Supriza e Nanos: Show nuk ishte vetëm mbi kurvat

May 25, 2018 | 12:50
SHPËRNDAJE

Salla e teatrit eksperimental Spahivogli ishte mbushur plot mbrëmë, datë 24 maj. Ishte mbrëmja e shout të Mustafa Nanos me titullin provokativ “Nuk ka kurva në këtë botë”. Nano u shfaq me një veshje trendi, me xhinse të grisura e me një këmishë, mbi të cilën ishin vizatuar fytyra vajzash.

nano

 

Nano qëndroi në skenë për gati 90 minuta. Spektatori e ndoqi me vëmendje monologun e tij, herë në heshtje, e herë me të qeshura. Të shumtët e spektatorëve ishin gra e vajza.

Nano e mbylli shoun në një mënyrë shumë serioze, me një tregim të Ernest Koliqit, në fund të të cilit përcolli mesazhin se njerëzit mendjehapur të këtij vendi nuk duhet t’i dorëzohen presionit të pjesës së prapambetur.

Nisur prej reagimit të sallës, kjo mund të quhet një provë e suksesshme e Nanos, këtë herë në rolin e një shoumeni. Ishte një çift të moshuarish që, në një moment “të nxehtë” të shfaqjes, e lanë sallën. Por të tjerët e pritën me ilaritet këtë gjest të çiftit. Dhe vijuan të ndjekin shfaqjen që, ç’është e vërteta, nuk ishte e gjitha mbi seksin.

Aq më pak për kurvat. Përkundrazi, në pothuaj gjysmën e shout u fol edhe për gjëra të tjera, u fol për provincën, për forcën e zakoneve, për pjesën patriarkale të shoqërisë, etj. Të krijohet përshtypja se kurvat kanë qenë karremi i Nanos.

Shfaqja vazhdon edhe sot, nesër e pasnesër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura