Meta tregon takimin 30 minutësh me Ramën: Të përfundojë sa më shpejt vetingu për Kushtetuesen

Jun 14, 2018 | 13:30
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë pas takimit që ndodhi mbrëmjen e djeshme me kryeministrin Edi Rama.

Pas një takimi që ka patur sot, Meta ka deklaruar për mediat se në takim është diskutuar për negociatat me Greqinë.

meta

“Takimi i djeshëm me Ramën ka qenë normal, janë diskutuar disa cështje, kryesisht lidhur me rëndësinë e çeljes së negociatave, ku shpresojmë në një vendim pozitiv. Natyrisht edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, kemi diskutuar, por jemi në një proces për të marrë vendime të mëtjeshme, pasi Presidenca pret informacione edhe më të plota, sipas standardeve më serioze, që meriton kjo cështje. Shpreh kënaqësinë për konfirmimin e zotit Dedja te Gjykata Kushtetuese, është i merituar. Dua të nënvizoj rëndësinë e vettingut për anëtarët e Kushtetueses. Është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një gjykatë funksionale për t’i dalë për zot Kushtetutës së vendit. ”, tha Meta.

Prononcimi i plotë

Pyetje: A është mbyllur marrëveshja me Greqinë, çfarë piketash ju ka thënë zoti Rama dhe a do jepni ju vulën përfundimtare?

Presidenti Meta: Takimi i djeshëm me kryeministrin Rama ka qenë një takim normal, ku janë diskutuar çështje të ndryshme, kryesisht lidhur me rëndësinë e çeljes së negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, ku shpresojmë se një vendim pozitiv, në mbështetje edhe të rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian do të merret gjatë këtij muaji. Dhe natyrisht që kemi diskutuar edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, por jemi në një proces për të marrë vendime të mëtejshme, pasi Institucioni i Presidentit pret informacione edhe më të plota, sipas standardeve më serioze që meriton rëndësia e kësaj çështjeje.

Pyetje: Zoti President, a mund të nënshkruhet kjo marrëveshje në kushtet kur vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese?

Presidenti Meta: Në radhë të parë dua të shpreh kënaqësinë për konfirmimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese zotit Dedja, i cili jam i bindur se është mëse i merituar dhe besoj se pas këtij procesi mund të shprehemi se nuk mund të ndikojmë, por dua të nënvizoj rëndësinë e përfundimit nga institucionet e rivlerësimit kalimtar, pra të institucioneve të Vettingut të të gjitha procedurave për të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që janë shqyrtuar në shkallën e parë, por që ende nuk janë marrë në shqyrtim, pasi është e domosdoshme që të kemi sa më shpejt një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të përgjegjshme, për t’i dalë për zot Kushtetutës së vendit dhe të gjithë debateve lidhur me kushtetuetshmërinë e ligjeve apo të akteve të ndryshme.

Dhe në këtë drejtim padyshim dua të nënvizoj edhe një herë pas mjaft kohësh, edhe kërkesën që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të funksionojë sa më shpejt për të vlerësuar kandidaturat, të cilat janë paraqitur në përputhje edhe me procedurat kushtetuese e ligjore si nga Presidenti i Republikës, ashtu edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pyetje: Z. President, ju dhatë një mesazh për dhurimin e gjakut, ndërkohë që opozita vazhdon akuzat për dhurimin e detit nga ana e mazhorancës. A do të vazhdojë Presidenti të jetë me vijën e kuqe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ehe kur të vijë materiali për firmë dhe për dekret?

Presidenti Meta: Unë dëshirojë të theksoj rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje, sepse kjo është shumë e rëndësishme për të dyja vendet, jo vetëm si tejkalim i një problemi të mbartur, por edhe si çelje e mundësisë dhe perspektivës për menaxhimin dhe shfrytëzimin e këtyre të mirave qytetare apo natyrore. Kështu që të gjitha vendimet e Institucionit të Presidentit do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje dhe me përgjegjësitë që i takojnë këtij institucioni ashtu sikurse edhe të gjithë institucionet e tjera kanë përgjegjësitë e tyre të cilat do t’i ushtojnë në kohën e duhur.

Pyetje: Z. Meta, çfarë informacioni ju duhet më shumë nga z. Rama, pasi siç thatë ato të djeshmet nuk ishin serioze? Çfarë ju mungon për të dhënë vendimin tuaj përfundimtar?

Presidenti Meta: Së pari, Kryeministri Rama nuk ka ardhur për të informuar për ecurinë e negociatave, sepse ai nuk është përgjegjës apo negociator i drejtpërdrejtë në këto çështje.

Ne thjesht kemi bërë një vlerësim të situatës së deritanishme dhe perspektivës për të ecur drejt mundësisë së finalizimit të një marrëveshjeje sa më shpejt të jetë e mundur por gjithmonë në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese kështu që çështja e komunikimit deri tani sa i takon informacioneve ka qenë me Ministrinë për Punët e Jashtme dhe Evropës pasi ajo ka qenë koordinatorja dhe përgjegjëse e këtij procesi.

Pyetje: Z. Meta, a është diskutuar në takimin tuaj lajmi i publikuar në disa media ndërkombëtare se Shqipëria mund të kthehet në një kamp për rehabilitimin e ish-luftëtarëve të ISIS?

Presidenti Meta: Nuk e kemi diskutuar këtë çështje. Unë mendoj se çdo vendim duhet të merret në dialog të qeverisë me parlamentin me të gjitha institucionet e tjera, pasi çdo marrje përsipër e përgjegjësive të tilla duhet të gëzojë edhe një konsensus.

Pyetje: Në dijeninë tuaj President, a është falur deti siç thotë z. Berisha?

Presidenti Meta: Unë nuk dëshiroj të bëhem pjesë e komenteve dhe e debateve. Është e rëndësishme që në këtë çështje të ecim në mënyrën më transparente më të përgjegjshme pasi është një çështje në interes publik, është një çështje në interes kombëtar, por padyshim që është edhe një çështje që ka kontributin e vete në gjithë rolin dhe angazhimin e Shqipërisë si një vend që punon për fqinjësi të mirë, për stabilitet dhe për bashkëpunim rajonal.

Pyetje: Z. President, në autorizimin tuaj ju kishit renditur 21 pika që i linit si detyrë grupit negociator të Ministrisë për Punët e Jashtme dhe Evropën për t’i përmbushur para se grupi të ulej në tryezën e negociatave. A janë plotësuar të gjitha këto kërkesa në dijeninë tuaj?

Presidenti Meta: Ne jemi jo vetëm në bashkëpunim apo dialog të vazhdueshëm, por edhe në një marrëdhënie tepër korrekte dhe të qartë edhe formale përsa i takon ndjekjes së angazhimeve të deritanishme.

Pyetje: Po çështja e teatrit Kombëtar a është diskutuar në takimin e djeshëm në kushtet kur artistët kanë kërkuar ndërhyrjen dhe mbështetjen tuaj për këtë kauzë?

Presidenti Meta: Besoj se qëndrimi im si President ka qenë shumë i qartë dje, por edhe më përpara. Jam i bindur që dialogu është i domosdoshëm aq më tepër që edhe Kryeministri ynë vjen nga komuniteti i artistëve.

Pyetje: Z. President, ju përmendet faktin që me Kryeministrin Rama keni folur edhe për hapjen e negociatave. Mendoni që qeveria ka bërë mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin në mënyrë që Këshilli Evropian pas dy javësh të ketë një vendim pozitiv për Shqipërinë?

Presidenti Meta: Unë mendoj se në cilindo rast çelja e negociatave ë ndihmon Shqipërinë që të adresojë edhe më mirë edhe më me efikasitet edhe luftën kundër korrupsionit edhe kundër krimit të organizuar edhe reformën në administratën publike, pra në të gjitha çështjet kyçe të vetë ecurisë së integrimit dhe të anëtarësimit dhe në çdo rast negociatat do të fillojnë me ata kapituj sensitivë ku në qendër të vëmendjes janë pikërisht këto çështje. Dhe mendoj që çelja e negociatave, ashtu sikurse edhe vetë opozita pavarësisht nga dallimet apo kritikat që ka ndaj qeverisë, e ka thënë besoj në mënyrë të qartë edhe konstruktive që çelja do ta ndihmojë Shqipërinë për t’i adresuar këto fenomene më mirë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura