Supa e dashurisë së George Clooney në Venecia

Oct 6, 2014 | 14:26
SHPËRNDAJE

Një recetë mjaft elegante duket se turbullon vazhdimisht qiellzën e dhëndrit të ri. Supa që po shihni në fotografi është e preferuara e aktorit George Clooney. E vetmja që konsumon rregullisht gjatë çdo udhëtimi në Venecia. Është një nga pjatat e restorant “Oro” të hotel “Cipriani” në Venecia, vend që Clooney dhe bashkëshortja e tij tashmë Amal Almauddin, frekuentojnë vazhdimisht. Nuk dihet nëse ka qenë pjesë e menysë së dasmës së tyre që u organizua po në Venecia, por ne po jua propozojmë njëherë, jo se kemi shpresa ta realizoni ;)

Përbërësit:
300 gr fasule (lloji, Lamon)
1 karotë
1 degë selino
2 qepë
Erëza aromatike,
majdanoz, hudhër
100 gr dhjamë derri
100 gr molusqe kanolici
300 gr midhje
100 gr vongole
100 gr tartuf deti
100 gr kapetonde
4 kapesante
Vaj ulliri
Verë e bardhë
Kripë, piper

Përgatitja:
Jo se mund të merrni mundimin ta provoni, por të paktën, gjithsesi ta dini që në fillim që përgatitja e kësaj recete kërkon rreth tri orë kohë. Prisni dhe kaurdisni perimet me dhjamin e derrit, fasulet, erëzat dhe pak kripë. Mbulojini dhe lërini të gatuhen, duke shtuar ujë herë pas here, për 2 orë. Pas zierjes, frullojeni të gjithë masën duke i dhënë trajtë kremoze dhe futeni në frigorifer. Molusqet hidhini në një tjetër tigan që të hapen bashkë me vaj, majdanoz dhe verën e bardhë. Pastrojini nga guaskat dhe frullojini të gjitha molusqet. Futeni në ngrirje për dy orë. Pjata është përgatitur duke shtruar së pari kremin e fasuleve e sipër saj është masa e ngrirë e molusqeve në trajtë akulloreje. Për të dekoruar janë përdorur disa nga molusqet në përbërje.

Sallatë oktapodi
Përbërësit:
500 gr oktapod
1 presh
20 kokrra kaperi
1 degë selino
2 patate
2 speca të ëmbël
1 karotë
3 lugë vaj ulliri
Kripë, piper

Përgatitja:
Në një enë me ujë të vluar fusni tri herë oktapodin me ndihmën e një piruni e pastaj vendoseni në ujë të ngrohtë me karotën, selinon dhe kripë për të filluar zierjen nga e para. Mbulojeni dhe vijoni zierjen në zjarr të ulët për 1 orë. Lëreni të ftohet pa i hequr kapakun dhe më pas priteni në copa. Zieni patatet dhe pritini në kubikë. Kaurdisni specat dhe preshin e prerë në rrathë me pak vaj ulliri dhe në fund shtoni oktapodin, patatet dhe kaperit. Vazhdoni kaurdisjen edhe për pak minuta. Rregulloni me kripë dhe shërbejeni të ngrohtë.

Tortë çokollate
Meqenëse pas peshkut duhet gjithnjë një ëmbëlsirë, provoni këtë tortë J

Përgatitja:
Në një enë të madhe hedhim të bardhat e vezëve dhe i rrahim fort deri sa të bëhet një shkumë e bardhë. Në një tjetër enë hedhim gjalpin e shkrirë dhe sheqerin. Fillojmë ta rrahim me rrahës elektrik. Shtojmë më pas të verdhat e vezëve një e nga një dhe vazhdojmë t’i rrahim deri sa të arrijmë një masë homogjene. Shtojmë me anë të një site miellin e bashkuar me kakaon dhe majanë. I trazojmë mirë. Shtojmë ndërkohë edhe qumështin dhe çokollatën e shkrirë më parë në banjëmari. I trazojmë me kujdes. Marrim një tavë të lyer me gjalpë e miell dhe hedhim në të masën e përgatitur. E pjekim tortën në furrë 180 gr celsius për 1 orë.
Përgatisim kremin ndërkohë. Ne një tenxhere hedhim panën me gjalpin. E ngrohim deri sa të shkrijë gjalpi. Më pas e heqim nga zjarri dhe shtojmë çokollatën e grirë hollë dhe nutellën. I përziejmë mirë deri sa të shkrihen të gjithë përbërësit. Më pas masën që përgatitëm e hedhim në një enë qelqi dhe e lëmë në frigorifer për rreth dy orë. Pasi ka kaluar koha, e rrahim kremin me rrahësin elektrik deri sa të arrijmë një shkumë të vërtetë.
Pasi torta është ftohur e presim në mes për së gjati. E lagim me pak rum (nëse doni edhe me ndonjë sherbet ose thjesht me ujë e sheqer). Hedhim mbi të gjysmën e kremit dhe e hapim me kujdes. Vendosim sipër gjysmën tjetër. E lyejmë sërish me kremin e mbetur. Tani torta është gati për t’u zbukuruar me pufka të vogla ose me çokollatë të bardhë, sipas dëshirës. E fusim sërish në frigorifer për rreth një orë përpara se ta presim në copa.

Përbërësit për tortën:
4 vezë
170 gr miell
50 gr kakao pluhur
100 gr çokollatë e zezë
80 gr gjalpë
80 gr sheqe
Pak qumësht
Maja për ëmbëlsira
Pak rum për të lagur tortën

Përbërësit për kremin:
100 gr çokollatë e zezë
500 ml pana
100 gr gjalpë
300 gr krem çokollate me lajthi (nutela)
Disa pufka për zbukurim

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura