Tafili ndez sfidën me Partizanin: Kampionët e kanë frikë Shkodrën, ja si fitojmë

Oct 18, 2019 | 22:55
SHPËRNDAJE

Alsid Tafili skanon Vllaznia-Partizani. Dhe askush më mirë se ai nuk mund ta bëjë këtë. Karrierën e ka përqendruar në Shkodër, e megjithatë një vit i kaluar në kryeqytet i ka mjaftuar që t’i njohë mirë edhe të kuqtë.

Alsid-Tafili-1

Mesfushori që po luan në Kosovë për Lirinë e Prizrenit vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me Kategorinë Superiore dhe mbi të gjitha me ekipin e vendlindjes. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, zbulon se “demat” i kanë pasur gjithnjë më frikë përballjet në “Loro Boriçi” dhe se mund t’i mposhtësh me agresivitet. Vlerëson pozitivisht punën që po bëhet nga Mirsad Jonuz, por ende i ka mbetur pishman që u largua nga Shkodra këtë verë.

Këtë vit po luani tek Liria e Prizrenit, mirëpo nuk besojmë se jeni shkëputur totalisht nga Shqipëria. Sa po e ndiqni Kategorinë Superiore?

Këtë vit edhe pse nuk jam pjesë e Kategorisë Superiore, po e ndjek me shumë interes. Dhe jo vetëm për të parë shokët e mi, por për të kuptuar gjendjen e ekipeve.

vllaznia tafili

Vllaznia për të cilën keni kontribuuar shumë vite, është në krye pas javës së 7-të. Ju ka befasuar ky start?

Të jem i sinqertë, po. Dhe jo vetëm se e nisën vonë fazën, por edhe prej faktit që shumë lojtarë iu bashkuan grupit nga fundi i përgatitores. Meritë të madhe për këtë kanë djemtë shkodranë. Ata dinë t’i mirëpresin të ardhurit dhe i ndihmojnë që të konsolidohen më shpejt me pjesën tjetër. Sigurisht që nuk mund të mos befasohem edhe kur shoh gjendjen e klubit, që edhe pse kanë dhënë vetëm një rrogë prej shumë muajsh, prapë se prapë mundohen që ta ngrenë Vllazninë sa më lart.

Kanë kaluar me sukses thuajse çdo kundërshtar që në letër quhet i madh, por tani vjen radha e Partizanit. Do të jetë ky duel një provë force?

Vllaznia më duket se po kalon një situatë më të mirë dhe më të qetë. Ka më shumë entuziazëm dhe për mendimin tim ka me luajtur më lirshëm edhe do provojë ta fitojë këtë 90- minutësh. Kanë shumë mundësi që t’ia dalin. Kurse Partizani nuk ka qenë shumë stabël në këtë start sezoni.

vllaznia

Çfarë kujton Alsidi prej kësaj përballjeje, derisa keni luajtur me të dyja këto skuadra?

Janë takime që çdo lojtar karikon veten. Ndoshta pa të fol trajneri dhe pa bërë analizën klasike, ke mundësi të futesh në fushë dhe ta luash. Këto janë ndeshje që çdo futbollist kërkon që të tregojë vlerat dhe forcën që ka.

Karriera juaj ka qenë e përqendruar te Vllaznia, e megjithatë edhe te Partizani keni luajtur. Meqenëse i njihni të dyja këto skuadra, do të donim të na tregonit si pritet ky duel nga këto klube?

Vllaznia gjithmonë me ekipet e forta në letër ka dhënë maksimumin. Ka shprehur gjithçka nga vetja. Kurse shumë herë ka lënë pikë me ato që quhen “të vogla”. Kurse nga Partizani mbaj mend që gjithmonë e ka pasur me frikë ndeshjen në Shkodër.

Pika më e fortë dhe më e dobët e secilës?

Pika më e fortë për momentin te Vllaznia është grupi. Një skuadër që ka treguar se mbrohet mirë, por edhe ka individë që dinë të bëjnë diferencën. I tillë është kapiteni Gilman Lika që po kalon formë shumë të mirë dhe po e inspiron ekipin drejt suksesit. Kurse Partizani ka individët, por në grup s’po punojnë mirë. Gjithsesi, kjo skuadër mbetet e frikshme.

Do guxonit të na bënit një parashikim për këtë duel dhe kush mund ta vendosë?

Them se Vllaznia ka për ta fituar këtë përballje. Ajo po kalon një moment shumë të mirë, pastaj mendoj që edhe tifozët kanë për ta ndihmuar.

Mungojnë tifozët e Partizanit. Në një stadium ku do ketë vetëm tifozë shkodranë, kush do ta ndiejë më shumë presionin?

Kam vënë re se tifozët e Vllaznisë po kthehen edhe më të shumtë në numër në stadium. Por e mbështesin masivisht skuadrën në të gjitha aspektet. Mendoj se kjo gjë do të jetë kundër Partizanit.

Ju ka mbetur pishman që këtë vit nuk qëndruat në Shkodër?

Më ka mbetur pishman, pasi do isha në shtëpinë time. Kemi dhënë gjithmonë shumë për këtë klub, kur kanë qenë mirë apo edhe keq. Nuk kemi pyetur kurrë edhe pse mund të kemi qëndruar ndonjëherë edhe 7 muaj pa rroga. Por, tani po ndihem më mirë edhe në Kosovë. Po punoj te një ekip me kushte dhe korrektësi në të gjitha drejtimet.

Mirsad Jonuz po vlerësohet masivisht për punën e tij, mendoni se është trajneri i duhur për të transformuar Vllazninë?

Trajnerët e huaj kanë një të mirë, në ndryshim nga shqiptarët. Nuk kanë presion qoftë nga tifozët, ashtu edhe nga mediat. Jonuz duhet vlerësuar për atë që po bën me këtë skuadër.

Si mposhtet Partizani, keni një këshillë për ish-shokët e skuadrës?

Partizani mposhtet vetëm duke luajtur me agresivitet, por edhe duke i mbajtur lart. Këtë këshillë do u jepja lojtarëve të Vllaznisë, për ta fituar këtë takim.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura