Syrja Vlora: Largimi i Vidit dhe grabitja e pallatit nga Esat Pasha

Jul 12, 2013 | 15:40
SHPËRNDAJE

Syrja Vlora
Ikja pas 6 muajsh drejtimi të dështuar e Princit gjerman.

Vlera e mobilieve dhe e çdo sendi tjetër, që u mor dhe u grabit nga banesa në Durrës, arrin shumën prej 2 milionë markash”

Princi i krishterë, Vilhelm von Vid, i zgjedhur nga Fuqitë e Mëdha për Shqipërinë, më shpejt iku sesa erdhi. Qëndrimi i tij u bë i pamundur. Shqipëria ishte përfshirë nga një valë kryengritjesh rebele, të cilat i egërsonte edhe më shumë prania e tij. Pas 6 muajsh qëndrimi, Princ Vidi bashkë me familjen u largua nga Shqipëria. Kjo ngjarje vjen përmes kujtimeve të një prej figurave më të njohura të kohës, Syrja Bej Vlorës, i cili asokohe ishte ambasador në Vjenë. “Kujtime-Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës”, i përgatitur për botim nga Instituti i Historisë dhe botuar nga shtëpia botuese “Iceberg”, i hedhur së fundmi në treg, tregon për ngjarje që përfshijnë një hark kohor gati 10-vjeçar. Një periudhë e ngjeshur me ngjarje shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Veç largimit të Vidit, letrës që ai u drejtoi shqiptarëve, Syrja Vlora tregon edhe për grabitjen e pallatit të tij. Një grabitje me një vlerë prej 2 milionë markash, pjesa më e madhe e së cilës u përvetësua nga Esat Pashë Toptani.                                       al.mi

Esat Pashë Toptani duke pritur Princ Vidin në Portin e Durrësit
Në shtator të vitit 1914, situata e qeverisë qendrore ishte tepër e keqe. Ajo nuk ishte e zonja për asgjë dhe ishte e zhveshur nga çdo lloj ndihme. Qarku i Durrësit po digjej nga zjarri i kryengritjes. Nga lajmet e rreme që merrte, populli nuk i bindej autoritetit të qeverisë. Kryeqyteti nga çdo pikëpamje tregonte një boshllëk të tmerrshëm. Asnjëri nuk merrte informata për mosmarrëveshjet që ndodhnin mes rebelëve. Edhe ata që dinin diçka, nuk lajmëronin Sovranin. Anëtarët e qeverisë ishin në kundërshti dhe në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. Oficerët holandezë, duke u bashkuar me personalitetet qeveritare, nuk merrnin pjesë në shërbim. Malësorët, që ruanin Pallatin Mbretëror, ishin gati të shkonin e të bashkoheshin me rebelët, në çast, me t’u bërë shenja e parë. Një pjesë e tyre vuante nga ethet. 50 ushtarët e flotës që dolën në tokë ishin të detyruar të ruanin vetëm Sovranin dhe familjen e tij. Në një qoshe të qytetit ishin vendosur karakollët e rebelëve. Në rast nevoje, duhej gjysmë ore që ushtria e huaj të dilte në tokë nga vaporët, kurse rebelët kur të donin mundeshin në pesë ose dhjetë minuta ta okuponin qytetin, madje edhe Pallatin Mbretëror.
Ditën e parë të shtatorit, rebelët i paraqitën përfaqësuesve të Mbretërive të Mëdha në Durrës, propozimin e fundit: Sovrani duhet të largohej. Në rast se kjo pranohej, shmangej gjakderdhja. Në rast të kundërt, le të bëhet ç’të bëhet: Durrësi do të sulmohej. Të krijohej përshtypja se ata ishin në gjendje ta dëbonin Sovranin dhe t’i shtypnin kundërshtarët e tyre. tashmë, qeveria nuk ishte e zonja të përgatiste ndonjë fuqi ushtarake dhe as që mundej të gjente ndonjë rrugë tjetër për të shpëtuar. Jo vetëm që nuk kishte fuqi e të holla por edhe të kishte nuk kishte mundësi të mblidhte një ushtri të bindur për ta vënë kundër rebelëve. Nga ushtarët që mblodhi, të gjithë njerëzit e panjohur dhe me qëllime të ndryshme, jo vetëm që nuk patën dobi, por mbase pikërisht këta, u bënë shkak për të shtuar rrezikun. Xhandarmëria nuk bindej, nuk njihte vetveten. Ushtarët myslimanë që premtuan se do dërgoheshin nga Shkodra, duhej kohë që të organizoheshin dhe të vinin.
Princ Vidi me familjen ne Durres
Nuk kishte rrugë tjetër veçse t’ia lije administrimin Komisionit të Kontrollit dhe Sovrani të largohej. Këtë pikëpamje e përkrahën shumë njerëz, meqenëse ajo mbështetej nga Ismail Qemali që ndodhej në Vlorë. Në çap të parë kjo masë dukej e përshtatshme dhe ishte e ditur se materialisht dhe moralisht ajo do të bënte përshtypje të mirë te rebelët. Por kjo nuk mjaftonte për të shpëtuar Shqipërinë nga fatkeqësia. Nuk kishte mundësi që vendi të qetësohej, mbasi populli në shumicë ishte kredhur në revolucione, në telashe e në trazira. Komisioni i Kontrollit dhe krerët e administratës nuk zotëronin ndonjë forcë që të zbatonte urdhrat dhe të siguronte qetësinë. Si edhe më parë, rebelët do të vepronin dhe do të qeverisnin ashtu si u tekej. Ismail Qemali me shokë dhe të gjithë ata që zotëronin fuqi, duke përfituar nga situata, do të ngrinin autoritete qeverisëse aty-këtu. Kundërshtarët e tyre, ose do të bashkoheshin me rebelët ose do të shtypnin rivalët dhe to të merrnin qeverisjen në dorë si t’ua donte qejfi. Sido që të ndodhte, nuk kishte mundësi të unifikohej administrata dhe të sigurohej qetësia e përgjithshme.
Në mes të anëtarëve të Komisionit të Kontrollit, dikush shfaqi mendimin që të sillej nga jashtë një forcë e rregullt ushtarake. Por në mes tyre nuk kishte mbetur bashkëpunim. Nuk u pa e nevojshme as që mendimi i mësipërm të diskutohej, jo më të pranohej e të zbatohej. Në këtë situatë nuk kishte mbetur rrugë tjetër veçse të liheshin punët të rridhnin natyrshëm dhe Princi të largohej. Anëtarët e Komisionit të Kontrollit, përfaqësuesit e Mbretërive të Mëdha në Durrës, së bashku me Këshillin Ministror u mblodhën disa herë në Pallat dhe, më në fund, vendosën që Sovrani të largohej.
Sovrani u bind se nuk kishte mundësi për shpëtim dhe në rast qëndrimi jeta e tij rrezikohej. Duke lënë në Pallat gjithë mobiliet, gjithë gjërat e vlefshme dhe artistike, si edhe administratën në duar të Komisionit të Kontrollit, amanet të kombit shqiptar, më 3 shtator rreth orës 11, hipi në jahtin ‘Misurata’ të marinës italiane dhe u nis për Venecia. Së bashku me të ndodhej edhe e nderuara, e shoqja, djali dhe vajza, kryeadjutanti Eqerem Beu dhe suita e tij. Bashkë me të udhëtonin edhe Turhan Pasha, Aqif Pasha, Sami Bej Vrioni, i biri i Vaso Pashës, Selim Beu dhe prof. Kraja nga Shkodra. Atë ditë Princi bëri këtë shpallje:
“Shqiptarë! Atë ditë që erdhën delegatët dhe më propozuan kurorën dhe fronin e Shqipërisë, unë ju binda thirrjes së kombit bujar dhe fisnik dhe vendosa të shërbej për ekzistencën kombëtare dhe për lumturinë e përgjithshme tuajën. Erdha me dëshirën e flaktë të bashkëpunoj për realizimin e qëllimit tuaj kombëtar. Që kur arrita këtu, u përpoqa me tërë fuqinë time për t’i siguruar vendit tuaj një administratë të mirë. Por, për fatin tonë të keq, në këtë vepër patriotike, që filluam bashkërisht, na u shfaqën pengesa. Disa njerëz të verbuar nga fanatizma, të rrëmbyer e të gënjyer nga intrigat e armiqve tanë nuk kuptuan qëllimin dashamirës dhe nuk u afruan për zbatimin e organizimit dhe reformës që ju kishit nevojë. Këta nuk deshën të zinin besë regjimit të ri dhe u ngritën e luftuan në dëm të vendit të tyre. Nuk e kuptuan që Lufta e Përgjithshme që filloi në Evropë, e keqësoi edhe më shumë gjendjen tonë kombëtare. Për të ndaluar gjakderdhjen midis bashkatdhetarëve dhe për të mos lënë të pakryer veprën kombëtare, të cilën unë dëshiroj ta përfundoj bashkë me ju, pashë nevojën të largohem nga Shqipëria për një kohë të shkurtër. Por, ta dini se afër ose larg, kudo që të ndodhem, do përpiqem me gjithë shpirt për të mirën e Atdheut tonë. Gjatë kësaj kohe, administratën e Shqipërisë do ta marrë përsipër Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit që është emëruar nga Fuqitë e Mëdha të Evropës.
Wilhelmi I-rë”
Durrës, më 3 shtator 1914

Grabitja
Vlera e mobilieve dhe e çdo sendi tjetër, që u mor dhe u grabit nga banesa e Princ Vidit në Durrës, të cilat më vonë u kërkuan zyrtarisht nga legata jonë, sipas shënimeve të marra nga lista, që u dërgua nga Valdenburgu dhe iu dorëzua Ambasadës së Italisë në Vjenë, arrin shumën prej 2 milion markash, e barabartë me jo më pak se 125 mijë copë flori. […]
Shumicën e këtyre sendeve tepër të bukura, të cilat i mori Esat Pasha, e shoqja i solli në Napoli, ku edhe qëndroi për disa ditë. Thirri një koleksionist antikash nga margëlliçi, që ndodhej në rrugën Gaja. Pasi u vuri çmimin i mori dhe shkoi në Zvicër. Më vonë, kur zonja shkoi në Stamboll, disa sëndukë i solli dhe i mbante në shtëpi. Një pjesë e tyre, megjithëse ishin të stolisura me armën dhe emrin e Princit, i përdorte nëpër gosti të mëdha. këto gjëra kaq të rralla  në vleftë e në bukuri, Esat Pasha i mbajti haptazi në sy të botës kur ishte në Gjenevë. Kur ndonjë e pyeste për to, i përgjigjejk se i kishte marë nga princ Vidi, përkundrejt ndjekjeve të padrejta që Princi i kishte bërë dhe dëmit prej 40 mijë napolonash që ai i kishte shkaktuar. Kur Esat Pasha vdia, dhëndri i tij Haki Beu, me vendim gjyqi, në emër të trashëgimtarëve në mungesë, i vulosi sëndukët, që ndodheshin në banesën e zonjës, por ajo ia gjeti anën dhe i hapi. Kësisoj u doli për zot.
Ato sende, transportimi i të cilave ishte i vështirë, për shkak se ishin të rënda apo tepër delikate, Esat Pasha i vendosi në një shtëpi në Korfuz. Ato edhe sot ndodhen aty, nën kujdesin e qeverisë së atjshme. Tablotë e bukura dhe lapsi i zi me 6 stampa, të cilat Princi i kishte të trashëguara nga gjysh-stërgjyshi, vlenin 90 mijë marka. Por, Esat Pasha nga të tilla karta nuk kuptonte dhe nuk kishte dijeni për vlerën e tyre. Edhe dy copë dyfekë historikë, dëgjova se ia dha Baron Aliottit si shpërblim për shërbimet që ai i bëri. Banjat, pasqyrat, gardërobat, qelqurinat, fronet, kanapetë, etj., shumë të vlefshme dhe të stilit, ranë në dorë të atij e të këtij dhe humbën. Kalin e racës së Princit, Esat Pasha ia dhuroi Mbretit të Malit të Zi. Shalën, takëmet e karrocës, automobilin, karrocat dhe kuajt, i mbajti për vete. Veç këtyre, në kuzhinë, në qilar dhe në vende të ndryshme të Pallatit ndodheshin 200 mijë franga ari, lloj-lloj pijesh dhe gjëra të tjera.

Lista
Sendet e grabitura nga Esat Pasha
•  Lista e sendeve që u grabit prej Esat Pashës, nga pallati i Princ Vidit, është si më poshtë:
•  Komplete buke prej argjendi për 48 veta;
•  Komplete për mezeri e vakte të ndryshme, të veshura me flori për 24 veta;
•  Takëm për çaj prej argjendi për 24 veta;
•  Një takëm për qepje, shumë i vlefshëm, përzierje me floririn dhe argjendin;
•  4 copë vazo të argjendta për të vënë biskota, në formë pate,
•  20 zogj e të tjera prej floriri e argjendi të qëndisura me gurë të çmuar;
•  Dy thika të mëdha të stolisura;
•  Rroba të qëndisura, me material nga saksonia dhe Sevra;
•  8 çifte shandanësh;
•  6 copë armë të vjetra, të stolisura me flori dhe argjend;
•  25 copë armë të reja;
•  40 copë statuja të vogla dhe të mëdha prej tunxhi;
•  400-500 copë peceta dhe mbulesa tryeze prej linoje;
•  300 copë jastëkë linoje, çarçafë dhe mbulesa shtrati;
•  10 copë mbulesa shtrati, leshi e mëndafshi të punuara;
•  20 copë mbulesa tryeze antike të punuar në Europë;
•  Shumë mbulesa dhe jastëkë të punuar në Rumani;
•  2 shalle për gratë e moshuara;
•  Më shumë se 2 mijë copë pjata buke, porcelani;
•  Enë të bukura për lloje të ndryshme pijesh;
•  Sirtarë të stolisur argjendi dhe tunxhi të punuara në Sevër;
•  Rreth 20 vazo lulesh shumë të bukura e shumë të vlefshme;
•  Rreth 20 miniatura;
•  50 copë tablo të vlefshme;
•  40 valixhe dhe sëndukë;
•  Shumë komplete petkash vetjake dhe për zonja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura