Takimi i grave deputete të rajonit, Bregu thyen bojkotin e PD-së

Apr 28, 2016 | 8:05
SHPËRNDAJE

Deputetet demokrate Majlinda Bregu dhe Albana Vokshi kanë vendosur të jenë në seancën plenare në Asamblenë Rajonale të Grave Parlamentare, pavarësisht bojkotit të PD-së.

Dje gjate aktivitetit
Dje gjate aktivitetit

Vendimi për të marrë pjesë në këtë seancë të veçantë nuk është konsideruar si “thyerje” e bojkotit nga vetë përfaqësueset e PD-së, të cilat të kontaktuara nga “Panorama” kanë theksuar se aktiviteti i djeshëm nuk ka lidhje me vendimin e PD-së për të bojkotuar punimet e Kuvendit.

“Vendimi i Grupit Parlamentar është që të bojkotojë punimet e Kuvendit për 10 ditë. Secili prej nesh i është përmbajtur këtij vendimi, ndërkohë që Asambleja Rajonale e Grave Parlamentare është një aktivitet ndërkombëtar. Anormale do të ishte nëse ne si përfaqësuese të opozitës nuk do të merrnim pjesë”, sqaron Bregu për “Panorama”.

Sipas kryetares së Integrimit në Kuvend, çështjet e grave janë çështje njerëzore dhe për aq kohë sa është kështu, pjesëmarrja në këtë seancë speciale nuk duhet parë si thyerje bojkoti. Të njëjtën gjë konfirmon edhe kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend, Albana Vokshi.

Për “Panorama”, deputetja demokrate pranon se ka vënë në dijeni kreun e Grupit Parlamentar, Edi Paloka, për këtë pjesëmarrje dhe për aq kohë sa bëhet fjalë për një konferencë ku në qendër ka qenë gruaja, nuk ka pasur asnjë kundërshtim.

“Ky aktivitet s’ka lidhje me axhendën politike të PD. Ne bojkotin e vazhdojmë. Unë edhe përgjatë konferencës së djeshme sqarova se opozita është në bojkot politik, por kjo nuk ka lidhje me çështjen e statusit të grave, çështje të cilën PD e ka në fokus”, shprehet Vokshi.

Pjesëmarrjen në konferencën e djeshme, Vokshi e cilëson edhe si një mundësi që përfaqësueset e opozitës kishin për të treguar statusin dhe rolin e gruas sot në shoqëri.

“Nuk janë të pakta gjërat që kanë nevojë të rishikohen sa i takon rolit të gruas. Politikat qeveritare unë i konsideroj të dështuara për aq kohë sa gruaja shqiptare në këto 3 vite ka një status të përkeqësuar. Sot ka një papunësi në nivelet 30-50%, mungesë aksesi në shërbimet sociale, diskriminim etj”, sqaron deputetja e PD-së.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura