Supergjobat, tregtarët ankohen në Kushtetuese: Shfuqizim neneve që na falimentojnë

Nov 26, 2015 | 14:05
SHPËRNDAJE

Biznesi ankimoi dje në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, ku kërkon shfuqizim të 11 neneve që parashikojnë shumëfishim të gjobave për moslëshim të kuponit tatimor, mospërdorim të kasës fiskale apo mosafishim të çmimeve. Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve, e kryesuar nga Nikollaq Neranxi, kërkoi shfuqizim të neneve të gjobave, pasi ato shkatërrojnë biznesin dhe nuk janë proporcionale.

elbasan-proteste

“Ligji i mëparshëm i dënonte subjektet për shkelje me vlera të arsyeshme, që ishin të përshtatshme me shkeljen dhe natyrën e veprimtarisë me shumicë ose pakicë, ligji i ri i dënon subjektet pothuajse me shkatërrim të biznesit të tyre.

Masat e gjobës në vlerën 500.000 lekë për biznesin e vogël nuk mund të konsiderohen të pallogaritshme, kur ky biznes ka një xhiro vjetore jo më shumë se 8.000.000 milionë lekë në vit, por që kjo masë mund të jetë akoma më e vogël, veçanërisht për tregtarët ambulantë ose ata për shitësit e prodhimeve bujqë- sorë të zonave rurale. Akoma më joproporcionale është ndërhyrja për biznesin e madh, i cili gjobitet deri në vlerën 10.000.000 lekë, pavar- ësisht nga shkelja e kryer, vlera e mallit apo detyrimi i papaguar”.

Biznesi kërkon shfuqizimin e nenit për gjobën 500.000 mijë lekë kur nuk lëshohet kuponi tatimor, duke argumentuar se “një subjekt që lëshon faturë tatimore në kuptim të ligjit është një subjekt që duhet të konsiderohet i rregullt, ndërkohë që me ligjin e ri ai penalizohet vetëm për shkak të moslëshimit të kuptonit tatimor.”

Biznesi kundërshton edhe konfiskimin e mallit dhe dënimet nga tatimorët deri në ndjekje penale për mospërdorim të kasës fiskale. Nga biznesi kërkohet edhe shfuqizimi i nenit për 10-fishim të gjobës për mosdeklarim punonjësish për biznesin e vogël, në 500 mijë lekë. Nenin për vendosje të gjobës 500 mijë lekë dhe kallëzim penal për mosdeklarim real të pagës.

Kundërshtohet neni për vendosjen e gjobës 500 mijë lekë për mosdeklarim adrese; e drejta për të mos paguar nëse nuk merr faturën. Për biznesin, ligji në tërësi shkel parimin e mosgjykimit dy herë për të njëjtën çështje. Biznesi ka kërkuar pezullim të ligjit të gjobave deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Biznesi kërkon pezullim pasi gjobat do të sjellin pasoja të rënda dhe të pariparueshme te tregtarët e shumicës dhe pakicë. Sipas tyre, kjo situatë justifikon edhe urgjencën për pezullimin e ekzekutimit të ligjit të kundërshtuar. Dhoma Amerikane e Tregtisë pritet të marrë vendim në fillim të muajit dhjetor, kurse Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është në proces konsultimi me juristët, se si do të procedojë më tej.

Ankimimi i ligjit në Kushtetuese është lajmëruar më parë nga biznesi, ku vendimi u parapri edhe nga protesta. Tregtarët kërkuan në protesta shfuqizimin e ligjit të gjobave, pasi ato shkatërrojnë biznesin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura