Supostat e Tiranës

Aug 12, 2018 | 12:27
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Kushtrim! Alarm! SOS! Ti rana është e sëmurë! Tirana po vuan! Thellë e më thellë trupit e shpirtit të saj!…

Edmond-Tupja

Ajo duhet shpëtuar me çdo kusht e me çdo çmim! Qeveria e Rilindjes mav(r)i, që ka marrë revan nën drejtimin e mavijosur të një Partie Socialiste monomaniake, po bën çmos për ta shpëtuar atë! Dhe mjeti më i efektshëm është – sipas asaj të paktën – një e vetëm një: supostat gjigante d.m.th kullat e përbindshme që janë ngritur, po ngrihen dhe do të ngrihen brenda dhe rreth e rrotull kryeqytetit lumëmadh të atdheut tonë të përzishëm! Një shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur gjithashtu nga qeveritë e vendeve të Bashkimi Europian dhe nga bashkitë e kryeqyteteve të tyre për t’i bërë këta edhe më madhështorë! Pikërisht me suportin e supostave gjigante nga firma e paparë dhe e padëgjuar “Edi Veliaj & Erion Rama”, vjetërsirat antike të Athinës e të mbarë Greqisë së lashtë duhet të zhduken për t’ua lënë vendin supostave në fjalë nëse qeveria greke dëshiron vërtet të ndjekë shembullin e shkëlqyer të firmës së sapopërmendur për të shëruar vendin e vet! E njëjta gjë mund e duhet të thuhet për vjetërsirat antike të Romës e të mbarë gadishullit të lashtë Apenin nëse qeveria italiane dëshiron ta shërojë edhe ajo vendin e vet në “stilin” ramesk e në “drejtimin e duhur” ramist. Nxito o Europë e shkretë, e gjorë dhe mjerane t’ia rrasësh vetes nga poshtë e nga lart, majtas e djathtas, nga të gjitha vrimat e trupit, supostat gjigante të kullave të përbindshme, duke shkatërruar gjithë gjurmët dhe dëshmitë kulturore e historike të së kaluarës sate të lavdishme ndër shekuj!

Sigurisht që u bë kohë që unë po i bie kësaj kambane kushtrimi, lidhur me shkatërrimin e neveritshëm që i bëhet Tiranë sime për t’i zhdukur gjurmët dhe dëshmitë e saj kulturore e historike dhe për t’i zëvendësuar ato me kullat e përbindshme më çnjerëzore që më ka zënë syri të paktën nëpër ato kryeqytete europiane ku kam kaluar, vështruar, menduar, kuptuar e nxjerrë përfundime me kokën time e falë edukatës europiane që më kanë dhënë prindërit, si edhe mësuesit e mi shqiptarë e të huaj. Por kësaj here – dhe këtë nuk mund ta kaloj kurrsesi në heshtje – një impuls të ri i dha zemëratës sime shkrimi tronditës i parapakkohshëm i Armand Shullakut në portalin “lapsi. al” me titull “Si po zhduket Tirana e romaneve të Kadaresë”, ku shpaloset lakuriq një e vërtetë tejet e dhimbshme: Kush lexon apo rilexon sot disa nga librat e Kadaresë, e ka shumë të vështirë të gjejë në Tiranën e shpërfytyruar ato pika orientimi kulturor të domosdoshme për të njohur historinë dhe për të soditur peizazhin e saj shpirtëror ndër dekada. Ja si shprehet Armand Shullaku: “Në Tiranë është e vështirë të gjesh imazhe për të ndërtuar librat e Kadaresë. Sot këta libra janë dëshmi e një qyteti, që nuk e njeh më askush. Si mund të ndihet shkrimtari kur i vdes vepra në të gjallë të tij?” Meqë kam studiuar në Francë për Gjuhë- Letërsi e Qytetërim Francez, krejt natyrshëm më lindin disa pyetje: Si do të ishin ndier Rasini, Korneji e Molieri po të ndërtoheshin kulla të përbindshme në vend të Teatrit “La Comédie Française”, ku në shekullin XVII janë luajtur tragjeditë apo komeditë e tyre? Si do të ishin ndier Hygoi, Balzaku, Mopasani, Dymai po të ndërtoheshin kulla të përbindshme te shëtitorja Champs-Elysées , që ata e kanë populluar në shekullin XIX me personazhet e veprave të tyre? Dhe jo vetëm kaq, por si do të ishin ndier francezët e sotëm sikur në vend të shtëpisë muze të Hygoit apo asaj të Balzakut të lartësoheshin, të neveritshme e të përbuzshme, ca kulla anonime mospërfillëse? Si do të ishin ndier filozofët, piktorët, kompozitorët e këngëtarët francezë sikur universitetet, klubet, studiot, operat e sallat e koncerteve ku ata kanë shpalosur veprimtaritë e tyre intelektuale e artistike, të shkatërroheshin për t’u zëvendësuar marrëzisht e djallëzisht me kulla të zymta indiferente ndaj historisë së kombit francez? Si do të ishin ndier francezët e sotëm sikur kullat e neveritshme në fjalë ta anulonin, duke e shumëzuar me zero historinë e artit e të kulturës së tyre ndër shekuj? Ah, sa dëshirë do të kisha sikur firma e fuqishme “Edi Veliaj & Erion Rama” të denjonte t’u përgjigjej pyetjeve që sapo shtrova! Por e di, gjithsesi, që ajo nuk ka kohë të merret as me mua, as me Armand Shullakun e as me cilindo ngre, me shqetësim e indinjatë, çështjen e asaj që mund të quhet “kultura e betonit qiellpërpirës” ose “kulti i rulit rrafshues të parasë”. Kështu që, me keqardhje më duhet të pranoj se popullit tim të urtë, tepër të urtë, madje deri në nënshtrim mazokist, i pëlqyekan shumë supostat gjigante, supostat e përbindshme që po e kthejnë Tiranën në një kryeqytet, i cili për fat të keq, në veçanti për brezat e ardhshëm, është duke humbur përfundimisht vetveten.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura