gjatë regjimit komunist, mbajtëm marrëdhënie, ruajtëm miqësinë, më dërgonte veshje, si të isha vajza e saj, më ka trajtuar. Kujtoj se në ato vite isha e vogël, kam udhëtuar me avion për në Itali.

Jemi në kampin e Pionierëve në Durrës, nga ku nis historia…

Ka qenë viti 1952, as 14 vjeçe, ishim në kampion e Pionierëve në Plepa, Durrës e që ndodhej midis dy konvaleshencave, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Aty bashkë me ne qëndronte një muaj edhe Cirku i Tiranës. Midis aktorëve të cirkut ishte edhe Bardhyle Jareci, akrobate. Aty ndalonin sportistë, që kalonin, shëtisnin nga një konvaleshencë te tjetra, kur një ditë një djalosh e thërret Bardhylen, nisin të debatojnë dhe që neve na tërhoqi vëmendjen, duke parë e dëgjuar atë çfarë po ndodhte midis tyre. Pastaj ai u largua. U interesuam, se na erdhi keq për Bardhylen, kush ishte ai, kur na thanë se ishte vëllai, një sportist i njohur. Sa mirë që jemi dy motra e nuk kemi vëlla, thamë ne të dyja me njëra-tjetrën. Ky ka qenë momenti i parë me Skënder Jarecin.

filda jareci sot

Dy motra, këngëtare në Estradën e Ushtarit, të reja e shumë të njohura?

Nga vajza me gërsheta, kisha ndryshuar, tashmë me flokë të rregulluara, dhe Estrada e Ushtarit, aty ku ne bënim prova ishte te Rruga e Kavajës, një ndërtesë e lartë disakatëshe edhe sot aty është. Pak më poshtë, përballë Kishës Katolike ndodhej Klubi i Dinamos dhe sportistët për të vajtur në klub kalonin në atë rrugë. E shihja atë tip, ndonëse nuk e njihja, më pëlqente, unë shumë e re, më tërhiqte ana estetike, veshja, pamja e jashtme e tij. Ishte një djalë i veshur mirë, shik, i rregullt, serioz. Më bënte përshtypje, ndonëse në kampin e pionierëve e kisha parë, por pa e fiksuar.

Lutfi Hoxha, një aktor, bëhet shkesi për ju?

Në Estradën e Ushtarit, ishte një aktor, Lutfi Hoxha, quhej, kur një ditë duke biseduar me të, më informon se ai sportisti ishte kushëriri i tij, quhej Skënder Jareci, që mua m’u kujtua nga kampi i pionierëve. Luti i thotë Skënderit, që në Estradë është një vajzë e mirë për ty. 16-17 vjeç isha, rreth viteve ‘55 ka qenë. Na njihnin si dy motrat Mirdita që këndonim, pasi sportistët ishin ndër më pasionantët që ndiqnin shfaqet artistike. Aty ne këndonim këngë nga ato të muzikës së lehtë, popullore dhe të huaja. Nisur nga çfarë i kishte thënë Lutfiu, Skënderi filloi t’i frekuentonte shfaqet tashmë më me interes. Isha e informuar, si një njeri, futbollist i njohur jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shqipëri, ndërsa unë një vajzë e re, jo aq e famshme si ai.

E kujtoni kur jeni takuar për herë të parë?

U takuam te Banka Shqiptare, shtator ka qenë, mesditë. Kisha shumë emocion, siç janë takimet e para me një të panjohur ende mirë. Nga banka morëm rrugën drejt Shallvareve. Disa fëmijë, të rritur e panë që ishte më një femër e njohën, nisën të bërtasin në korr “Jareci, Jareci, Jareci”. Isha e hutuar, nuk dija ku t’i çoja sytë. Aty pashë një njeri që shiste gështenja të pjekura. Ai më pa dhe bleu dy kaushë. Ky ka qenë takimi i parë me të.

Familja, mamaja, motra Edi, si e pritën dashurinë tuaj?

Filluam ta pëlqenim njëri-tjetrin, mua më shumë. Nisëm të takoheshim te parku “Naim Frashëri”, në mbrëmje kur Skënderi mbaronte stërvitjen. Mamasë fillimisht nuk i thashë asgjë. Por ajo shihte ndryshime në sjelljen, veshjen time, dyshonte, por pa më pyetur. Ai vinte, vërshëllente poshtë shtëpisë ajo e dëgjonte, dilte në dritare. Në një rast, Skënderi u zu ngushtë dhe nisi të çalonte. Jo tha mamaja nuk qenka ky. Ç’ne vajza ime me të. Ndërsa Edit i kisha treguar, duke u shprehur se më pëlqen Skënderi. Edi më besonte shumë mua, si motra e madhe, dhe çfarë kishte m’i thoshte si edhe unë asaj. Pasta ia kemi treguar mamasë, që edhe ajo e aprovoi, pa më kundërshtuar.

E pëlqente Skënderi që ishit këngëtare, ta kishte gruan artiste?

Më trajtonte shumë mirë, tregohej i kujdesshëm, me të isha gjithmonë e mbrojtur. Njeri pozitiv në çdo drejtim. Nuk kishte asnjë paragjykim, bashkëshorti një artisteje të njohur, apo jo. Përkundrazi! Por, jetën më të e kam të lidhur më shumë edhe si mësuese, një profesion që e kam dashuruar, ushtruar me shumë përkushtim. Edhe Skënderi e pëlqente profesionin e arsimtarit, e vlerësonte, e për çdo problem, shqetësim në shkollë, me nxënësit, e kisha pranë, diskutonim.

Shkonit në stadium, i ndiqnit në ndeshje?

Me sportin nuk kam pasur asnjë lidhje, traditë familjare. Pastaj diçka ndryshoi. Në stadium shkoja, por rrallë. Në një takim, në stadiumin “Dinamo” ka qenë, më kujtohet më hodhi një buqetë me lule. I morri dikush, dhe mi solli, janë për ju më tha. E prisja kur kthehej nga ndeshjet, nuk flija, deri sa të hapej dera e të futej. Për ditëlindje më sillte lule, kurrë të harronte.

Cilat ishin preferencat, si e organizonit ditën, javën?

Dita e hënë ishte ditë pushimi për sportistët. Kur fitonte, atë ditë mundet të dilnim, të shkonim në kinema apo në një lokal, nëse humbiste jo, qëndronim në shtëpi. Në familje, nuk bënin shumë biseda sporti, ishte i rezervuar nuk donte që problemet në klub, shqetësimet në skuadër, t’i përcillte edhe tek unë.

Vjen ndarja me Edin, ju transferoheni në Ansambël, ajo në Institutin e Lartë të Arteve.

Ka qenë rreth viti 1956, kur nga Estrada e Ushtarit, u ndava me Edin, pasi unë shkova në Ansamblin e Këngëve e Valleve, si koriste, kurse ajo kishte dëshirë të bëhej aktore, vazhdoi Institutin e Lartë të Arteve në Degën e Dramës. Në ansambël qëndrova për një kohë të shkurtër, pasi më nxorën biografinë dhe më larguan. Isha e fejuar me Skënderin mbeta pa punë. Një drejtor, anëtarë i kryesisë së klubit te Dinamo, merr vesh dhe një ditë e pyet Skënderit: E ke pa punën gruan? Kemi një vend për mësuese i tha. U angazhova menjëherë, nisa Fakultetin e Shkencave për Biologji-Kimi, me bursë. Mbarova, fillova mësuese te “Kushtrimi i Lirisë”, shkollë 8-vjeçare, pastaj për shumë vite te “7 Marsi” deri kur dola në pension.

Fejesa, martesa, me bujë ajo e një artisteje me një futbollist shumë popullor?

Jo, nuk bëmë dasmë. Ishte Viti i Ri, 1958, organizuam një darkë me miq e shokë në hotel “Dajti”. Isha në fakultet, jepja provime, Ivën ma mbante vjehrra. Për disa vite kemi jetuar bashkë në një apartament, me dy vëllezërit, Namikun dhe Adnanin, beqarë, vjehrrën një grua e aftë. Skënderi e Namiku kanë luajtur për disa vite në një formacion te “Dinamo”, madje më pas Skënderi vazhdoi të ishte edhe trajner i tij. Ndërsa motra, Bardhylja, ka qenë kampione e gjimnastikës, akrobate nga të parat me cirkun e Tiranës, përkrah T. Agollit, B.Kurtit etj.

Keni dy vajza, madje njëra sportiste e njohur?

Shpejt u bëmë prindër, fillimisht me Ivën, që lindi më 1958. Pastaj me Inën, kur ishim në Shkodër. Bashkë me vajzat kemi jetuar të lumtur. Skënderi i adhuronte, kujdesej për to. Ina vijoi sportin, si volejbolliste me klubin e “Dinamos”, kombëtaren, deri kur u largua për në Bari të Italisë, gjatë eksodit masiv të ‘90-tës, ku jeton edhe sot.

Iva, Ina, dy emra thuajse njësoj, shumë interesant, jam kurioz, ka ndonjë motiv?

Emri i Ivës ka një histori të veçantë. Atë ia vuri një inxhinier çek që punonte në Tiranë për ndërtimin e uzinave. U njohëm në hotel “Turizmi”, plazh Durrës, ku shkonim edhe ne. Ai ishte tifoz i Dinamo, kishte një djalë, Ivo. Do të bëhem nuni i vajzës tuaj na tha dhe pasi unë linda, nga Ivo djali i tij, ai ia vuri Iva vajzës sonë.

E keni takuar më pas me familjen, nunin, ai që i vuri emrin vajzës tuaj, që edhe në këtë rast, një i huaj, një histori e ngjashme edhe me emrin tuaj, znj. Filda?

Ivo ka dashur, ka tentuar të vijë në Tiranë, të na takonte, ka qenë viti 1975, por nuk e lejuan, nuk janë këtu i thanë dhe ai nuk erdhi. Ndërsa Skënderi e ka takuar në Çeki kur ka qenë me sportin, babain e tij, inxhinierin. Na dërgonin kartolina për Vitin e Ri, pako për datëlindjen time, mbajmë lidhje edhe sot me Ivon, që për një kohë ka qenë ambasador në Meksikë.

Një pyetje, më folët për në Shkodër, pse atje?

Ka qenë viti 1965 kur shkuam në Shkodër dhe aty kemi qëndruar një vit, o diçka më shumë. Skënderin e caktuan si trajner të Vllaznisë. Për të mos e lënë vetëm, vajta edhe unë me vajzën Iva, tashmë 8-9 vjeçe. Ai ka qenë një vit i paharruar, sa mirë na kanë mbajtur, e kemi kaluar, sa shumë na kanë dashur, çfarë trajtimi na kanë bërë. Na dhanë një apartament të ri.

Kadri Hazbiu, shfaqet emri i ish-ministrit të Brendshëm?

Kur na njoftuan se Skënderin e kanë caktuar në Shkodër, e shqetësuar pa i thënë atij, duke menduar se transferimi aty do të ishte përfundimtar, i dola përpara Kadri Hazbiut, ishministër i Brendshëm asokohe. E prita të dera e shtëpisë, kur erdhi, nuk më njihte, rojet më ndaluan, por, ai më thirri, dhe pasi iu prezantova, “pse po e dërgoni në Shkodër, Skënderin”, e pyeta. Nuk është problem më tha, mos u shqetësoni, sa të jem unë ministër, ju nuk do largoheni, nuk do të lëvizni, do të qëndroni në Tiranë, mos u bëni merak. Në Shkodër do të jetë përkohësisht. Duam të ndihmojmë Vllazninë. Mesa kujtoj më 1966, Vllaznia fitoi Kupën e Republikës. Kur u kthyem në Tiranë, morëm një apartament, atë ku jetoj sot.

Janë vitet e dashurive të mëdha, si ajo e balerinës Mediha me një futbollist edhe ky i Dinamos, Stavri Lubonja, pra, të një artisteje me një sportist të njohur, e ngjashme si edhe e juaja?

Po, e vërtetë, madje me Medin dhe Stavrin kishin shumë miqësi. Ka qenë e mbeten ende një çift simpatik, shumë të dashuruar e që sot jetojnë në SHBA. Me Skënderin kam ndarë, diskutuar gjithçka. Sensibël, shumë i veçantë, nuk mund ta krahasoj me asnjë. I edukuar, korrekt me njerëzit, i sjellshëm, i rregullt, i dashur më të gjithë. Kishte një shpirt të madh. Ai ishte një njeri me vlera të rralla, i përkushtuar në sport, familje e shoqëri, deri edhe në çastet e fundit para vdekjes kishte dëshirë që të jepte edhe jetën për sportin. Shumë mik me Vangjel Kojën, pëlqente shahun, një pjesë të kohës së lirë e kalonte te salla e shahut.

Flasim pak për Editin, motrën tuaj?

Edi u fejua martua para meje. Shkonim shumë mirë jo vetëm si dy motra por edhe Skënderi me Mihallaqin kanë pasur një miqësi, respekt për njëri-tjetrin. Mihallaqi u bë tifoz i Dinamos, ndiqte ndeshjet, ndërsa ne gjithmonë së bashku, frekuentonim shfaqjet për të parë Edin, Mihallaqin. Diskutonim, pas shfaqjeve.

Nëse i rikthehemi ngjarjes, dramës që goditi familjen Luarasi, Edin, Mihallaqin, si e keni përjetuar?

Askush nuk e mendonte çfarë do të ndodhte pas Festivalit të 11-të. Kujtoj entuziazmin e Edit, artistëve, këngëtarëve, atmosferën e krijuar pas tij. Pastaj goditja fatale, më shumë se një dramë, për çfarë ngjau, e përcolli. Ai ka qenë një ndër momentet më të vështira, fatkeqe që e rëndoi shumë situatën për të, Mihallaqin, familjen e tyre, por edhe për ne. E kemi përjetuar mjaft keq, në veçanti Skënderi. I dha një goditje shëndetësore, pas së cilës nuk e mori veten.

Më treguat se për të ndihmuar Edin, fëmijët e saj, filluat të jepnit edhe gjak?

Edin e braktisën thuajse të gjithë, pak miq i qëndruan afër. Ne sigurisht, të pandarë edhe pse ishim, u krijua në një situatë frike, terrori, ankth, pasiguri, gjithçka e kufizuar. Preokupacion, shqetësim ishin fëmijët. Kujdeseshim për ta, i merrnin në plazh, kudo ku shkonim. Kemi dhënë gjak, për të siguruar të ardhura, për të blerë, trajtuar Edin, me fëmijët e saj. Ajo punonte në një rrobaqepësi në Tiranë, kurse Mihallaqi përfundoi në burg. Edin e hoqën edhe nga shtëpia. Mendoni unë dhe Skënderi si e kemi përjetuar. Bënin letra anonime për Skënderin, biografinë e tij dhe ja dërgonin Ministrisë së Brendshme. E dërguan në Durrës, pastaj u kthye te Dinamo.

Papritur shfaqet sëmundja, Skënderi i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale

Kishte shqetësime në stomak. Bëri ndërhyrje kirurgjikale, te doktor Elezi, miku i tij. Doli nga spitali, 9 muaj ishte mirë. Por, një ditë, ndërsa qëndroja me një mjeke, një mike të familjes e që ishte në dijeni të plotë e informuar për gjendjen shëndetësore më thotë: Filda, Skënder ka një sëmundje të rëndë, pa shërim, duhet të përgatitesh. Mendoni çfarë shoku, goditje për mua. Nuk i rashë në sy, e mbaja, ruaja në vetvete dëshpërimin. Bashkë me vajzat. Lot pa fund, por asnjëra të më shihte. Ka qenë mars, 1984, kur u ndamë.

Një histori dashurie që meriton pa dyshim medaljen e artë, që kujtohet me nostalgji nga brezi juaj e pak e njohur dhe për atë të sotëm

Asnjëherë një fjalë e rëndë, asnjëherë të ma prishte qejfin. Ruaj një ditar të tij. E kujtoj gjithmonë me biçikletën, shumë e preferuar për të. Një jetë e kaluar bashkë, të lumtur, pa u ndarë për asnjë çast, që zgjati deri ditën që u nda nga jeta. Ai ka qenë dashuria e jetës sime dhe unë e tij. Sa më shumë koha kalon dhe ai më mungon, aq më shumë e kam afër, edhe sot, ndjehem, jam ende e dashuruar me të.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura