Takaj takohet me Dajën, zbardhet plani i Skënderbeut pas tronditjes nga KAS-i

Jun 18, 2018 | 23:36
SHPËRNDAJE

Skënderbeu ka filluar të mendojë për të ardhmen, duke parë edhe dilemën e fundit për vijueshmërinë. Për të shmangur çdo paqartësi, drejtuesit bardhekuq kanë filluar të bëjnë takime intensive me stafin teknik dhe lojtarët për të ndërtuar sërish një ekip kompetitiv për sezonin e ardhshëm. I pari që ka preferuar të takojë presidentin Ardjan Takaj ka qenë pikërisht trajneri kampion, Ilir Daja.

Skenderbeu

Dukshëm edhe i “trembur” disi nga interesimi konkret i Flamurtarit, Takaj ka kërkuar që të bindë trajnerin të qëndrojë në radhët e kampionëve. “Panorama Sport” është munduar të kontaktojë me palët, por askush nuk ka pasur komente në lidhje me takimin e zhvilluar dje. Gjithsesi, burime pranë klubit bardhekuq, bëjnë me dije se ky ka qenë takimi i parë mes palëve, por që nuk ka nxjerrë asnjë konkluzion. Presidenti dhe trajneri kanë folur rreth së ardhmes vetëm në parim, teksa është lënë që palët të takohen sërish në ditët në vijim. Pritet që sot të jetë një ditë decizive, nëse bashkëpunimi do të vijojë apo marrëdhëniet do të mbyllen këtu, pas një sezoni super të suksesshëm, ku pa dyshim merita më e madhe i takon trajnerit Daja, që fitoi dy trofe.

PLANI – Në një situatë kur pritet që të vendoset gjithçka nga fillimi, duke nisur nga trajneri e deri te konfirmimi i lojtarëve, klubi i Skënderbeut ka planet e veta për të ardhmen. I mbështetur dukshëm te seanca dëgjimore e KAS-it, që do të tregojë shumëçka për të ardhmen e Skënderbeut, verdikti mendohet se do të jepet vetëm pas muajit tetor nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv. Gazeta mëson se drejtuesit kanë dy plane në kokë. Nëse vendimi i KAS do të jetë negativ për Skënderbeun, duke lënë në fuqi dënimin e dhënë nga UEFA, bardhekuqtë do të vijojnë apelimin në shkallën e fundit, pra në Gjykatën Federale në Zvicër. Një apelim në këtë gjykatë do të thotë zgjatje e procedurave ndoshta për disa vite, ndërsa në anën tjetër klubi do të vijojë të punojë, por sigurisht me një ritëm tjetër.

Qëndrimi jashtë Europës do të thotë rrënim ekonomik i klubit. Kjo do të ndryshojë mënyrën e punës, teksa Skënderbeu do të kërkojë të ndërtojë një ekip me lojtarë të rinj me perspektivë, duke i dhënë shumë mbështetje marketingut të lojtarëve, projekt nga do të sigurohen të ardhurat për vijimësinë. Por, sigurisht nëse KAS vendos të shpallë të pafajshëm klubin bardhekuq, atëherë korçarët janë të bindur se do të nisin një epokë të ndritur. Kjo edhe për shkak të dëmshpërblimit të majmë që sjell pafajësia në këto raste. Pra, nëse Skënderbeu ia del të rrëzojë në KAS vendimin e dhënë nga UEFA, kjo e fundit duhet të dëmshpërblejë Skënderbeun me një shumë të barabartë me klubin që fiton Ligën e Kampioneve.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura