Supergoli dhe lotët e Hygorit, ja momentet më të rëndësishme të ndeshjes Vllaznia-Flamurtari

Jan 22, 2020 | 23:41
SHPËRNDAJE

Vllaznia e nis vitin me fitore, por në “Loro Boriçi” mbështetja e tifozëve nuk është ajo që meriton ky klub dhe që ofron zakonisht Shkodra. “Panorama Sport” sjell momentet pikante të ndeshjes:

bandicam-2020-01-21-14-19-59-534

* Shumë pak tifozë kanë mbështetur Vllazninë në takimin e parë. Për këtë, kanë ndikuar edhe dita dhe orari i papërshtatshëm. Të pranishëm ishin rreth 600 tifozë. Më së shumti, u shtuan gjatë pjesës së dytë.

* I ftohti nuk ka ndikuar te grupimi “Power 12”, i vetmi që ka mbështetur përgjatë gjithë takimit skuadrën shkodrane.

* Në nxehmjen e skuadrave ra në sy edhe prania e pesë lojtarëve me fanellën e Flamurtarit që bënin vrap rreth fushës së stadiumit “Loro Boriçi”. Bëhet fjalë për ata që nuk janë federuar prej bllokimit të merkatos nga FIFA, pikërisht emra si Lipi, Malçi, brazilianët Kosta dhe Olivera, si dhe afrimi më i fundit, që ende nuk është zyrtarizuar Taje Taivo, i cili në sezonin 2011-2012 ka luajtur për Milanin.

* Trajneri brazilian, Marcelo Troisi, ende nuk ka firmosur kontratën me klubin vlonjat. Ai nuk e ka licencën UEFA Pro për të drejtuar në Superiore, por vetëm licencën UEFA A, që të jep mundësinë të jesh trajner i parë në Kategorinë e Parë, ndërsa në Superiore vetëm si zv.trajner. Kësisoj, vlonjatët në protokoll si trajner të parë kanë pasur vlonjatin Luan Birçe (përgatitësi i portierëve). Si trajner i parë ishte projektuar Dritan Resuli, i cili edhe pse mori pjesë në seancën e fundit stërvitore në Vlorë, nuk ishte dje i pranishëm në Shkodër, për shkak të një problemi shëndetësor. Klubi ishte vënë në dijeni dhe ishte i detyruar të bënte sërish Birçen trajner të parë.

* Edhe tribuna VIP ishte tepër e varfër në këtë sfidë. Pjesë e saj nuk ka qenë administratori Lici që gjendet ende jashtë Shqipërisë, por nga aty, takimin e kanë ndjekur dy lojtarët kuqeblu, Krymi dhe Sidorenko.

* Kapiteni Lika ka shijuar golin e parë të vitit 2020. Ky ka qenë i 5-ti në këto dy faza të para dhe i treti nga pika e bardhë e penalltisë për të. Nuk qëndron pas, në listën e shënuesve të Vllaznisë, as Hygor që me golin e djeshëm shkon shumë afër Likës, në kuotën e 4 golave.

* Flamurtari zbret pak minuta para Vllaznisë në startin e së dytës në fushë dhe trajneri i ka bërë një tjetër nxehmje. Gjithashtu, nxehje të lehtë zhvilloi edhe trajneri i portierëve Lekiqi me portierin Sherri.

* Në të 58-ën minutë, braziliani Hygor Gonçalves merr duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve për rikthimin e tij në fushë. Tifozëria i dedikoi pritje me ovacione këtij dhe u pa qartë se pritja ia vlejti.

* Nuk mungojnë kritikat e tifozëve ndaj sulmuesit të ri Hristov. Gjithsesi në fund u duartrokit në momentin e zëvendësimit.
* Eurogoli i Hygorit ka sjellë çastet më të bukura në stadium. Tifozët u ngritën të gjithë në këmbë duke thirrur emrin e lojtarit. Ovacionet dhe dedikimi për nënën e ndjerë e bënë brazilianin të përlotej.

* Lika e Hygor rikthejnë fitoren e munguar në Shkodër. Si për koincidencë ka qenë sërish kjo dyshe e cila ka realizuar 3 nga 4 golat e fitores që Vllaznia pati arritur ndaj Skënderbeut në shtator 2019.

* Hygor u mbështet jo vetëm nga familja e tij, por edhe nga dy çifte të tjera brazilianësh.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura