Tahiri: Deputetë të PD-së më vijnë në zyrë, më tregojnë gjithçka (VIDEO)

May 17, 2016 | 7:45
SHPËRNDAJE

Ministri Tahiri tha sot në “Top Story” se edhe po të kishte mundësi, kurrë nuk do t’i përgjonte aktorët e opozitës.


Tahiri: Pse nuk e pergjoj opozitën? Gjithçka mi… by gazeta-panorama

Duke iu përgjigjur Presidentit Nishani, që e cilësoi si lodër të SHQUP-it që merret me lodra, tha se ai nuk ka nevojë ta përgjojë Presidentin, as ish-kryeministrin Berisha dhe as Lulzim Bashën.

“Pse t’i përgjosh ata?! Pse ta përgjoj Presidentin, kujt i duhet? Po Berishën? Pse ta përgjoj? Ai në FB rri me qytetarin dixhital.

As Bashën s’kam arsye ta përgjoj. Vijnë vetë deputetët e PD-së në zyrën time dhe pak t’i gërricës i tregojnë të gjitha”, tha Tahiri.

Tahiri flet për pajisjen e përfolur: E kemi, ja për çfarë e përdorim

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur sot në “Top Story” për pajisjen e shumëpërfolur nga opozita se përgjon zyrtarët në mënyrë të paligjshme.

Tahiri tha se Policia e Shtetit ka një pajisje të sjellë nga një mision italian, e cila vetëm identifikon numrat celularë në një zonë të caktuar, që janë nën përdorim.


Tahiri flet per pajisjen e “pergjimit” by gazeta-panorama

Por sipas Tahirit, kjo pajisje, që kushton shumë, mbi 2 mln euro, nuk mund të përgjojë.

“Lidhur me të ashtuquajturën pajisje përgjimi, Ministria e Brendshme, çdo strukturë e Policisë së Shtetit, s’ka patur nuk ka dhe s’mund të ketë me ligj pajisje përgjimi.

Ka një të vërtetë tjetër, Policia me partnerët kryejnë trajnime që ndihmojnë Policinë e Shtetit në luftën kundër kriminalitetit.

Në bazë të një marrëveshje të vitit 2007, Policia e Shtetit me atë italiane zhvillojnë trajnime periodike me partnerët italiane.

Me kërkesën time ne kemi kërkuar që agjencitë ligjzbatuese në botë si FBI dhe DEA të kenë prezencë fizike në Shqipëri, të punojnë me zyra me Policinë tonë.

Në këtë pikë, në trajnim ka edhe një pajisje që vetëm dedekton numrat e telefonave celularë që bëhen në një zonë të caktuar.

Kjo është njësoj sikur të marrësh një numërator dhe të shohësh numrat e telefonit. Ndodh shpesh që Policia përdor pajisje të caktuara për të bllokuar thirrjet telefonike në zona të caktuara.

Kjo pajisje është në çdo polici të botës. Por ne nuk e kemi. Shpresoj shumë ta kemi një ditë, por është e shtrenjtë.

Kjo pajisje nuk përgjon, vetëm identifikon numrat që përdoren në një zonë të caktuar”, thotë ministri.

Tahiri: Hetimi i Prokurorise per “pergjuesin” nje lapsus i rende, pres qe Prokuroria te thote te verteten
Ministri Tahiri u ka dhënë fund hamendjeve rreth ekzistencës së një pajisjeje teknike, e cila shërben për trajnimin e punonjësve të Policisë së shtetit, gjatë daljes së tij në emisionin Top Story me gazetarin Sokol Balla.
Tahiri ka theksuar se pajisja në fjalë nuk shërben për përgjime të telefonatave, emaileve, mesazheve etj, siç është aluduar, por bën thjeshtë evidentimin e telefonave aktivë në një zonë të caktuar.
“Mbaj përgjegjësi të plotë për çfarë po them dhe konfirmoj që kjo pajisje është për trajnimin e oficerëve të policisë dhe është një pajisje e ligjshme që përdoret në bazë të një marrëveshjeje me policinë italiane, të firmosur në vitin 2007 nga ish-ministri Nishani, aktualisht president i vendit”, tha Tahiri.
Ministri ka nënvizuar se akuzat e hedhura në shtyp nga zyrtarë të opozitës do të marrin një përgjigje ligjore nga hetimi që po zhvillohet, dhe “pres që Prokuroria të thotë të vërtetën për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.
Tahiri ka sqaruar se aktualisht Policia  e Shtetit nuk i ka kapacitetet teknike të bëjë përgjime për shkak se pajisje të tilla janë shumë të kushtueshme dhe të sofistikuara.
Ndërkaq konfirmoi se pajisja me të cilën po trajnohet specialistët e Policisë, nuk mundet të bëjë përgjime të telefonatave.
Me qëllim që të hiqte çdo hamendje rreth kësaj çështjeje, Ministri theksoi përsëri gjatë intervistës së policia, nuk ka patur kurrë, nuk ka dhe s’mund të ketë me ligj në përdorim, një pajisje përgjimi.
“Policia e Shtetit nuk ka pasur kurrë, sa jam unë në detyrë, nuk ka pasur, nuk ka  dhe nuk mund të ketë në përdorim një pajisje përgjimi të çfarëdolloj, që të përgjojë telefonata, mesazhe e komunikime të tjera të kësaj natyre. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, mbaj përgjegjësi për atë që them para institucioneve”, tha ministri. 
Tahiri theksoi më tej se gjatë vizitës së zhvilluar së fundmi në SHBA dhe marrëveshjeve të nënshkruara me FBI-në është rënë dakord që të vijnë në Tiranë, ekspertë amerikanë të cilët do të asistojnë konkretisht Policinë e Shtetit dhe BKH për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me fushën e zbatimit të ligjit.
Në lidhje me aparaturën e përmendur, ai tha se “Kjo pajisje është për trajnim dhe ajo që bën është evidentimi i telefonave në një zonë të caktuar. Nëse do të bënim një krahasim me telefonat fiks, do të ishte njëlloj si të merrnim një numrator të abonentëve të telefonave fiks. Pajisja pasqyron numrat në një zonë të caktuar dhe është një mjet që përdoret në shumë vende të botës. Kjo pajisje ka qenë në polici dhe tashmë po zhvillohen trajnimet sipas marrëveshjes së 2007,” ka sqaruar Tahiri.
Duke folur rreth implikimeve ligjore që mund të shtroheshin në lidhje me këtë çështje, Tahiri thah se “Pajisja evidenton numrat dhe kjo nuk përbën asnjë problem. Unë numrin tim e kam afishuar në dço komisariat të policisë. Numrat e zyrtarëve të shtetit nuk ka nevojë që t’i gjejmë përmes kësaj pajisjeje, pasi mund t’i marrim manualisht. Pajisja është në përmbushje të detyrës që ka policia e shtetit dhe nuk ka asgjë të paligjshme në këtë histori.”
I pyetur në lidhje me hetimet që ka nisur prokuroria për këtë çështje, Ministri tha se ky hetim i nisur është një gjë tërësisht e panevojshme dhe një lapsus i rëndë që cenon besimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve.
“Pres që prokuroria t’u thotë të vërtetën qytetarëve shqiptarë në lidhje me këtë çështjen e akuzave për përgjime pasi kësisoj cenohet edhe bashkëpunimi që kemi me partnerët ndërkombëtare që na asistojnë në rritjen e kapaciteteve të institucioneve tona”, theksoi Tahiri.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura