SUPERMASAT/ Skënderbeu ndalon në stadium edhe…buzëkuqët e femrave

Aug 4, 2015 | 12:07
SHPËRNDAJE

Skënderbeu është vetëm 90 minuta larg historisë në “Elbasan Arena”, pasi nëse kalon moldavët e Milsamit, bëhet ekipi i parë shqiptar që do të shkojë në fazën “play-off” të Ligës së Kampioneve dhe në të njëjtën kohë siguron pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Europës. Mirëpo, më shumë sesa rivali që kanë përballë, korçarët i druhen ndonjë trazire nga ana e tifozëve dhe për këtë arsye, e gjithë vëmendja është që të minimizojnë në maksimum edhe incidentin më të vogël në stadium.

skenderbeu-11-800x533
Krerët më të lartë të klubit korçar, me presidentin Ardjan Takaj në krye dhe drejtorin Ilirjan Përmeti, ishin ditën e djeshme prezentë në “Elbasan Arena”, ku panë më nga afër edhe ambientet e stadiumit. Me ta ishte edhe menaxheri i zhvillimit të ndeshjeve të Skënderbeut, Ervis Hila, ku në bisedën me Takajn dhe Përmetin, “frika” më e madhe ishte jo te meshkujt, por te.. femrat.

“Frika”
“Panorama Sport” zbardh një bisedë të shkurtër midis palëve për këtë çështje, teksa në ambientet e brendshme të stadiumit, Takaj i thotë Hilës të tregohet kujdes më së shumti për femrat, me çantat që ato do të mbajnë me vete dhe sendet që do të kenë aty brenda. Përpos sendeve personale që mbajnë femrat nëpër çanta, të cilat do të ndalohen nëse parashikohet rrezikshmëri për ta hedhur në fushë, do të bëhet kontroll normalisht edhe për monedha dhe çakmakë.

Nga ana e tij, Hila ka garantuar se do të bëhet kontroll i imtësishëm edhe për këto raste, duke e vijuar më pas komunikimin me shefin e klubit korçar, Ilirjan Përmeti. Ky i fundit theksoi se nga ana e stjuartëve do të bëhet maksimumi për të eliminuar problemet. Nga ana tjetër, për sa u përket tifozëve ultras, Takaj dhe Përmeti kanë garantuar se nuk do të ketë probleme me banderolat, ndonëse Hila ka kërkuar mundësisht që të njihen 24 orë përpara ndeshjes me ato që do të shpalosen ditën e mërkurë.

Mirëpo, nga ajo që u kuptua nga biseda midis tyre, nuk shihet ndonjë rrezikshmëri nga ana e ultrasve dhe me mesazhet që mund të përcjellin për këtë sfidë historike për korçarët.

Drejtori
Në prononcimin e tij për mediat, drejtori i klubit të Skënderbeut, Ilirjan Përmeti, bëri thirrje që të mos ketë asnjë incident në këtë ditë të shënuar, pasi Skënderbeu po bën historinë në futbollin shqiptar.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që do të jenë në stadium ditën e ndeshjes, që të tregojnë kulturë dhe qytetari, të mos krijojnë as incidentin më të vogël. Skënderbeu po bën historinë në futbollin shqiptar, ndaj çdo formë dhune apo racizmi nëpër banderola duhet të evitohet. Nuk dua të ndalem te precedenti me Kukësin, pasi ajo ishte diçka që nuk duhet të ndodhte, por unë jam i bindur se preokupimi ynë maksimal do bëjë të mundur të mos ketë probleme në këtë ndeshje”, theksoi fillimisht Përmeti.

Për sa i përket mbështetjes së tifozëve, ai bëri të ditur se me informacionet që ka marrë Skënderbeu do të ketë mbështetje nga e gjithë Shqipëria, sepse tani nuk bëhet më fjalë vetëm për qytetin e Korçës, por për gjithë vendin.

“Nuk ka rëndësi se ku luhet një ndeshje e tillë, në Korçë apo Elbasan, pasi tani kërkohet mbështetje nga të gjithë. Interesimi për bileta është i madh nga e gjithë Shqipëria, ndaj edhe mbështetja do të jetë super. Për sa u përket tifozëve korçarë, do të kenë autobusë pa limit për këtë ndeshje. Ashtu siç ‘Elbasan Arena’ i ka sjell fat Kombëtares, të njëjtën gjë do të bëjë edhe ndaj Skënderbeut”, përfundoi Përmeti.

Menaxheri
Menaxheri i ndeshjeve të Skënderbeut, Ervis Hila, në prononcimin e tij për mediat e vuri theksin te stjuartët që do të jenë në stadium, ku pohoi se numri i tyre mund të shkojë edhe më shumë se 120. “Kemi menduar për 120 stjuartë që do të merren me sigurinë, por numri i tyre mund të rritet në varësi të tifozëve që do të jenë në stadium.

Masat e sigurisë do të jenë si në një ndeshje kur luan Kombëtarja, sepse ndërkombëtare është edhe kjo”, u shpreh fillimisht për këtë çështje Hila. Më tej, ai bëri thirrje që tifozët të hyjnë në stadium rreth orës 19:00 dhe femrat të mos marrin me vete tualetet sepse nuk do të lejohen.

“E mira është që tifozët të mos vijnë në stadium vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes, por që në orën 19:00, pasi do t’u bëhet kontroll i rreptë. Gjithashtu, femrat të mos marrin mjetet e tualetit me vete. Do të ketë kontrolle të përpikta në hyrje të stadiumit dhe nuk do të lejohen pasqyrat e tualetit për zonjat apo buzëkuqet. Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen me çakmakë, bidonë me ujë e flamuj me shkopinj. Stadiumi ka të gjithat komoditetet, nuk ka nevojë për t’u futur gjëra nga jashtë”, sqaroi menaxheri Hila.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura