Tabela/ Nga Muzhaqi e Korreshi te Rama e Basha. Kush janë politikanët që u ndoqën më shumë online gjatë seancës maratonë

Sep 20, 2021 | 11:59
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Seanca maratonë e së enjtes që lamë pas ishte mbledhja e parë parlamentare që kishte debatin e legjislaturës së 10-të.

online

Si e tillë, të gjithë deputetët, si të maxhorancës dhe të opozitës, u kujdesën që të “godisnin” te qytetarët me fjalimet dhe debatet në seancën ku u miratua qeveria dhe programi qeverisës i 4 viteve të ardhshme. Në epokën dixhitale duket se të dyja kampet, si maxhoranca, ashtu edhe opozita, u kushtojnë një vëmendje të veçantë rrjeteve sociale.

Kryeministri Edi Rama postoi në profilin e tij të “Facebook” me 1.4 milionë ndjekës vetëm fjalimet e ministrave. Ndërkohë kryedemokrati Basha në profilin e tij me mbi 600 mijë ndjekës postoi vetëm fjalimin e vet, ndërkohë në adresën zyrtare të “Facebook”-ut të PD-së u postuan fjalimet e të gjithë deputetëve të opozitës.

Për të parë se kush ka qenë deputeti apo ministri më i spikatur në seancën e parë plenare me debat, gazeta “Panorama” analizoi të dhënat e shikueshmërisë që prodhon “Facebook”. Në kampin e maxhorancës zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe ministrja për Fëmijë, Bora Muzhaqi, rezultojnë se kanë tërhequr më shumë vëmendjen e shqiptarëve se shefi i tyre, Kryeministri Edi Rama. Në mesin e 16 anëtarëve të kabinetit qeverisës Rama 3, në profilin e Kryeministrit Rama, Arben Ahmetaj rezulton më i ndjekur në fjalën e tij në seksionin e fjalimeve. Ahmetaj është parë nga 155 mijë njerëz. E dyta renditet Bora Muzhaqi, e cila të enjten u zyrtarizua formalisht si ministrja e Shtetit për Fëmijët.

Sipas të dhënave të prodhuara nga faqja zyrtare e “Facebook”-ut të Kryeministrit, Muzhaqi është parë nga 131 mijë njerëz. I treti renditet Kryeministri Edi Rama. Në seancën e së enjtes kreu i qeverisë doli disa herë në foltoren e Parlamentit, por si shifër matëse është marrë fjala e kreut të qeverisë kur prezantoi programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, pasi konsiderohet edhe si më e rëndësishmja, sepse bëhet fjalë për programin e qeverisë në 4 vitet e ardhshme. Fjalimi i Kryeministrit Rama teksa prezantoi programin e punës është parë nga 113 mijë njerëz.

Por kreu i qeverisë rezulton të jetë parë nga mbi 185 mijë njerëz në debatin me opozitën për mosprezencën e tij kur në foltore duhet të dilte kryedemokrati Basha. Sakaq, pas Kryeministrit Rama, më e ndjekur në “Facebook” në fjalën e saj ditën e enjte rezulton ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, me 74 mijë shikime. Më pas ndiqet nga ministrja e Jashtme dhe Çështjeve të Integrimit me 67 mijë shikime dhe ministrja e re e Bujqësisë, Frida Krifca, me 62 mijë shikime. Më pak e ndjekur rezulton ministrja Ikonomi.

SHIKUESHMËRITË NGA OPOZITA

Në kampin opozitar lista e më të shikuarve kryesohet nga kryedemokrati Lulzim Basha, i cili fjalën e tij e ka shpërndarë edhe në adresën e vet zyrtare, si edhe në adresën zyrtare të “Facebook”-ut të Partisë Demokratike. Fjalimi i kreut të selisë blu, ku prezantoi prioritetet e PD-së në këtë mandat, rezulton të jetë parë nga mbi 170 mijë njerëz. Nëse e krahasojmë me kreun e qeverisë Edi Rama, Basha ka një epërsi të konsiderueshme, duke i krahasuar me fjalimin e gjatë që mbajti Kryeministri Rama dhe kundërpërgjigjen nga Lulzim Basha.

Deputeti i dytë më i ndjekur në seancën plenare të ditës së enjte rezulton ish-nënkryetari i PD-së Edi Paloka. Fjalimi i Palokës, teksa bënte të ditur se vetëm duke bërë opozitë me fjalë ndaj kësaj maxhorance nuk ndryshon asgjë, ka tërhequr mjaft vëmendjen e demokratëve në adresën zyrtare të “Facebook”-ut të Partisë Demokratike. Ai është ndjekur nga plot 149 mijë njerëz. Ndërsa në vendin e tretë si më i ndjekuri rezulton deputeti që ulet për herë të parë në Parlament, Tomor Alizoti.

Fjala e deputetit të qarkut të Beratit është ndjekur nga më shumë se 134 mijë njerëz. Më pas lista pasohet nga një zonjë, Grida Duma, deputete e PD-së në zonën e Kavajës. Fjalimi i saj në oponencë të programit qeverisës është ndjekur nga 117 mijë shikime. Më pas lista e deputetëve më të ndjekur të opozitës pasohet nga deputeti që edhe pse mbajti fjalimin në orët shumë të vona të natës arriti të zgjonte të gjithë deputetët nga gjumi, nga mënyra e përcjelljes së mesazheve reale të zonës së tij. Saimir Korreshi, deputet i PD-së në Lushnjë është ndjekur nga 95 mijë njerëz. Më pas lista pasohet sërish nga dy zonja të PD-së, Jorida Tabaku dhe Flutura Açka. Ndërsa më pak e ndjekura ishte Emilja Koliqi, me 1200 shikime.

DEPUTETËT MË TË SHIKUAR

Arben Ahmetaj 155 mijë shikime
Bora Muzhaqi 131 mijë shikime
Edi Rama 113 mijë shikime
Elisa Spiropali 74 mijë shikime
Olta Xhaçka 67 mijë shikime
Frida Krifca 62 mijë shikime
Ulsi Manja 29 mijë shikime
Mirela Kumbaro 25 mijë shikime
Belinda Balluku 23 mijë shikime
Elva Margariti 23 mijë shikime
Evis Kushi 20 mijë shikime
Delina Ibrahimaj 18 mijë shikime
Bledar Çuçi 17 mijë shikime
Niko Peleshi 17 mijë shikime
Ogerta Manastirliu 17 mijë shikime
Milva Ikonomi 14 mijë shikime

PARTIA DEMOKRATIKE

Lulzim Basha 170 mijë shikime
Edi Paloka 149 mijë shikime
Tomor Alizoti 134 mijë shikime
Grida Duma 117 mijë shikime
Saimir Korreshi 95 mijë shikime
Jorida Tabaku 69 mijë shikime
Flutura Açka 48 mijë shikime
Bledjon Nallbati 33 mijë shikime
Kastriot Piroli 33 mijë shikime
Agron Gjekmarkaj 32 mijë shikime
Gazment Bardhi 31 mijë shikime
Agron Shehaj 25 mijë shikime
Ilda Dhori 19 mijë shikime
Selaudin Jakupllari 19 mijë shikime
Ramadan Likaj 18 mijë shikime
Belind Këlliçi 15 mijë shikime
Zjeni Gjergji 15 mijë shikime
Bujar Leskaj 14 mijë shikime
Dashamir Shehi 14 mijë shikime
Lefter Gështenja 12 mijë shikime
Luçiano Boçi 12 mijë shikime
Ervin Salianji 11 mijë shikime
Flamur Noka 11 mijë shikime
Flamur Hoxha 8.9 mijë shikime
Greta Bardeli 8.9 mijë shikime
Andia Ulliri 7.5 mijë shikime
Isuf Çela 6.5 mijë shikime
Albana Vokshi 6 mijë shikime
Orjola Pampuri 5.4 mijë shikime
Xhelal Mziu 4.9 mijë shikime
Alfred Rrushaj 3.8 mijë shikime
Enkelejd Alibeaj 3.5 mijë shikime
Oerd Bylykbashi 3.4 mijë shikime
Edmond Spaho 2.3 mijë shikime
Lindita Metaliaj 2.3 mijë shikime
Helidon Bushati 1.4 mijë shikime
Emilja Koliqi 1.2 mijë shikime

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura