Tahiri: Drejtësia? Të varfërit dënohen, të pasurit taksohen. Të inkriminuarit, jo rrallë në poste drejtuese

May 6, 2015 | 9:47
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka shigjetuar gjykatat për vendime të padrejta, duke thënë se kjo tregon se në shoqërinë tonë paska edhe njerëz të pandëshkueshëm.

Tahiri gjate konferences se sotme

Gjatë fjalës së tij në konferencën për parandalimin e krimit tek të rinjtë, Tahiri theksoi se kjo mbetet një sfidë e vështirë.  

“Ka shumë që pyesin pse dënohet ai që suvaton shtëpinë dhe nuk dënohen zyrtarët që legalizuan një kat të tërë, pse dënohen ata që vjedhin energjinë, por jo zyrtarët e tatimeve që vodhën mbi 6 milionë euro, cfarë duhet të ndodhë të që të gjithë bashkë duhet të ulërasim se paska njerëz të pandëshkueshëm në shoqërinë tonë, apo se drejtësia të varfërit i dënon”- tha Tahiri. 

Ministri pranoi se njerez me te shkuar kriminale i sheh edhe ne pozicione te larta. “Duket fare normale të ketë njerëz me të shkuar krimnale që sot jo rralllë i shohim në pozicionet më të larta të shoqërisë. Ata  që mendojnë se unë po rri rehat, le ta bëjë qeveria këtë punë se  fundja ia kemi dhënë votën dhe këta duhet ta bëjnë tani, unë mendoj se sapo ka vrarë mundësinë që një shoqëri të ngrihet në këmbë”- tha ai.

Fjala e plote e Tahirit 

Unë besoj është gjithmonë momenti për të punuar për të rinjtë, për më tepër kur energjitë dhe përpjekjet vijnë nga koordinimi institucional dhe nga praktikat më të mira ndërkombëtare dhe është kjo arsyeja pse do të doja të falënderoja Komisionin Europian dhe misionin e PAMECA, padyshim Ministrinë e Mirëqënies Sociale, Ministrinë e Arsimit dhe Policinë e Shtetit sepse unë besoj që kjo është mënyra për ti bërë të rinjtë të jenë kontribuues për veten, për njeri tjetrin dhe për shoqërinë në tërësi për ta bërë vendin më të sigurtë.

Unë besoj se kjo është mënyra për t’i bërë të rinjtë të kuptojnë se misioni ynë është të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të barabartë përpara ligjit dhe kjo gjë nuk bëhet as vetëm as a duke ankuar.

Pyetja e parë që më vjen ndërmend është: Sa prej nesh, individualisht apo të gjithë bashkë, jemi gati ta lëvizim gishtin apo të bashkojmë energjitë, të punojmë bashkë për ta bërë këtë vend më të drejtë më të sigurtë, qytetarin më dinjitoz nëpërmjet mirëqenies dhe punës? Me siguri sa prej të rinjve janë gati ta bëjnë këtë, ta kuptojnë dhe të punojnë për ta bëjnë këtë?

E thënë jo pa shkak sepse unë besoj që ndikon shumë ajo që ka ndodhur këto ditë komentet publike mbi disa vendime gjykatash dhe ma do mendja nuk jam as i

vetëm edhe secili prej jush me të drejtë mund të pyes: Pse dënohet ai që suvaton shtëpinë pa leje dhe nuk dënohen zyrtarët e shtetit që legalizuan një kat të tërë pallati që nuk ekzistonte fare? Pse dënohet ai që vjedh energjinë elektrike dhe nuk dënohen zyrtarët e Tatimeve që vodhën mbi 6 milionë euro? Fundja çfarë duhet të ndodhë që të gjithë bashkë të ulërasim se po, paska njerëz të pandëshkueshëm në vendin tonë, apo se drejtësia vendos sipas xhepit të varfrit i dënon ndërsa të pasurit i takson. E kush mendon se kjo është ndonjë vepër e ndonjë gjyqtari apo prokurori të kalbur në korrupsion nuk e ka gabim, por as plotësisht të drejtë nuk e ka, se kjo mbi të gjitha është arroganca e korrupsionit dhe atyre që as dënohen e as turpërohen e fyer në sistem.

Mund t’ju pyes sa prej të rinjve në një shembull fare të përditshëm e pranojnë një shok apo një shoqe në Facebook marr shembull, foto me armë, foto me drogë, foto me para? Unë nuk besoj që ka nevojë të mendohemi shumë gjatë për të dalë tek përgjigja sepse shembujt janë me qindra në mos me mijëra.

Pranohet edhe ky model, kaq fare i thjeshtë me fotografi në Facebook, gjerësisht pranohet tek të rinjtë, apo në ndonjë rast respektohet më shumë ky lloj modeli që shkelin në ligj dhe e sheh si trimëri, si virtyt si rrugë për prosperitet, për para të shpejta sesa modeli që ne të gjithë bashkë mundohemi për ta ndërtuar, modeli punëtorit dhe i dinjitetit të atij që punon me përulje, duke respektuar ligjin, duke respektuar rregullat, duke respektuar shokun.

Prandaj duket thuajse fare normale të ketë njerëz me të shkuar kriminale që sot, jo rrallë i shohim në pozicionet më të larta të shoqërisë. Ata që mendojnë që unë po rri rehat, le ta bëjë qeveria këtë se fundja ja kemi dhënë votën e këtë duhet ta bëjnë tani, unë mendoj sapo ka vrarë mundësinë që një shoqëri të ngrihet në këmbë kundër padrejtësive, kundër modelit të shtrembëruar dhe madje sapo ka hapur mundësinë që jo vetëm të mos ndreqet gjë, por edhe ata që votonin të rrezikojnë fort të kthehen pjesë e të njëjtit sistem.

Kjo është një ndër arsyet madje që në vazhdimësi janë korruptuar edhe të votuarit në Shqipëri sepse në padrejtësinë masive rrotull nesh që e kemi lejuar shumë shpesh me heshtje të korruptuarit janë gjithmonë më të zot, gjithmonë ja dalin.

Këto shembuj që i përmenda pak më parë, sigurisht e bëjnë këtë vend të duket me i padrejtë dhe e vërtetë është, a është ky motiv iu mjaftueshëm për ta humbur shpresën, apo për t’u tërhequr dhe mos bërë asgjë?! Unë nuk besoj se është ky rast, madje është absolutisht e kundërta.

Kur shoqëritë kanë vuajtur më shumë, kur sistemi është zvarritur më shumë, kur shpresa është dukur më e largët, kur padrejtësia ka qenë më e madhe pikërisht atëherë ka pasur qytetarë e shoqëri të tëra që janë ngritur në këmbë për të garantuar drejtësinë më së pari dhe nëpërmjet saj dinjitetin që vjen nga puna.

Ndaj unë besoj që duhet të jemi ne që të ndikojmë dhe të punojmë fillimisht me të rinjtë dhe më së pari janë nxënësit që të mos e pranojnë kurrë këtë standard, ta refuzojmë ta denoncojmë publikisht deri sa të bëhet e pamundur për çdo zyrtar, për çdo qeveritar, për çdo prokuror, për çdo gjyqtar që të abuzojë me kaq arrogancë me besimin e qytetarëve.

Më shumë sesa për të ndërtuar një model të sigurisë apo të bashkëpunimit ndërmjet policisë, shërbimit social, shkollave dhe praktikave më të mira të partnerëve ndërkombëtar, unë besoj kjo që nisim sot ndikon shumë dhe duhet të ketë si qëllim të ndikojë shumë tek mënyra e të menduarit e të rinjve, tek mënyra e të sjellurit të të rinjve, me njëri tjetrin në klasë, në lagje, në komunitet, me njëri tjetrin, me shoqërinë në tërësi duke ndërtuar modelin e atij që fiton punën duke respektuar modelin e atij që respekton punën dhe dinjitetin e fiton nëpërmjet punës, modelin e qytetarit që për virtyt sheh edukimin, jo pasurimin si qëllim në vetvete me çdo lloj mënyre, të qytetarit të mirë që respekton rregullin dhe jo të bëjmë trimëri nga shkelja e rregullit.

Modelin e shoqërisë që punon me energji dhe forcë që ky vend të jetë me i drejtë, të shoqërisë që edhe kur sheh se nuk ja del dot vetë duke garantuar me iniciativë rregullin ka në ndihmë në çdo rast shtetin.

Modelin e përgjegjësisë qytetare mbi të gjitha dhe pastaj përgjegjësisë ligjore për këdo që shkel ligjin. Modelin e qytetarit që kërkon llogari për çfarë po bëhet mirë dhe modelin e qytetarit që nxitet të drejtojë gishtin atëherë kur gjërat nuk ecin si duhet, ndaj modelit të qeveritarit që nuk përgjigjet me përulësi ndaj përgjegjësive

që ka, por që ka për model, shurdhërinë edhe arrogancën. Modelin e punës dhe të punëtorit dhe jo të dembelit apo akoma më keq të atij që merr meritat e punës së të tjerëve.

Realiteti i përditshëm ta bën më të vështirë sfidën dhe mbi të gjitha perceptimin për të ndërtuar modelin me fjalë apo shoqëror drejt kësaj rruge, por kjo është beteja për ta bërë Shqipërinë më të drejtë më solidare më të sigurtë dhe natyrisht më të zhvilluar dhe unë besoj që drita e shpresës është aty në rast se ne bëhemi të gjithë bashkë duke besuar seriozisht në këtë që nisëm dhe jo duke e konsideruar një projekt si të gjitha projektet, një iniciativë si të gjitha iniciativat sa për tu mbledhur sallave, jo, por duke i dhënë rolit që i duhet dhënë mësuesit, rolit që i duhet dhënë punonjësit social, rolin që duhet punonjësit të policisë që ndihmon komunitetin e prindërve në shkollë, komunitetin e nxënësve në shkollë në mënyrë që të ndërtojmë mekanizmat parandalues, të shmangies së konfliktit në fazën paraprake, jo më deri kur çdo gjë ka degraduar në kufijtë e kriminalitetit, atëherë jemi shumë vonë.

Parandalim më të mirë sesa ndërtimi i modelit të rregull, i qytetarit të rregullt, që respekton ligjin dhe ndikon, nxit që askush mos ta shkeli ligjin është rruga më e shkurtër për të ndërtuar në Shqipërinë tonë një vend më të sigurtë, më të drejtë në një shoqëri më solidare me njëri – tjetrin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura