A e kishte menduar ndonjëherë Flor Mumajesi në 1998 kur krijoi grupin “The dreams” vetëm i drejtuar nga pasioni, dashuria për muzikë, shpirti dhe shumë ëndrra rinore, se emri i tij do të kthehej sot në një patentë të shtrenjtë e me shumë vlerë në muzikën shqiptare?! Me siguri po. Sepse ndonëse ai është një artist me fjalë të vogla, ka rezultuar të flasë me gjithë vepra të mëdha gjithë këto vite karrierë.
Ishte ende i vogël kur në 2002 mori pjesë për herë të parë në Kënga Magjike, por u bë menjëherë i madh në këtë kompeticion kur publiku pa se Flori Mumajesit i peshonte zëri, pena dhe intuita për muzikë të mirë. Pikërisht në këtë çast ai krijoi nyjën e dashurisë me të gjithë ata që e duan muzikën, që e panë si nismëtarin e një epokë të re shqiptare, epokën ku muzikanti arrin të parashikojë të ardhmen duke e sjellë atë më shpejt se të tjerët. Dhe kështu ndodhi vërtetë, pasi Flori Mumajesi ka qenë artisti i parë shqiptarë, emri i të cilit u thirr nga turma spektatorësh të huaj.
‘Threedots’ është një shtëpi ku shpirti i të gjithëve mblidhet për t’i dhënë frymë krijesave muzikore që rriten bashkë me triumfin e këtyre artistëve. Përveçse këngëtar, Flori Mumajesi ka qenë dora magjike për shumë miq të tij muzikantë, të cilëve u ka dhuruar një pjesë të shpirtit të tij, duke i krijuar këngë, të cilat sapo kanë mbajtur vulën e kantautorit, kanë shënuar aty edhe suksesin e tyre të padiskutueshëm.
E kishte menduar Flori i vogël i vitit 1998 se do të bëhej kaq i madh kur të festonte ditëlindjen e 35? Me siguri po. Ndaj me sy mbyllur ne mezi po presim se çfarë shpirti Flori Mumajesit dhe tingujt e tij magjik kanë rezervuar për të ardhmen e muzikës tonë. Gëzuar ditëlindjen artist. /BalkanWeb