Sulmohet gjatë protestës banori i Transballkanikes

May 6, 2016 | 13:22
SHPËRNDAJE

VLORE – Sulmohet protestuesi për Rrugën Transballkanike. Ditën e djeshme, gjatë protestës së radhës së zhvilluar nga banorët që janë prekur nga shembjet në këtë zonë, ka ndodhur një incident i rëndë.

protestuesiSipas burimeve nga banorët e Transballkanikes, në orët e pasdites, disa prej tyre kanë protestuar siç kanë bërë disa herë, për shkak të problemeve me dëmshpërblimet. Ata kërkojnë dhënien e parave sipas çmimit real dhe metrave realë të pronës.

Gjatë protestës, ata thonë se një person i panjohur për banorët, është futur mes grupit dhe ka qëlluar me sende të forta një protestues, pikërisht Spiro Konomin. Edhe i plagosuri tha se një person i panjohur e ka goditur në kokë, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

I plagosuri është dërguar në spital, ku dhe i është nënshtruar mjekimit të shpejtë nga mjekët e urgjencës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Familjarët e të plagosurit kërkojnë nga policia të identifikojë autorin dhe të zbardhë ngjarjen, që sipas tyre i rrezikoi jetën njeriut të tyre.

Spiro Konomi ka deklaruar se nuk ka asnjë mosmarrëveshje apo sherr me dikë, duke e lidhur ngjarjen me protestën e banorëve. Sipas tij, dikush do t’u mbyllë gojën që të mos protestojnë për të kërkuar të drejtën për pronën. Në spital mbërriti edhe kreu i PD-së së Vlorës, Moisi Meminaj, pasi mori njoftimin për këtë ngjarje.

Nga ana e tij, Meminaj akuzoi qeverinë, që sipas tij ka rrugën e hapur për t’u hakmarrë ndaj atyre që kundërshtojnë dhe protestojnë. Ndërkohë, policia nuk ka dhënë asnjë sqarim për ngjarjen.

QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura