Tagani: U ndamë si miq, Tafaji deri në janar

Oct 30, 2012 | 14:18
SHPËRNDAJE
Salih Tagani

Tirana/ Bordi drejtues vendos për shkarkimin e trajnerit Artur Lekbello.

“Do hyjmë në merkato, na duhet edhe një tjetër sulmues”

Artur Lekbello nuk është më trajner i Tiranës. Vendimi është marrë dje nga drejtuesit e klubit bardheblu, të cilët menduan se kjo lëvizje është si më e logjikshmja nisur nga situata e keqe në skuadër.  Lajmin e konfirmon edhe administratori Salih Tagani, i cili dha detaje të këtij shkarkimi. Sipas këtij të fundit, me Lekbellon është gjetur gjuha e përbashkët dhe është zgjidhur konsensualisht kontrata që e lidhte këtë të fundit me klubin bardheblu. “Me trajnerin Lekbello gjykuam se është në të mirë të skuadrës që të mos vazhdonte më bashkëpunimi, ndaj edhe nga sot (dje) e kemi zgjidhur kontratën. Në vend të tij nga nesër (sot) do të jetë Alban Tafaji, i cili do ta drejtojë skuadrën deri në fund të fazës së parë. Ai do të bëjë natyrisht edhe punën e trajnerit, si dhe do të mbajë postin që ka, pra atë të shefit të klubit”, ka thënë Tagani menjëherë pas mbledhjes. Sigurisht që administratori i Tiranës nuk është aspak i kënaqur nga ecuria e ekipit, ndaj ka kërkuar që lojtarët të reagojnë që këtë javë në ndeshjen ndaj Kukësit. “Më vjen keq kur e shikoj ekipin në këtë gjendje. Kam folur me shefin e klubit, me trajnerin dhe me disa nga lojtarët dhe, pa dashur që të bëhem i keq në thonjëza duke vendosur gjoba, kam kërkuar një reagim të menjëhershëm. Është e çuditshme, pasi vjet kur kishim probleme me pagesat për shkak të burokracive dhe ristrukturimit të klubit, lojtarët luanin shumë mirë dhe skuadra merrte rezultate. Ndërsa sivjet që gjërat shkojnë shumë herë më mirë, që lojtarët i marrin rrogat në bankë dhe rregullisht, jemi në një situatë të papëlqyeshme. Kjo tregon se problemi nuk qëndron te pjesa financiare, ndaj dhe kam kërkuar që futbollistët të bëhen më të përgjegjshëm për fanellën që mbajnë veshur. Më kanë dhënë fjalën se do shohim një Tiranë tjetër që këtë javë, ndaj le të shpresojmë”, ka pohuar Tagani. Në fund, administratori i Tiranës ka theksuar se nuk lejon asnjë justifikim, pasi elementi në grup është i njëjtë me atë të vitit të shkuar. “Lojtarët janë po ata të sezonit të shkuar, të cilët pa mëdyshje i konsideroj si më të mirët në kampionatin shqiptar. I vetmi defekt ndoshta është te sulmi, ku Çota shikoj se ka nevojë edhe për një lojtar tjetër që ta ndihmojë nga pas, për të qenë edhe më konkret. Këtë gjë them se do ta rregullojmë me patjetër në merkaton e janarit”, ka përfunduar Tagani.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura