Tahiri, “dush të ftohtë” shefave të Policisë, paralajmëron shkarkime

May 5, 2016 | 22:26
SHPËRNDAJE

Situata e kriminalitetit në vend ka bërë që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, të mbledhë në një takim urgjent drejtuesit dhe shefat e Policisë. Tonet e ministrit kanë qenë mjaft të ashpra, madje ai ka paralajmëruar edhe shkarkime në nivele të larta drejtuese.

Tahiri dje gjatë analizës së Policisë
Tahiri dje gjatë analizës së Policisë

Dy ditë pas vrasjes mafioze të ndodhur në Tiranë, Tahiri ka thirrur në takim, në ambientet provizore të Ministrisë, te Garda e Republikës, drejtorët e qarqeve, zv.drejtorët, shefat e Komisariateve, të sektorëve e Seksioneve.

Takimi u zhvillua të martën pasdite dhe mësohet se nuk kanë munguar vërejtjet e ministrit për drejtoritë vendore. Ai u ka kërkuar zbardhjen dhe dokumentimin e krimeve të rënda që vazhdojnë të mbeten pa autor, duke marrë shkas kryesisht nga vrasja e Elton Çiçës në lokalin “De Niro”, në Tiranë.

Ndërsa ka përmendur edhe Emiljano Shullazin, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar për disa vepra të rënda penale. Ministri Tahiri ka kërkuar mbajtjen nën mbikëqyrje të grupeve e personave me tendenca kriminale dhe sigurimin e më shumë informacioneve operative për parandalimin e ngjarjeve.

Mësohet se Tahiri nuk ka lënë pa përmendur edhe elementë të njohur të grupeve kriminale që janë goditur apo që veprojnë në vend dhe kryesisht në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura