Tahirit i bllokohet pasaporta, zbardhen përgjimet e reja: “100 mijë euro byzylykë”

Dec 13, 2017 | 14:41
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk do të mund të udhëtojë më jashtë vendit pa marrë leje fillimisht nga Gjykata. Krimet e Rënda kanë caktuar ditën e djeshme një masë sigurimi personal ndaj ish-ministrit, që e ndalon atë të udhëtojë jashtë territorit të Shqipërisë.

Po kështu, Gjykata ka urdhëruar Prokurorinë që të bllokojë edhe pasaportën e ish-ministrit Tahiri. Vendimi është marrë dje me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka dërguar në Gjykatë një material me të gjitha provat e saj për personin nën hetim, Saimir Tahiri.

auto_Orest_Sota_21509871913

Sipas Prokurorisë, Tahiri dyshohet se ka favorizuar Habilajt që të kultivonin dhe trafikonin drogë gjatë periudhës që ka qenë ministër i Brendshëm. Në dokumentin e Prokurorisë, listohen disa prova të forta nga organi i akuzës. Të parat janë përgjimet e kryera nga Prokuroria e Katanias kundrejt grupit të Habilajve, ku përmenden dhurata dhe bizhuteri, që pjesëtarë të grupit do t’ia dhuronin Tahirit.

Gjithashtu, mjeti, i cili përdorej nga Habilajt ka qenë i ish-ministrit Tahiri dhe rezulton se ai ka lëvizur me të edhe pasi e ka shitur pa akt noterial të të afërmit e tij. Pjesë e provave janë edhe të dhëna nga sistemi TIMS, ku Saimir Tahiri rezulton se ka lëvizur jashtë vendit me Orest Sotën, biznesmenit, të cilit Policia i gjeti 863 mijë euro të pajustifikuara në mjet.

Për origjinën e parave, Prokuroria dyshon se lidhen me ish-ministrin dhe se vijnë nga aktiviteti kriminal i shitjes së drogës. Tashmë, ish-ministri Tahiri pritet që të merret në pyetje nga Krimet e Rënda brenda pesë ditësh pas kësaj mase, si edhe ka të drejtë edhe ta ankimojë në Apel. “Panorama” sjell të plotë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në të cilin janë të listuara edhe provat që ka Prokuroria për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri

FAKTET PENALE

Autoritetet italiane të drejtësisë, duke filluar nga vitit 2013 e në vazhdim, hetuan shtetasit Moisi Habilaj, Nezar Seiti etj. si dhe bashkëpunëtorët e tyre si anëtarë të një grupi kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve. Në kuadër të këtij hetimi, u bë i mundur sekuestrimi, së fundmi, i sasisë prej 3.5 tonëve lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, arrestimi me cilësinë e të dyshuarit të shtetasve Moisi Habilajt etj. dhe shpallja në kërkim ndërkombëtar e shtetasit Nezar Seiti.

Shtetasi Moisi Habilaj, së bashku me shtetasit Nezar Seiti, Florian Habilaj, Metan Matani etj., që nga prilli 2017 e në vazhdim, u hetuan nga Prokuroria pranë kësaj Gjykate për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Hetimet e autoriteteve të drejtësisë italiane e kishin fillesën e tyre te një veprimtari hetimore, e kryer në kuadër të operacionit “Odessa 2012” ndaj një organizate të degëzuar kriminale, që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht kanabis në aksin Shqipëri-Itali.

Nga hetimet e kryera ndaj shtetasit shqiptar Erson Zhuka, element kyç i organizatës që operonte në territorin e Raguzës, kishin rezultuar kontakte të shumta me bashkatdhetarin e tij, shtetasin Moisi Habilaj. Mbi këtë fakt, ndaj Moisi Habilajt, filloi përdorimi i mjeteve teknike të hetimit dhe rezultoi se ai ishte importues me shumicë i lëndëve narkotike që vinin nga Shqipëria.

Në aktivitetin e tij, Moisiu ndihmohej nga shtetasi shqiptar i thirrur “Daja” dhe që është identifikuar si Sabaudin Çelaj. Përgjimi i komunikimeve të numrave telefonikë në përdorim të Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelajt, mundësoi identifikimin e subjekteve të tjera që bënin pjesë në këtë organizatë.

* * *

Më datë 1.11.2017, rreth orës 16:30, në kohën kur punonjësit e Policisë, B.T. dhe E.D., në përbërje të patrullës së Policisë Rrugore të Komisariatit të Elbasanit ishin dislokuar me shërbim në vendin e quajtur Balldren, ata konstatuan mjetin me targa AA 718 OS, me drejtim lëvizje Papërr-Bradashesh, të cilit i bënë shenjë ndalimi me tabelë.

Drejtuesi i mjetit nuk ndaloi dhe punonjësit e Policisë i përcollën sallës operative targën e mjetit, me sqarimin se ai nuk i ishte bindur urdhrit. Në orën 16:40, mjeti i mësipërm u konstatua nga shërbimi i patrullës së përgjithshme, në vendin e quajtur “Metalurgji”. Patrulla u vu në ndjekje të mjetit, ndërsa ky i fundit u fut në ambientet e brendshme të shoqërisë “Kurum”.

Pas ndalimit, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se në drejtimin e mjetit ishte shtetasi Orest Lefter Sota dhe pasagjer shtetasi Leonard N. Almeta. Në sediljen e pasme ndodhej shuma prej 863.100 eurosh. Nga kontrolli i automjetit, në kroskot u gjetën:

Pasaporta Detare e shtetasit Saimir Tahiri me nr.serie 00001380, lëshuar më datë 26:07.2017, e vlefshme deri më datë 31.12.2019; Pasaporta Detare e shtetases Fatlinda Tahiri, me nr.serie 000001381, lëshuar më datë 26.07.2017, e vlefshme deri më datë 31.12.2019; dëshmi aftësie për drejtim mjeti lundrues e shtetasit Saimir Tahiri, me nr. 000581, lëshuar më datë 31.07.2015; dëshmi aftësie për drejtim mjeti lundrues e shtetasit Saimir Tahiri, me nr. 001810, lëshuar më datë 26.07.2017.

PROVAT

Në përgjimin ambiental, kryer brenda autoveturës “Fiat Bravo”, me targa DG 926 NA, në përdorim të Moisi Habilajt, ora 12:05, datë 16.12.2013, rezulton se në makinë ndodhet Sabaudin Çelaj, i ashtuquajturi Sabi.

Në orën 12:13:20, dëgjohet Moisi Habilaj që flet me Antoi Rjelën jashtë makinës dhe në orën 12:14:45, ai hyn në makinë dhe i thotë Sabit se ka marrë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për të ëmën. Sabi e pyet nëse kanë kushtuar shumë.

Moisi Habilaj: Mjaftueshëm.

Sabi: 1000 euro?

Moisi Habilaj: Sa?

Sabi: 2000 euro?…

Sabi: 500?

Moisiu: 700, e martë dreqi! 10 mijë lekë pa 1 mijë lek (do të thotë 9000 euro, shënim i hartuesit).

Sabi: Kaq shumë kishte marrë në total!

Moisiu: Kishte sjellë 20.

Sabi: 10 në gjithë ato.

Moisu: 2 byzylykë.

Sabi: 2000 euro?

Moisiu: 9000 euro, ishin 18 (18 mijë euro) dhe i bëri gjysmën.

Sabi: Ia dhe kesh në dorë?

Moisiu: Po.

Sabi: Nuk është se ka ndonjë telekamera…ndonjë gjë?

Moisiu: Jo, ajo është para Gjykatës.

Më pas, Moisiu sqaron se njërin prej byzylykëve ia bleu së shoqes dhe tjetrin nënës prej 4 mijë euro me diamante. Moisiu tregon për certifikatat e stolive që ka blerë dhe thotë se, nëse humbet ose ia vjedhin, duhet të bësh denoncimin dhe t’i sjellin prapë.

* * *

Në vazhdim të bisedës, Moisiu bën ca llogari me zë të ulët dhe thotë “100.000 euro byzylykë”, ndërsa Sabi i thotë se ai do të gjejë disa stoli të vjedhura se atij i duhet një varëse, një byzylyk dhe një orë.

Në vazhdim të bisedës, ora 12:31:10, të dy flasin për një burrë me pushtet me emër Saimir Tahiri, njeri i politikës.

Moisiu thotë: “Ka më shumë se ne ai”. Sabi replikon dhe këmbëngul se Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozicionit), por nuk beson se ka më shumë para se ata. Moisiu llogarit se në një muaj, Saimiri ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi thotë se ai paratë i shpenzon në fushatën elektorale. Moisiu i thotë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale.

Më pas, Sabi i thotë se e rëndësishme është që të mos bëjë pyetje, të mos thotë emra dhe të mos dalë emri që i kanë dhënë para atij. Moisiu i përgjigjet me jo dhe se nuk beson se do ndodhë. Sabi përsërit se ka frikë se nipi do flasë me të tjerë për atë që i ka dhënë para atij (duke nënkuptuar Saimirin).

Në orën 13:25:31, Sabi: Jemi mirë, nuk jemi keq. Zgjidhim ndonjë problem. Çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit, ta hajë dreqi!

Moisiu: Çfarë po thua?

Sabi: Çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit.

Moisiu: Pa mendo, përveç borxheve që kemi marrë… kemi 75 mijë lekë (75 mijë euro), që shkojnë automatikisht për “xhaxhain”. 30 duhet t’ia çoj Saimirit, bëjnë 60.

* * *

LËVIZJET E TAHIRIT DHE SOTËS

Të dhënat e marra nga sistemi TIMS për hyrje-daljet e shtetasit Saimir Tahiri, japin njoftime për përdorimin e tij, disa herë, të autoveturës me targa AA 003 GB, pas shitjes së saj. Referuar aktit “Kontratë Shitje Automjeti” nr.4217 Rep. Nr. 1656 Kol., datë 05.11.2013, rezulton fakti i shitjes së automjetit, i markës “Audi” me targa AA 003 B, nga Saimir Tahiri tek Artan Habilaj, kundrejt çmimit prej 980.000 lekë, ndërkohë që për ndryshimin e pronësisë mbi të, është proceduar më datë 15.01.2016.

Sipas të dhënave të sistemit TIMS, shtetasi Saimir Tahiri doli nga territori i Republikës së Shqipërisë më datë 08.08.2014 nga Pika e Kalimit Kufitar, Porti i Sarandës, pa mjet dhe hyri më datë 16.08.2014, nga Pika e Kalimit Kufitar Qafë-Botë, Sarandë, me mjetin me targa AA 003 GB.

Ky mjet rezultoi se doli nga territori i Republikës së Shqipërisë më datë 14.08.2014, me drejtues Artan Habilajn, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Botë, Sarandë. Vetë Artan Habilaj, më datë 16.08.2014, hyri në territorin e Republikës së Shqipërisë nga Pika e Kalimit Kufitar, Porti i Sarandës, pa mjet.

Më parë, më datë 09.08.2014, ai kaloi shtetin grek përmes pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë dhe u kthye një ditë më vonë, në datën 10.08.2014 nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar, Qafë-Botë, Sarandë. Shtetasi Saimir Tahiri doli nga territori i Republikës së Shqipërisë më datë 29.08.2014, nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, Korçë, me mjetin me targa AA 003 GB dhe hyri më datë 30.08.2014, nga e njëjta pikë kalimi dhe më të njëjtin mjet.

Shtetasi Moisi Habilaj doli nga territori i Republikës së Shqipërisë me mjetin me targa AA 003 GB, në datat 08.11.2013, 24.12.2014 dhe 23.02.2014, ndërsa shtetasi Artan Habilaj ka dalje të shpeshta, duke filluar nga data 13.06.2014 deri në datën 17.08.2015. Në shkurt 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj, udhëtuan për në Sicili me automjetin “Audi” me targa AA 003 GB.

Të dhënat e marra nga sistemi TIMS japin njoftime për njohjen midis shtetasit nën hetim, Saimir Tahiri dhe ish-shoferit të tij, Gentian Çeka, me shtetasin Orest Sota dhe familjarët e këtij të fundit, për shkak të disa udhëtimeve jashtë shtetit me automjete të njëjta. Më datë 24.02.2017, ora 08:05, shtetasi Orest Sota ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Muriqan, me automjetin me targë MB 279 AA, e cila rezulton në inventarin e mjeteve të Ministrisë së Brendshme.

Me këtë mjet ka disa hyrje-dalje shtetasi Gentian Çeka, shoferi i shtetasit Saimir Tahiri. Më datë 07.07.2017, ora 22:14, shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Muriqan, me automjetin me targë AA 973 RX, që rezulton i regjistruar në emrin e shtetasit Ardit Sota, vëllait të Orest Sotës.

Është kthyer më datë 09.07.2017, ora 15:39, nga e njëjta pikë kalimi dhe me automjetin me targë AA101DJ, që rezulton e regjistruar në emrin e shoqërisë “Ikona” me pronar Lefter Sotën, babai i Orestit. Më datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Porti Durrës, me automjetin AA516NU (i regjistruar në emrin e shtetasit Endri H. nga Elbasani dhe s’ka lidhje me familjen Sota) dhe nga linja “Bari-Rigel-Duni”.

Është kthyer më datë 07.08.2016, ora 13:19, nga e njëjta pike dhe e njëjta linjë, por nuk ka të regjistruar mjetin me të cilin është kthyer. Me datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Orest Sota ka dalë nga Porti Durrës, me linjën “Bari-Rigel-Duni”(nuk ka të dhëna për mjetin apo mënyrën e lëvizjes së tij).

Është kthyer më datë 07.08.2016, ora 13:22, nga e njëjta pikë dhe e njëjta linjë. Me automjetin AA101DJ kanë hyrje-dalje shtetasit Orest Sota dhe Gentian Çeka. Në mënyrë të përmbledhur rezulton se: Shtetasi Saimir Tahiri ka tri dalje dhe dy hyrje me automjetin me targë AA973RX, që është në pronësi të familjes Sota.

Shtetasi Saimir Tahiri ka një dalje me automjetin me targë AA101DJ që është në pronësi të shoqërisë “Ikona”, me pronar Lefter Sota. Shtetasi Gentian Çeka ka dy dalje dhe një hyrje me makinën me targë AA718OS, që është në pronësi të Orest Sotës.

Shtetasi Gentian Çeka ka dy dalje dhe një hyrje me makinën me targë AA101DJ, që është në pronësi të shoqërisë “Ikona”, me pronar Lefter Sota. Shtetasi Gentian Çeka ka një hyrje me makinën me targë AA973RX, që është në pronësi të Ardit Sotës.

PRETENDIMET E PROKURORISË

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi Moisi Habilaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët ushtrojnë funksione publike në Republikën e Shqipërisë, ka arritur të trafikojë jashtë shtetit, me destinacion Italinë, sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

Ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, duke qenë i dyshuar edhe ish-ministri i Brendshëm, personi nën hetim, Saimir Tahiri. Personi nën hetim, Moisi Habilaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke përfituar nga lidhjet fisnore me ish-ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve të dhëna këtij të fundit, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe transportimin e tyre, në mënyrë të organizuar, me destinacion jashtë vendit.

Përgjimet ambientale, të marra në ekzekutim të letërporosisë drejtuar autoritetit gjyqësor italian, kanë vlerë të plotë provuese sepse situatat e paraqitura në to i përgjigjen saktësisht realitetit të fakteve.

Referuar bisedave që lidhen me përdorimin e automjetit, të vlerësuara në unitet me lidhjet farefisnore, që ekzistonin ndërmjet vëllezërve Habilaj dhe personit nën hetim Saimir Tahiri, ngrihen dyshime që autovetura tip “Audi A8”, me targa AA 003 GB, iu la në përdorim nga personi nën hetim Saimir Tahiri shtetasit Moisi Habilaj dhe të afërmve të tij, për të bërë të mundur lëvizjen “e pashqetësuar” si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Dhuratat e ndryshme që ata i bënin ish-ministrit dhe pjesëtarëve të familjes së tij ishin shpërblim i duhur.

Ekzistojnë dyshime që paratë e gjetura në automjetin e drejtuar nga Orest Sota lidhen me aktivitete të paligjshme të shtetasit nën hetim Saimir Tahiri. Alibia e ngritur nga shtetasi Orest Sota, se shumën e parave do ta dërgonte te shoqëria “Kurum”, sipas porosisë së babait të tij, është një përpjekje për të mbuluar natyrën e vërtetë të origjinës së këtyre parave.

Fakti i gjetjes së pesë kartëmonedhave 50 euroshe tërësisht të falsifikuara dëshmon se paratë nuk janë tërhequr nga sistemi bankar, ndërsa ditën e ngjarjes u tentua për t’i fshehur në vende të tjera. Në analizë të faktit dhe provave të paraqitura, ekziston dyshimi se shtetasi Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprave penale “trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a, 28/4 dhe 333/a të Kodit Penal, si edhe “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Dyshimi ngrihet: mbi përgjimet e kryera nga autoritetet italiane; mbi faktin e përdorimit të automjetit nga Saimir Tahiri dhe pas shitjes së tij; mbi aktet e procedimit penal, të ardhur nga Prokuroria e Elbasanit, në lidhje me gjetjen e 863.100 eurove dhe të disa dokumenteve personale të Saimir Tahirit në automjetin që po drejtohej nga shtetasi Orest Sota; mbi lëvizjet e përbashkëta jashtë vendit.

Ndodhur para fakteve që përmbajnë elementë të veprave penale të rënda, për të cilat parashikohen dënime vetëm me burgim, ekziston rreziku që personi nën hetim të largohet, me qëllim për t’iu fshehur drejtësisë.

Vlerësohet i domosdoshëm caktimi i një mase sigurimi personal e karakterit shtrëngues, duke qenë më e përshtatshme ajo e ndalimit të daljes jashtë shtetit, e parashikuar nga neni 33 i Kodit të Procedurës Penale. Nuk rezulton të ketë shkaqe padënueshmërie ose të shuarjes së veprës penale, ndërsa provat janë të mjaftueshme për të provuar se fakti ka ndodhur dhe se, pikërisht personi nën hetim është autori në ndodhjen e tij

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura