Ta gëzoç “fitoren”… Pirro!

Jul 3, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

GENT STRAZIMIRI

    Ti “fitove” përsëri, Pirro!
Rishfaqesh kokëfortësisht me të njëjtën “fitore” tënden vazhdimisht në mijëra vjet dhe nuk heq dorë…
Disa ditë përpara 21 qershorit, një ish-spiun Sigurimi, sot njeri i rëndësishëm i medias, parashikonte se “do të jetë një humbje poshtëruese”. Këtë e thoshte me siguri absolute, përkundër çdo shqise politike e qytetare, madje pikërisht në momentin kur, që nga partneri më i rëndësishëm ndërkombëtar e deri te qytetari më i fundit, secili sipas mënyrës së vet, po të thoshin qartësisht “mos e çil at derë”…
Spiuni në fjalë nuk paskësh bërë “analizë”, thjesht paskësh pasur “informacion të dorës së parë”, sepse në fakt poshtëruese rezultoi, si gjithmonë kur “fiton” ti… Njësoj si në Itali në 1924, si në Gjermani në 1933… sepse poshtërimi ishte instrumenti, arsyeja e qëllimi që pate këtë radhë, njësoj si atëherë!
Poshtërimi ishte edhe “rezultati” në çdo qelizë… Siç e doje vetë…!

Ishte vërtet poshtëruese të shihje fjala vjen, burokratë të vjetër të administratës (që u kanë rezistuar zgjedhjeve të ’92 e ’97, rotacioneve nga komunizmi te Berisha, nga Berisha te Nano e pastaj sërish te Berisha), që në këmbim të fotokopjes së kartës së identitetit të përgjëroheshin për gjithçka, sepse nga ajo dreq fotokopje u varej vendi i punës…tani në prag të pensionit!
Ishte poshtëruese të përballeshe me mësues syshqyer në qendrat e votimit, të preokupuar nëse çdo individ nga “lista që kishin garantuar” se do votonte për ty erdhi të votonte, e më tej nëse vërtet votoi për ty, e nëse larg qoftë “jo”, a do e zbuloje ti “këtë gjëmë”…
Ishte poshtëruese të shihje anembanë vendit njerëz të poshtëruar në dy vjet prej teje nga fatura abuzive të energjisë elektrike, taksa e gjoba abuzive, dënime penale abuzive, të pranonin poshtërimin e mëtejshëm në këmbim të 2 shisheve vaj, 2 pakove makarona, 2 pakove oriz, dhe premtimit prej abuzuesit që “po u sollën mirë, nuk do abuzoheshin më”…
Ishte poshtëruese të shihje një nip të pushkatuari nga ti Pirro, të shtrënguar të “ruante votën” për ty, megjithëse nuk punon “në shtet”… Pronari i firmës ku punon, e kishte dërguar si peng te ti si “kontribut besnikërie” sepse, kishte “konkurruar” për dy tendera dhe ti duhej të bindeshe që ky është njeriu i duhur për të “fituar” tenderin… pas zgjedhjeve…sigurisht…

Ishte poshtëruese të dëgjoje nga çdo individ se i kishte thënë shefi, pronari, apo një telefonatë anonime ekzakt të njëjtin mesazh, nëse e kishte parë të lëkundur për votën ndaj teje: “A ke vendosur të luash me bukën e gojës?”…
Ishte poshtëruese të asistoje në klonimin e kartave të identitetit me të dhënat e numrin personal që i ka vetëm shteti, produkt i shtetit për të ruajtur shtetin. Ti i përdore këtë radhë Pirro, ashtu siç “t’u prish” sistemi TIMS, për të shtuar në kuti vota emigrantësh që nuk do të kishin qenë kurrë për ty. Ishte poshtëruese të shpjegosh që shteti vetë po poshtërohet edhe në skutën më sensitive të tij, pikërisht që ti të merrje “fitoren” e radhës.
Ishte poshtëruese (po aq sa e domosdoshme) t’u shpjegoje partnerëve ndërkombëtarë CV-të kriminale të kandidatëve të tu, Pirro, të atyre që do të “rilindnin qytetet”, e të vazhdoje më tej me banditët me pushtet politik, duke filluar nga Policia e duke mbaruar te “përkrahja sociale” që me urdhër tëndin duhej t’i nxirrnin “fitues”, dhe në fund të konkludoje me “vendosmërinë për të qëndruar në mbrojtje të standardeve demokratike”…

Ishte poshtëruese të shihje burra të rëndë të mbanin sytë përdhe ditën e zgjedhjeve, teksa dilnin nga qendrat e votimit, e të kuptoje që nuk ishin shitur për paratë në zarf atë natë para zgjedhjeve nën atë shi të çmendur!
Jo! Mafia, pa fjalë, pa asnjë kërkesë për votë, thjesht kishte trokitur në derë si hije dhe kishte lënë “zarfin sicilian” me “peshqesh” brenda…
“Mafia të bën një ofertë që ti nuk mund ta refuzosh”… sepse refuzimi do të thotë gjest armiqësie… Ta refuzosh do të thotë të të hidhet në erë lokali, mu në bash të vendit, madje 50 metra larg komisariatit të policisë.
Ishte poshtëruese të shikoje partnerët ndërkombëtarë, nga ana e tyre, t’i drejtoheshin si kurrë më parë në “shqip” “Sovranit”, se “oferta e rilindjes”, ose më saktë “krim dhe pare”, ishte “poshtërim për popullin dhe vlerat e demokracisë”… por, ishte edhe më poshtëruese të mbaje turpin e poshtërimit të tyre prej teje Pirro, jo prej “Sovranit”, sepse “Sovrani” tani je ti…

Ishte poshtëruese të shihje “elitën” e vendit të bënte vullnetarisht e me përkushtim shurdhmemecin dhe ta kalonte këtë “luftë frontale” me partnerët dhe qytetarin, me më pak vëmendje nga ç’i jep normalisht nëpër studio e gazeta, fjala vjen, një rasti kur bashkëshorti i dehur e problematik godet me pëllëmbe gruan e tij në fshatin “N” të Tepelenës…
Poshtërim kolektiv njësoj si në Itali në 1924, si në Gjermani në 1933, ku “zëri intelektual”, faqet e gazetave dhe çdo reagim publik kishte zërin dhe argumentin tënd… Pirro…
E më tej, nuk ka detyrë më të vështirë e më poshtëruese, sesa t’u shpjegosh “jabanxhinjve” se pikërisht “elita” e “intelektualët” janë të parët që kanë shitur shqisat te ti, pikërisht sepse ti je garancia që i mban gjallë e me dhjamë në kasaba me të njëjtin mekanizëm… Ti je garancia që të mos rikthehen të jenë sërish një hiç në provincën nga e cila erdhën këtu e 25 vjet më parë…
Është poshtëruese të presësh në heshtje shtatorin, kur ti do të zyrtarizosh edhe me gjyqësorin të njëjtën gjë që bëre me zgjedhjet, domethënë ta “reformosh” me të njëjtat duar kriminelësh që sipas partnerëve dhe opozitës, poshtëruan shqiptarët më 21 qershor.

Është poshtëruese të dëgjosh ende në anglisht një fjalim të përgatitur muaj më parë nga ndonjë burokrat jabanxhi që nuk besonte se do bëje këtë që bëre kur shkruante fjalën e rastit, e që shpreh “vlerësim dhe besim” në këtë hap përfundimtar tëndin për t’i thyer brinjët demokracisë rakitike shqiptare… Ndërkohë ti tani ke ndërruar gjuhën dhe flet …gjermanisht… por mua kjo nuk më shqetëson shumë kur u referohem “fitoreve” të tua të mëparshme.
Fjala vjen, unë nuk e di nëse opozita italiane në 1923 apo ajo gjermane në vitin 1933 kur ti “fitove” zgjedhjet, qëndroi dhe u përball apo u plogështua dhe u dorëzua. Nuk di të të them nëse mund të kishin bërë diçka më mirë se ajo që bënë për të të ndalur në atë kohë, por di të të them me siguri, që të paktën Winston Churchill dhe Bernard Shaw sefte këputën nga një budallallëk në anglisht në përkrahjen tënde, si në rastin kur ngjeve më të zezë Italinë më 1923, si kur ngjeve me të murrme Gjermaninë më 1933…
I thanë botës se ti je Mesia dhe se ca dobësi të demokracisë, “zgjidhen”, siç di ta bësh vetëm ti…
Kjo në fakt nuk të ndihmoi, sepse Winstoni u pendua dhe të dha një dorë që të përfundoje pikërisht atje për ku ishe nisur “nga fitorja në fitore” o Pirro… por kushtoi shumë vuajtje e gjak më shumë, nga ç’do të duhej të harxhohej nëse s’do e kish pasur mendjen te real-politika në momentin e gjëmës…

Ishte poshtëruese ajo hartë e Shqipërisë e ngjyer thuajse e tëra në ngjyrën e mishit të ngordhur e me ndonjë hapësirë ngjyrë qielli nëpër të, si për të dëshmuar betejën e pashpirt që po zhvillohet mes jetës dhe vdekjes.
Për këto arsye, nuk më lehtësuan aspak mesazhet e SHBA të nesërmen e “zgjedhjeve” kur uruan sinqerisht shqiptarët “shyqyr që shpëtuat gjallë”, sepse dita e zgjedhjeve kaloi paqësisht”… Apo qoftë dhe kur uruan Halim Kosovën për faktin që nuk është kriminel e nuk i shkoi në mend të blinte asnjë votë… Është minimaliste, aq sa edhe poshtëruese në vërtetësinë e saj kjo sentencë!!!
 Në fakt është edhe më poshtëruese t’u shpjegoj miqve ndërkombëtarë dhe cilitdo mik që mendon se opozita “u kursye” në reagim, se ditën e zgjedhjeve pashë burra që e dinin se ç’kishte ndodhur një natë më parë, që u dridhej mjekra nga ngashërimi e që donin të bënin aktin heroik në mbrojtje të lirisë për të vendosur… Por heroizmi i tyre nuk zgjidhte më asgjë…
Ti këtë radhë mortjen nuk e solle me plumba, por butësisht, ose “me qetësi dhe dashuri” siç të pëlqen ta thuash prej disa kohësh… E solle me “zarfe siciliane” që brenda kishin kartëmonedha… dhe një fishek… Kjo ishte “zgjedhja” që i le’ “Sovranit”…

Në atë hartën që e ngjeve në ngjyrën e mishit të ngordhur o Pirro, në fakt gjen edhe provën e asaj që në fakt stise me aq kujdes… Janë ca njolla ngjyrë qielli atje në Jug, në të cilat njerëzit kanë mundur të votojnë të lirë…sepse ti nuk e ke parë të arsyeshme të çosh “zarfin sicilian” e as krimin me pushtet. Pse? Sepse historikisht i ke konsideruar “tanët”…
Ky është shembulli më i mirë se për të arritur këtë “fitore”, t’u desh të poshtëroje nga ambasadori më i rëndësishëm te qytetari më i parëndësishëm i këtij vendi…dhe e vetmja përkrahje e lirë dhe e vullnetshme që ke, janë kriminelët në Parlament e në bashki, si dhe ata në burgje, për të cilët s’le “lefteri” pa luajtur nga vendi që të lejoheshin të votonin…
Në të gjithë poshtërimin që bëre, Pirro, siç e sheh s’ka asgjë të re që s’e ke bërë më parë sa herë ke dashur të “fitosh”… Si në Itali më 1923, apo në Gjermani më 1933…

Kështu që edhe fundin e pashmangshëm që vetë e ke zgjedhur, të paktën ta dimë: përfundon në të dy rastet në një “prill 1945”…
Ti boll ia ke bërë hyzmetin variantit gjerman në fakt, sepse “Mein Kampf” e shkrove dhe “e shite” anembanë… Me ato para që “nxore” prej tij, bunkerin në mal e ndërtove si në Obersalzberg, por unë seç kam një përshtypje që fundin do ta kesh më shumë “italian”…
Kështu që kur të vijë “prilli 45” edhe për ty, mua do më kesh duke të pritur diku në “Piazzale Loretto”…
Poshtëruese do të jetë përsëri, por le të jetë akti i fundit poshtërues për këtë shoqëri që të lejoi ta poshtëroje deri në këtë pikë ku kemi mbërritur sot…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura