Ta tregoj unë kur të rritem…

Jun 3, 2016 | 12:26
SHPËRNDAJE

spiro saqellariSPIRO SAQELLARI

Në punën time me fëmijët, jo pak herë, më ka rastisur që këta të fundit, pasi kam arritur t’i bëj “miq”, të më besojnë edhe ndonjë sekret të tyre. Të çuditshme si vetë fëmijët, shpesh gazmore, por ndonjëherë edhe tronditëse, ato janë si gjithë motrat e tyre: të besohen, ndaj duhet të dish t’i respektosh dhe t’i ruash, sidomos me ta, pasi një vështrim tinëzar, një fjalë e pavend, do të mjaftojë që të mos e gëzosh kurrë, jo më të drejtën e sekreteve, por edhe atë të bashkëpunimit.

Por ja që pamjet e një klase të parë në TV dhe lajme të shpeshta se mësues të ndryshëm përdorin ende rrahjen si ndëshkim, më nxiti ta nxjerr një sekret të vogël. Më poshtë do të bindeni që nuk është dhe kaq sekret, por, megjithatë, unë besoj se fëmijët do të më falin, pasi askush më mirë se ata nuk di ta bëjë këtë gjë, kur ua kërkon; dhe, në fund të fundit, unë për të mirën e tyre e kam. Në një shkollë në klasën e parë mësuesja terrorizon fëmijët e klasës së parë.

Me njësha!!!, kërcënime se do t’i kallëzojë… Tmerr! M’u duk si në kamp përqendrimi nazist. Për herë të parë urova që jam i rritur, pasi tërë kohën kam lakmuar fëmijërinë. Diku, në një fshat, një mësues rrahu një nxënës, thanë spikerat në TV e shkruan gazetat. Jam i bindur se më pak nga të gjithë, ky lajm ka habitur vetë fëmijët.

– Eh, si kërcet pëllëmba në klasën tonë – më kujtohet të më ketë thënë para pak kohësh një fëmijë, nxënës në një shkollë, jo në mes të Tiranës, por aty rrotull, brenda unazës. Lajmi vazhdon: mësuesi e rrahu aq shumë sa pushteti e pushoi nga puna.

…Turp si e ka emëruar mësues, në fillim…, pastaj, edhe “bravo”, po të doni, që e pushoi “të gjorin” nga puna. …Që disa mësues kanë ngatërruar derën e shkollës me derën e stallës, apo ndonjë derë tjetër, nuk do shumë mend të kuptohet: mjafton të kalosh afër një shkolle, edhe këtu në Tiranë, dhe shumë shpejt do të bindesh. Deri në trotuar vijnë të bërtiturat, qortimet dhe këshillat e tipit moralizues, ironia dhe, sipas fëmijëve, tek-tuk “më të dendur” edhe ndonjë “e mirë”.

Të largohesh pak nga qytetet kryesore dhe t’u afrohesh shkollave, në periferi, dëgjon, të amplifikuara tani, jo vetëm ato çka thamë më lart, por edhe “broçkulla” të tjera. Të futesh pak më thellë, në atdheun e dashur, nëpër shkolla, çuditesh nga “çapaçulët” me regjistër e stilolaps në dorë që i tundin nëpër klasa e korridore, përpara fëmijëve, si shpata e Damokleut. Të plotfuqishëm në klasë, lepuj përpara drejtorit dhe në rrugë, akoma veshin e tyre e kanë të skuqur dhe marrin “hak” aty ku s’duhet.

Ç’mund t’u thuash më… përveçse: mësoni nga kolegët flokë e zemërbardhë; ka plot të tillë nëpër shkolla, të cilët “armë” të vetme karshi nxënësve kanë dijet dhe fisnikërinë. Nuk është e lehtë të jesh mësues, paçka se kur vë një regjistër nën sqetull dhe një stilolaps në xhep, të duket vetja i tillë.

Kur u bërtet e u gjuan, fëmijët heshtin dhe “binden”, jo se e kuptojnë gabimin (dhe të tilla do bëjnë se njerëz janë e mbi të gjitha fëmijë), por kanë frikë pasi i lartpërmenduri, përveç “municionit” nën sqetull e në xhep, ka fatkeqësisht nganjëherë dhe “izën” e prindit: “po s’mësoi, shëtitja dorën”. Ta kallëzojë mësuesin te babai apo më mirë të heshtë, se ku i dihet, “ha” dhe ndonjë tjetër.

Dhe një e tillë, nga prindi, dhemb më shumë. Ndaj ata heshtin, rrinë “sus”, siç i do i ashtuquajturi mësues, dhe gjënë më të mirë që mësojnë është “hesht” dhe “mos”. Po ngadalë, ka dhe më: vërtet rrinë urtë, por ndrydhen dhe hakmarrja iu vlon; mezi presin radhën pastaj, të bëhen të mëdhenj e të marrin “hak”. Te më- suesi? Jo. Ai, atëherë do jetë plak, por më kollaj është te më të vegjlit.

E kështu vazhdon… Çuditemi pastaj pse ka kaq krime, dhunë, sharje, fytyra të ngrysura… Fjalët që shqiptohen dhe dëgjohen më pak në komunikimin tonë me njëri-tjetrin janë fjalët me fuqi magjike për bashkekzistencën paqësore, “më fal” dhe “të lutem”.

Do të duhej kohë të vazhdoja të tregoja ç’mbaj mend e ç’më kanë thënë miqtë e mi të vegjël për atë që ne, të mëdhenjtë, e quajmë komunikimi mësues-nxënës. Duke vazhduar pak më tej, në rrënjët e komunikimit, pasi mendoj se dhuna aty e ka burimin, do të mjaftohesha ta mbyllja këtë paragraf edhe me dy rreshta, vetëm për t’i kujtuar asaj “ende ministri”, siç e quan një profesori im i nderuar, të hedhë dhe një “bisht” syri te këto marrëdhënie, dhe të mos merret vetëm me muret, tullat, librat… dhe vogëlsira të tjera “të nevojshme” të “qypit” tender.

Dhuna, për fëmijën, nuk fillon në shkollë. Ajo, në kopsht dhe në shkollë, vazhdon. Dhuna fillon në shtëpi; zanafilla e saj gjendet te sjellja dhe komunikimi midis vetë ne prindërve, të cilët i transmetojmë, fatkeqë- sisht, lehtë dhe shpejt, te të vegjlit tanë. Zotërojmë aftësinë, e trashëguar do të thosha, që zënkat në sy të fëmijëve t’i bëjmë në shumë mënyra: me fjalë, me vepra, me vështrim, heshtje, injorim, “adhnim”, sipas sojit dhe kulturës së secilit.

Më cinikja është se, shpesh, veprojmë kështu vetëm në sy të tyre, pasi te dhoma e gjumit, luajmë “shelegun dhe shqerrën” për ta falur, sa më parë, njëri-tjetrin. Po fëmija matanë? Kur është i vogël, çuditet dhe godet kukullën; pak më i madh… vuan, por edhe imiton. (Mjerë vëllai apo motra më e vogël.)

Dhe më i madh akoma në moshë, mezi pret të rritet e të na “ngjajë”. Themelet e dhunës fillojnë e hidhen dalëngadalë pastaj, edhe nga të bërtiturat, inati, gjuajtja, pëllëmba bythëve, ironia, tallja, poshtërimi që ne marrim për vete, në fëmijërinë e hershme, dhe ua kthejmë pastaj të përpunuara të vegjëlve tanë. Sa për ironinë, poshtërimin, hakmarrjen që u bëjmë atyre, me dashje apo jo, nuk do zgjatesha shumë, por shkurt do të thosha se ndikimi i tyre te fëmija është “negativ në katror”, në krahasim me simotrën pëllëmbë dhe ulërimë:

– Ta rregulloj unë në shtëpi, apo vështrime të egra dhe “sharje” në sy të të tjerëve, mund të tronditin themelet e zhvillimit të fëmijës; dhe tronditja në themele, të gjithë e dimë ç’pasoja ka. T’ia këputim, plotësisht, rrënjët dhunës aty ku nis, nuk mundemi por të përpiqemi, duke përdorur fjalën, armën më të fortë të arsyes. Këtë po, mund dhe duhet ta bëjmë.

Përpara se sa rrugët, palmat, stadiumi, shumëkatëshet, shkëlqimi… një vend e zbukurojnë fëmijët. Të mendohemi për ta, të flasim me ta që, nesër, të jetojmë më mirë se sot me ta; dhe ata, pasnesër, shumë herë më mirë me të vegjlit e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura