Takim me menaxherin, Juventusi tenton të joshë kampionin e Europës

Dec 3, 2021 | 11:09
SHPËRNDAJE

Juventusi ka nisur kontaktet me Çelsin për mesfushorin Zhorzhinjo për një transferim të italo-brazilianit në Itali verën e ardhshme.

zhorzhinjo italia

“Calcio Mercato” raporton se drejtuesit e Juves kanë kohë që ndjekin kampionin e Europës. Kontrata e 29-vjeçarit në “Stamford Bridge” skadon në vitin 2023 dhe blutë e Londrës nuk i kanë nisur ende kontaktet për rinovimin e marrëveshjes me zëvendëskapitenin.

 Këto vonesa i kanë dhënë zë spekulimeve dhe i kanë hapur derën bardhezinjve për të regjistruar interesin e tyre. Kontaktet janë vendosur me menaxherin e futbollistit të cilin e kanë dashur që në vitin 2019, kur transferuan ish-trajnerin e tij, Mauricio Sarrin. Tekniku, sot në stolin e Lacios, u transferua në “Stamford Bridge” një vit më herët dhe e mori Zhorzhinjon me vete nga Napoli.

Që të dy, ata nuk u bënë dot figura të dashura për tifozët e Çelsit, të cilët ndiheshin se Zhorzhinjo trajtohej në mënyrë të preferuar nga mesfushorët e tjerë. Por, me largimin e Sarrit, ai u bë një figurë e rëndësishme në ekipin e Frenk Lampardit. Me uljen e Tomas Tuhelit në stol në fillim të këtij viti, Zhorzhinjo u bë akoma më i rëndësishëm në skuadër.

Dhe pasi fitoi Ligën e Kampioneve dhe Europianin me Italinë në verë, emri i tij u rendit në vend të tretë në listën e fituesve të “Topit të Artë”, vetëm pas Lionel Mesit dhe Robert Levandovskit. Tuhel e konsideron lojtarin motorin e makinerisë së tij njeriun që ka shënuar 21 gola në 159 ndeshje me blutë, të fundit në barazimin 1-1 kundër Mançester Junajtidit të dielën.

Por, me klubin që nuk është ulur ende për të negociuar një kontratë të re, Zhorzhinjo mund të tundohet për të bërë një rikthim spektakolar në Serinë A.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura