Tahiri: Një kompani serbe do të ketë licencë të përkohshme të telefonisë

Jul 4, 2015 | 14:37
SHPËRNDAJE

Kosova është e gatshme që të vazhdojë dialogun me Serbinë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, takimi në nivel kryeministrash pritet të mbahet së shpejti.

Edita Tahiri

Ndërsa, në takimin e fundit, bisedimet për Asocacionin e komunave serbe kanë bërë që të mos arrihen marrëveshjet për telekomin dhe heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër.

Kështu ka thënë për KosovaPress ministrja për dialog, Edita Tahiri, e cila ka shtuar se marrëveshja për telekomin është arritur, në bazë të së cilës pala serbe do të ketë një licencë të përkohshme të telefonisë mobile.

“Për çështjen e kodit telefonik është arritur pajtimi dhe tani pritet aprovimi politik në takimin e radhës nga ana e kryeministrave. Ndërsa për çështjet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka pasur përparime por dallimet mbeten ende të mëdha për shkak të disa kërkesave jo reale që i paraqiti Serbia e që lidhen me qëndrimet tona kategorike që Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive”, tha Tahiri.

Ajo po ashtu ka thënë se takimi i radhës në nivel kryeministrash varet nga Bashkimi Evropian dhe ftesa e Federica Mogherinit.

Po ashtu sipas Tahirit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian janë pajtuar që të themelohet Asociacioni dhe të funksionoj në bazë të ligjeve të Kosovës.

“Partnerët ndërkombëtarë zakonisht mbështesin një zgjidhje e cila del nga pajtimi i palëve në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Mirëpo, pajtimi edhe i tyre është rreth asaj se ky Asociacion duhet të themelohet dhe të funksionojë në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës”, theksoi Tahiri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura